Kryeministri Albin Kurti ka treguar në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama se, sonte do të takojë në burgun e Hagës të burgosurit Hashim Thaç, Kadri Veseli, etj.
“Deklaratat, përshtypjet, intrigat, komentet, për besë janë të pakrahasueshme me ato që po bëjmë me këto mbledhjet e përbashkëta. Është më e udhës të takoj avokatët e ish-ushtarëve të UÇK, sepse ka kaluar një vit e gjysmë prej se mbahen në paraburgim, ndërkaq kryetari i Kuvendit i ka takuar, ndërsa unë jo. Këtë do ta bëj sonte”, u shpreh Kurti.
Ndërkohë që Rama u shpreh se, ”ne jemi duke përgatitur një rezolutë për Kuvendin e Shqipërisë dhe do të shkoj personalisht në Strasburg, në rastin më të parë shpresoj në shtator, për t’iu drejtuar Këshillit të Evropës për një fakt, që bëhet gjithnjë e më shqetësues, që është pabazueshmëria totale e raportit Dick Martin, si dhe influenca ruse mbi këtë përrallë të një shtëpie të verdhë dhe trafikut të organeve. Duke pasur parasysh që akuza e trafikut të organeve është e përsëritur nga ana e influencës ruse, si dhe duke pasur parasysh se në aktakuzën ndaj Thaçit, Veselit Krasniti, Selimit, nuk ka as edhe një fakt të lidhur me Dik Martin dhe raportin e tij, që ishte shkau pse u mor gjithë rruga për të shkuar te Gjykata Speciale. Për këtë dikush duhet të hapë veshët, të dëgjojë. Bota këtë duhet ta dëgjojë, sponsorët e atij tribunali duhet të dëgjojnë. Nuk ka asnjë gjë në atë aktakuzë, zero. Kemi gjithë të drejtën të besojmë që këtu janë duar aspak dashamirëse me Kosovën, aspak dashamirëse me shqiptarët, që e kanë nxitur këtë raport”.
Kujtojmë se kryeministri Rama ndodhet sot në Prishtinë, ku po mbahet mbledhja e radhës mes dy qeverive.