Kreu i Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani kanë nënshkruar sot marrëveshjen e bashkëpunimit.
Pas marrëveshjes Kurti dhe Osmani kanë dalë në konferencë të përbashkët. Në këtë konferencë Kurti dhe Osmani kanë bërë të ditur se do të garojnë në listë të përbashkët.
“Ne do të garojmë bashkë që do të fitojmë bashkë, për shkak se janë referendum. Që nga 29 nëntori i zgjedhjeve lokale në Podujevë, Llap, Besianë në Kosovë nuk ka më zgjedhje sepse ka referendum, edhe me 14 shkurt nuk është më situate e vjetër”, ka thënë Kurti.
“Ne kemi mjaftueshëm përfaqësues për të arritur fitore, por lista dorëzohet më 16 janar. Marrëveshja është në mes LVV dhe listës që udhëheqë unë”, deklaroi ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani ka thënë se kjo listë do të frymojë ndryshe.
“Ne jemi të vendosur për të luftuar kundër krimit të organizuar e korrupsionit. jemi të vendosur për të mbrojtur kushtetutën e vendit. Jemi të vendosur për një Kosovë që secili mund të sigurojë një jetë të dinjitetshme. Kosova ka nevojë për një kryeministër që nuk do t’i mbyllë sytë përballë padrejtësive”, ka thënë ajo.
Osmani ka shtuar se do të punojnë bashkë në frymën e Skënderbeut, Rugovës e Adem Jasharit. “Jemi një muaj larg zgjedhjeve dhe kjo që arritëm sot reflekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ajo.
Albin Kurti kandidat për kryeministër
Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka konfirmuar se ai do të jetë kandidat për kryeministër.
“Sot kur na ndajnë një muaj nga zgjedhjet jemi të gëzuar që të ju njoftojmë që do të garojmë bashkë në një listë. Osmani dhe mua do të na gjeni në të njëjtin vend dhe me të njëjtin qëllim. Kemi bërë marrëveshjen e synimeve për një shtet me drejtësi dhe pa korrupsion. Për një shoqëri me shëndet e arsim. Në fushatën zgjedhore do të jemi bashkë. Të shtunën e 6 janarit e dorëzojmë listën e kandidatëve”, ka thënë Kurti në një konferencë të përbashkët me Osmanin.
Madje, gjatë konferencës për shtyp, Vjosa Osmani i është drejtuar Kurtit “zoti kryeministër”, duke konfirmuar kështu epitetin që me shumë mundësi kreu i Vetëvendosjes do ta gëzojë zyrtarisht pas 14 shkurtit.
Vjosa Osmani kandidate për presidente
Marrëveshja e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit ka si pikë të veçantë edhe çështjen e presidentit. Kjo është konfirmuar në një konferencë të përbashkët që kanë mbajtur Osmani dhe Kurti nga holli i Kuvendit.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Osmani tha se do të jetë ajo që kërkon të rilegjitimohet posti i presidentit.
“Do të jem unë personi që do ta kërkoj këtë ri legjitimim, sepse presidenti i vendit përfaqëson unitetin e popullit. Një presidente që ka legjitimitet më së miri e përfaqëson këtë. Do të garojmë pikërisht si thoni ju”, tha ajo.