Sëmundjet e shëndetit mendor po njohin përhapje më të madhe në popullatë së fundmi. Por për të përballuar të sëmurët e prekur kërkohen kapacitete si burime njerëzore të specializuar dhe numër shtretërish.
Shqipëria për fat të keq renditet e fundit në Europë për nga numri i mjekëve të specializuar në psikiatri, ku sipas të dhënave të INSTAT në të gjithë Shqipërinë ka vetëm 25 të tillë. Nga ana tjetër një anketë e kryer nga INSTAT gjeti se 60-70% e të rriturve në Shqipëri kanë përjetuar sëmundjen e depresionit, një gjendje komplekse mendore dhe emocionale, e lidhur zakonisht me të qenët i trishtuar, humor të keq që ndikon negativisht tek produktiviteti mendor dhe lëvizjet. Edhe sipas mjekëve psikiatër trendi i pacientëve që kërkojnë ndihmë të specializuar nga mjekët psikiatër ka qenë në rritje.
Sipas të dhënave nga INSTAT të publikuara në Treguesit e Shëndetit Publik, numri i shtretërve në shërbimin spitalor të specializuar për shëndetin mendor është 635. Ndërkohë në këtë shërbim spitalor të specializuar operojnë 25 mjek psikiatër.
Pas Shqipërisë, Turqia renditet e dyta në Europë për nga numri i ulët i mjekëve psikiatër. Sipas përllogaritjeve të Monitor, bazuar në të dhënat e Eurostat mbi numrin e mjekëve specializante dhe popullsinë e secilit shtet, në Turqi ka 5 mjekë psikiatër për 100 mijë banorë.
Renditjen e pason Bullgaria me 8 mjekë, Maqedonia e Veriut dhe Polonia me 9, Malta dhe Spanja me 10.
Numri më i lartë i mjekëve psikiatër vihet re në vendet me mirëqenie të lartë. Kështu rekordin për numrin më të lartë të tyre e mban Zvicra, ku sipas përllogaritjeve ka 51 mjekë psikiatër për 100 mijë banorë, pasuar nga Lihtenshtajn me 35 mjekë, Gjermania me 27, Islanda me 26.
Edhe në vendet nordike numri i mjekëve psikiatër është i lartë, krahasuar me pjesën tjetër të Europës. Në Norvegji dhe Finlandë përllogariten 24 të tillë, ndërsa në Suedi 23.
Rritet kërkesa për medikamente qetësuese
Një tregues i depresionit është dhe rritja e konsumit të barnave qetësuese në vend. Sipas të dhënave konfidenciale nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të siguruara më herët nga Monitor, importet e Loram-it, Xanax-it dhe Citolex-it janë rritur ndjeshëm tre vitet e fundit. Për vitin 2016, ato janë 6-17% më të larta sipas llojit të medikamentit. Më 2016, u zhdoganuan 195,137 pako Loram (2.5 miligramë) nga 167,000 më 2015, me një rritje vjetore 18%. Me ritme dyshifrore (11%) janë rritur edhe importet e Xanax-it dhe rritje 6% edhe ato të Ciltolex-it. Burimet në dogana pohojnë se ritmet e rritjes së importeve të këtyre medikamenteve kanë qenë të larta në dy vitet paraardhëse.