Ish-deputeti i PD, Aldo Bumçi, shprehet se opozita pret që ditën e hënë të marrë një ofertë zgjidhje nga mazhoranca për t’i dhënë fund krizës politike. Dita e sotme, tha Bumçi, me votime si në kohën e diktaturës, është një ditë e turpshme për vendin. Ish-ligjvënësi demokrat sjell në vëmendje edhe porositë e ndërkombëtarëve për opozitën që të shmangen incidentet dhe aktet e dhunës gjatë votimeve.
“Ne nuk duam që të ketë përplasje civile, as dëmin më të vogël, por vendi ka nevojë për zgjedhje. Ne shpresojmë që menjëherë pas këtij procesi të turpshëm, çdo shqiptar duhet t’i bëjë pyetjen vetes çfarë bëmë dhe çfarë nuk bëmë që vendi erdhi në këtë pikë turpi, një njeri si Edi Rama e shkatërroi këtë vend. Kur shkatërrohet mekanizmi i zgjedhjeve mos prisni të ketë rritje ekonomike, nuk do të ketë të ardhme.
Dhe me krimin e organizuar në Policinë e Shtetit ky njeri ka shkatërruar zgjedhjet. Opozita është në këmbë. Vendet partnere janë të shqetësuara, i janë bërë thirrje PD-së që të mos shkaktojë incidente. Por nesër duhet të vijë zgjidhja, dhe Edi Rama duhet të largohet.
Ne do të protestojmë siç kemi protestuar. Ne shpresojmë që zgjidhja të vijë sa më shpejt, afatgjatë dhe jetë mishërim i një sërë problemesh të këtij vendi”, u shpreh Bumçi duke shtuar se “në mungesë të zgjidhjes nga mazhoranca, opozita do vijojë protestat ku nuk do përjashtohen as incidentet në ditët në vijim”.