Pak ditë përpara se të merret një vendim nëse Shqipërisë do i hapet drita jeshile për negociatat me Bashkimin Europian, një nga vendet më të rëndësishme dhe më skeptike- Franca, ka nisur një diskutim në parlament për një çështje të ndjeshme të politikës së atjeshme, ku implikohet edhe Shqipëria dhe shqiptarët.
Debati në parlament është nxitur nga presidenti Emmanuel Macron, pasi çështja e emigracionit pritet të dominojë politikën franceze për një kohë të gjatë.
Shqetësimi është se ndërkohë që vendet e tjera të BE kanë shënuar një ulje të azilkërkuesve me 10 përqind gjatë vitit të shkuar, në Francë ky numër është rritur me 22 përqind.
Në krye të listës së azilkërkuesve janë afganët, të pasuar nga shqiptarët. Për këta të fundit, edhe Macron, por edhe kryeministri Edoard Philippe kanë theksuar se vijnë nga një vend që është kandidat për të hyrë në Bashkimin Europian.
Philippe deklaroi përpara parlamentit se ka dy arsye se përse po rritet numri i azilkërkuesve në Francë.
E para lidhet me faktin se Franca përballet me lëvizje sekondare emigratore, pra azilkërkues që kanë mbërritur në Francë pasi kanë qenë në vende të tjera ku kanë kërkuar azil.
Fenomeni i dytë, që është më i rëndësishëm, lidhet me faktin se personat që kërkojnë azil vijnë nga vende të sigurta, ku thuhet se respektohen liritë dhe të drejtat.
Mes tyre janë Shqipëria dhe Gjeorgjia, pra edhe nga vende kadidate për të hyrë në BE, tha ai.
Philippe tha se ai nuk do e pranojë politikën ‘zero emigrim’, pasi është e rëndësishme që të pranojmë se Franca duhet të jetë krenare që mbetet vend tërheqës për të tjerët.
Por kryeministri shtoi se një opsion është vendosja e kuotave për emigrantët, me qëllim që të tërhiqen vetëm personat e kualifikuar.
Ndërkohë një tjetër propozim që është pritur me interes ka qenë ai i deputetes Nadine Morano. Ajo tha se duhet të ndërpritet ndihma mjekësore për emigrantët, pasi shumë prej tyre vijnë vetëm për trajtim mjekësor në Francë. Nga ky trajtim kanë përfituar 335 mijë persona, tha ajo, pa paguar asnjë euro.
Ky debat nuk do ketë një votim në fund. Ai do i shërbejë presidentit Macron për të matur pulsin e politikës, në kohën kur ekstremi i djathtë i Marine le Pen po tregohet shumë i ashpër në këtë drejtim.
Megjithatë pritet të shihet se si do ndikojë ai në votën e Francës për Shqipërinë. Ka pasur spekulime se Franca mund t’i bashkohet Gjermanisë duke pranuar një nisje të negociatave me kushte, duke shtuar edhe ata një kushtëzim për azilkërkuesit.
Nga ana tjetër, presioni i zyrtarëve të Brukselit po shtohet që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut t’i hapen negociatat sa më shpejt pasi nëse nuk ndodh kjo, do përfitojnë vende të treta si Rusia, Kina apo Turqia.