Rastet e sëmundjes së lisë së majmunëve janë në rritje, në Mbretërinë e Bashkuar dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) ka reaguar lidhur me virusin e fundit që po përhapet. Ekspertët besojnë se lija e majmunëve ka të ngjarë të jetë një virus seksualisht i transmetueshëm, megjithatë, studimet janë ende në vazhdim për të kuptuar sesi dhe sa po qarkullon, si dhe faktorët e mundshëm të rrezikut.
WHO gjithashtu po i kushton vëmendje faktit nëse ky virus përhapet edhe nga marrëdhëniet seksuale. Më parë besohej se virusi i lisë së majmunëve mund të përhapej vetëm me kontakte të ngushta, duke përfshirë lezione ose nëpërmjet pikave të frymëmarrjes të nxjerrë nga një person i infektuar.
Portugalia konfirmoi pesë raste të lisë së majmunëve të dielën, kurse Spanja lëshoi një alarm për rastet e para të dyshuara të sëmundjes infektive.
Ndërkohë që Ministria Portugeze e Shëndetësisë ka konfirmuar pesë raste, ajo po heton më shumë se 20 raste të dyshimta, të gjitha në meshkuj, kryesisht të rinj, dhe në rajonin përreth Lisbonës.
Spanja ka zbuluar tetë raste të dyshimta në Madrid, sipas dokumenteve të zbardhura nga e përditshmja kryesore El Pais. “Nuk ka të ngjarë që lija e majmunit të transmetohet shpejt, por nuk mund ta përjashtojmë atë”, tha shefi epidemiolog i Spanjës Fernando Simon.
Rasti i parë i njohur i lisë së majmunëve në gadishullin Iberik u identifikua pas alarmit që dha Anglia.
Mbretëria e Bashkuar po studion shpërthimin e saj më të madh. Deri më tani, autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar kanë identifikuar shtatë raste të lisë së majmunëve në pak më shumë se një muaj. Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar ka theksuar se virusi nuk përhapet lehtë te njerëzit.
Sidoqoftë, agjencia britanike u ka kërkuar meshkujve homoseksualë dhe biseksualë “të jenë vigjilentë” ndaj simptomave të mundshme si puçrrat ose lezionet në trupat e tyre, sepse katër rastet më të fundit janë identifikuar në ato grupe. Historikisht virusi ka qenë i kufizuar në Afrikë dhe shpërthimet kanë qenë të vogla.
Sipas Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar, lija e majmunëve mund të përhapet kur dikush është në kontakt të ngushtë me një person të infektuar.
Qendra e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë se simptomat e lisë së majmunëve fillojnë me ethe, dhimbje koke, dhimbje muskulore dhe rraskapitje. Pas disa ditësh, pacientët mund të zhvillojnë një skuqje që kalon nëpër faza të ndryshme përpara zgjebe. Sëmundja zakonisht zgjat nga një deri në katër javë.
Ndonëse përgjithësisht konsiderohet virus i lehtë, në Afrikë, lija e majmunëve ka shkaktuar vdekjen në 10% të atyre që janë infektuar nga kjo sëmundje./Liberale.al/