AMT kërkon hetimin e tyre për korrupsion e shpërdorim detyre si edhe vendosjen e sekuestros preventive për truallin e transferuar në favor të Bashkisë Tiranë.
Kryeministri Edi Rama, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, nënkryetari i tij Arbjan Mazniku, Milva Ekonomi, kryetare e Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave dhe anëtarët e tjerë të këtij komisioni janë pjesë e një padie të re që Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka dorëzuar në SPAK këto ditë.
Objekt i padisë është vendimi i datës 13 nëntor 2020 të Komisionit të Ekonomisë dhe Financat, për miratimin e kërkesës së Bashkisë Tiranë, për huan në shumën 36 milionë Euro (4.4 miliardë lekë) nga Buxheti i parashikuar për vitin 2021, për fillimin e ndërtimit të Teatrit të Ri.
Pas ndërmarrjes së këtij akti zyrtar nga piramida e lartë qeverisëse AMT kërkon që të fillojë ndjekja penale për personat e kallëzuar për kryerjen e disa veprave penale.
Parashtrimi i padisë
“Ne kallëzuesit si pjesë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, duke vijuar të besojmë se Reforma në Drejtësi do të funksionojë dhe do japë frytet e veta, duke na treguar dhe dëshmuar se “Ligji është i barabartë për të gjithë”, vijmë sot përpara Jush, në vijim të kallëzimeve të bëra që nga data 31.12.2019, me një kallëzim të ri, nisur nga vendimi i marrë nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financat, në favor të Bashkisë Tiranë, për huan në shumën 36 milionë Euro (4.4 miliardë lekë), nga Buxheti i parashikuar për vitin 2021, bazuar në kërkesën e kësaj të fundit, për fillimin e punimeve për ndërtimin e Teatrit të Ri.
Pas kërkesës së Bashkisë Tiranë më datë 10.11.2020, Bashkia Tiranë i është drejtuar me një kërkesë Komisionit të Ekonomisë dhe Financat pranë Kuvendit të Shqipërisë me objekt: Financimin e plotë nga Buxheti i parashikuar për vitin e ardhshëm prej 36 milion Euro (në mënyrë të paqartë shohim një rritje me + 6 milion Euro nga shuma e planifikuar në Ligjin Special 37/2018 dhe VKM Nr.352/2019), për ndërtimin e Teatrit të Ri, duke siguruar qeverinë shqiptare për kthimin e kësaj shume, sapo të sigurojë financimin nga institucionet financiare ndërkombëtare.
Përveç se kjo iniciative është një vepër e pastër korruptive dhe brenda saj ka shumë elemente të veprave të ndryshme penale, ajo bie ndesh me Kushtetutën dhe frymën e ligjit të buxhetit. Të gjithë hapat tanë ligjorë të cituar më sipër, ia kemi përcjellë edhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta, ku i kemi kërkuar: “Ushtrimin e ndikimit brenda kompetencave kushtetuese, mbi Kontrollin e Lartë të Shtetit, në lidhje me dy kërkesat e bëra nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, për auditim në Bashkinë Tiranë nga ky Institucion”.
Padia
Kërkohet “Regjistrimi dhe fillimi i procedimit penal ndaj personave të kallëzuar prej nesh, Edi Rama me cilësinë e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Erion Veliaj me cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Sandër Lleshaj me funksion Ministër i Brendshëm, Ardi Veliu me funksion Drejtor i Policisë së Shtetit, Arbjan Mazniku me cilësinë e Nënkryetarit të Bashkisë Tiranë, Toni Gogu me cilësinë e Kryetarit të Këshillit Bashkiak Tiranë, Alban Dokushi, Taulant Tusha, Erindi Bejko, Jonida Halili, Julinda Dhame, Ditjon Baboci, Dhimitraq Furxhi, Frida Pashako, Berta Piro, Laura Deliu, Elena Jaupaj, Jetmir Hasa, me cilësinë e nëpunësve civilë pranë Bashkisë Tiranë, Dallëndyshe Bici, Kryeinspektor i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak që kanë votuar dhe firmosur për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental.
Urdhërimin e vendosjes së sekuestros preventive për truallin e transferuar në favor të Bashkisë Tiranë me anë të VKM-së Nr.377 datë 8.5.2020 “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë Nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”.
Firmërtarë të kësaj padie janë: Edmond Budina, Adriana Tolka, Neritan Liçaj, Mehdi Malka, Julinda Emiri, Robert Budina, Gentiana Maçi, Astrit Seranaj, Adriana Kalaja, Saimir Dervishi, Fran Ndoj, Gentjan Hasani, Aleksandër Gjonaj, Pranvera Skuqi, Syrja Xhani, Fatos Paçrami, Bashkim Bejleri dhe Liljana Xhabafti.