Albin Kurti që pritet të marrë drejtimin e qeverisë së Kosovës sapo të çertifikohet rezultati thotë se ka marrë shumë urime gjatë këtyre dy javëve. Në një postim në facebook, ai bëri publike letrat, ku shihet se e ka uruar kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe jo ai i Shqipërisë Edi Rama.
Albin Kurti në facebook:
Gjatë dy javëve të fundit pranova shumë telefonata, mesazhe e letra urimi për rezultatin dhe suksesin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet e 6 tetorit. Nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, z. Zoran Zaev, Kryetari i Kryesisë së Bosnjë dhe Hercegovinës, z. Željko Komšić, Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genc Nimanbegu, ish-Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesić, e shumë të tjerë.
Me bashkëpunim të ngushtë me partnerët fqinjë e miq tonë, do të jemi një hap përpara zhvillimit e integrimit tonë. U jam mirënjohës të gjithëve për urimet, përgëzimet dhe gatishmërinë e shprehur për mbështetje.
***
Albin Kurti ka shpjeguar dy javë më parë në emisionin “Opinion” se pse janë ftohur marrëdhëniet e tij me Ramën.
Fevziu: Si janë raportet tuaja me Kryeministrin e Shqipërisë?
Albin Kurti: Raportet i kemi pasur shumë të mira, tash nuk mund të them se i kemi shumë të mira, por unë dua t’i përmirësoj ato për shkak se ne nuk jemi persona të veçantë, por krerë shtetesh.
Fevziu: Pse u prishët me Edi Ramën?
Albin Kurti: Besoj se kjo ka ardhur si rezultat i afërsisë së tepruar të Kryeministrit me Presidentin e Kosovës, në një kohë kur në Kosovë u zhvillua protesta më e madhe në Kosovën e pasluftës pikërisht kundër Presidentit. Ishte protesta e 29 Shtatorit të vitit të kaluar, me parullën “një popull nuk i nënshtrohet një njeriu”. Ai më pas mbështeti presidentin e Kosovës.
Fevziu: Keni pasur bisedime private për këtë çështje me Ramën?
Albin Kurti: Jam takuar me të në Dhërmi, në rezidencën qeveritare, kemi diskutuar për shumë gjëra, për aq shumë gjëra jemi pajtuar, sepse jemi bashkë në forumet ndërkombëtare të partive simotra. Por për këtë gjë për mua ka mbetur pak enigmatike se si bëhet që ai nuk shkëputet dot prej aventurës së Presidentit, prej akrobacionit të tij të rrezikshëm për shkëmbim territorial.
Fevziu: A ka ardhur ftohja juaj për shkak të interferimit tuaj në politikën shqiptare? Nga zërat për krijimin e LVV në Shqipëri.
Albin Kurti: Nuk ka të bëjë me atë, jo fare nuk ka të bëjë me atë.
Fevziu: Do të takoheni shpejt me Ramën?
Albin Kurti: Po.