Sot në Bruksel u zhvillua takimi i parë i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, në vijim të dialogut Kosovë-Serbi dhe për arritjen e marrëveshjes mes dy vendeve.
Mirëpo, që në nisje, takimi ka rezultuar i tensionuar. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është drejtuar direkt presidentit serb me fjalët: “Kam ardhur të më thuash kur do ta njohësh Kosovën?“.
Përgjigjja e Vuçiçit ka qenë: “Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën”! Pas këtij momenti palët janë përfshirë në debate dhe replikat nuk kanë munguar nga të dy delegacionet, në prani të negociatorëve të BE, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.
Takimi i sotëm u mbyll pa rezultat. Ndërkohë që dy negociatorët Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak njoftuan se takimi i radhës mes Prishtinës dhe Beogradit do të zhvillohet në fund të muajit korrik, në Bruksel.
Albin Kurti: Serbët erdhën me projekte të vjetra, 4 propozimet tona
Pas përfundimit të takimit, kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti u shpreh se pala serbe erdhi në këtë takim me projekte të vjetra, ndërkohë që pala kosovare bëri 4 propozime të reja, mes të cilave ishte dhe nënshkrimi i një deklarate se dy vendet nuk do ta sulmojnë njëri-tjetrin.
Albin Kurti gjithashtu shtoi se një ndër problematikat që nuk mund të anashkalohet është çështja e të pagjeturve, për të cilët ai tha se shumë zyrtarë aktualë në qeverinë serbe kanë informacione për varreza masive.
“Sot u zhvillua takimi i parë. Isha bashkë me zëvendësin Besim Bislimi që është përgjegjës për integrimin. Kjo u bë me ndërmjetësimin e zotërinjve Borrell dhe Lajçak. Takimi ishte konstruktiv. Ne do të marrim pjesë në këtë proces. Në një kohë që pala tjetër fliste për projekte të vjetra, ne dhamë 4 propozime të reja. Propozimi i parë ishte që të avancojmë marrëveshjen Cefta në marrëveshje Sefta. Propozimi i dytë ishte që një ditë pas samitit të NATO-s, Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë një deklaratë të paqes, ku zotohemi si shtete që nuk do ta sulmojmë njëri-tjetrin.
Dhe në këtë mënyrë kontribuojmë në paqen dhe sigurinë në rajon. Propozimi ynë tjetër ishte që te çështja e të pagjeturve duhet të largohet nga delegacioni serb Velko Dallevic dhe Zoran Allenkoviç. Propozimi ynë i katërt është për sa i përket pakicave që të zbatohet reciprociteti bilateral. Tri propozimet tona të fundit u refuzuan, ndërsa për Sefta nuk dhanë përgjigje. Takimi i radhës do të jetë përpara datës 25 korrik. Jemi të gatshëm për proces, por nuk ka dakordësi për sa i përket agjendës së takimit të ardhshëm. Nëse ka një gjë që nuk pret është çështja e të pagjeturve. Koha nuk mund t’i zbusë plagët për të zhdukurit me dhunë. Fatkeqësisht njerëzit e asaj kohe mbajnë ende pozita të larta zgjedhore”, tha Kurti.
Gjithashtu, kreu i qeverisë së Kosovës shprehu gatishmërinë për të vijuar dialogun deri në arritjen e njohjes së ndërsjellë mes dy vendeve, gjë që është kërkuar dhe nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
“Nuk jam pesimist, po i trajtojmë gjërat në thelbin e tyre. Presidenti Biden ka kërkuar njohje të ndërsjellë. Në këtë takim u ruajt distanca fizike dhe mund të them që për bindjen time nuk kishte befasi. Unë prezantoj interesat e Kosovës dhe përpiqem që procesi të ketë parime. Nuk mund të pyesim shqiptarët për varrezat masive, kur ka shumë serbë që i dinë këto informacione. Këta persona që kanë pushtet në atë kohë të hiqen nga pozitat që kanë në Serbi dhe të merren në pyetje për këto çështje. Kosova dhe Serbia nuk mund të integrohen në BE pa njohje. Sa më shpejt të realizohet kjo gjë, aq më mirë. Do të ishte mirë që kjo marrëveshje të arrihej brenda mandatit të Biden dhe Borrell. Kemi nisur përgatitjet e para për padinë për gjenocid ndaj Serbisë, mirëpo kur e përmendim këtë gjë iu bëjmë thirrje dhe institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve që ta ndihmojnë. Ka punë kjo padi. Meqë ka ndodhur gjenocidi duhet dokumentuar”, përfundoi Kurti.
Aleksandar Vuçiç: S’më ka ndodhur kurrë një takim i tillë
Por për presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, ishte pala shqiptare ajo që ka provokuar gjatë gjithë takimit, ndërsa shtoi se Prishtina nuk kishte shkuar për zgjidhje në atë tryezë.
“Ai (Albin Kurti) erdhi duke mos u pajtuar për asgjë. Erdhi e më pyeti se kur do ta njohim Kosovën. I kam thënë kurrë. Aty shpërthyeu. Nuk më ka ndodhur asnjëherë një takim i tillë”, ka thënë Vuçiç pas takimit.
***
Negociatorët: Takimi i radhës në fund të korrikut
Kryediplomati Josep Borrell dhe emisari për dialogun, Miroslav Lajçak, thanë se gjëja e vetme ku palët gjetën dakordësi ishte takimi i radhës në fund të korrikut. Dy negociatorët pranuan se takimi i sotëm ishte i vështrisë, teksa të dyja palët në tryezë janë përfshirë nga debatet.
“Nuk ishte takim i lehtë por rëndësi ka që ndodhi. Dy liderët patën një debat të hapur e të çiltër për atë se çfarë kërkojnë nga dialogu. U konfirmua se nuk ka zgjidhje tjetër normalizim të raporteve Kosovë-Serbi, përmes dialogut. BE-ja dhe qytetarët e Kosovës dhe Serbisë kanë pritshmëri të larta prej dy liderëve që ta kapërcejnë të shkuarën dhe t’i prijnë vendet e tyre nga e ardhmja e përbashkët europiane,” tha Lajçak.
Përpara tryezës së përbashkët, Kurti dhe Vuçiç u ulën ndaras me dy diplomatët europianë. Në Bruksel ata morën mesazhin se dialogu është i nevojshëm për të dy popujt dhe për rajonin e gjerë, e prej tij kushtëzohet e ardhmja europiane e të dyja vendeve.
Presidenti Vuçiç tha se do i dërgojë homologut amerikan, Joe Biden, dhe krerëve të fuqive perëndimore, një raport të drejtë e të saktë mbi dialogun që të dinë se kush po e pengon.
LEXO EDHE:
Vuçiç: Kurtit i thash s’do ta njohim kurrë Kosovën, ai shpërtheu