Emri i ri i Presidentit është ende në diskutim, mes maxhorancës dhe opozitës. E ndërsa pas bisedimeve të deritanishme mungon një emër nga PD-ja zyrtare dhe PS-ja, kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu, në cilësinë e kreut të Aleancës për Ndryshim, ka zbuluar emrin e parë që propozon një pjesë e opozitës për Presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë.
Mediu duke folur në Top Tolk tha se ka diskutuar me kreun e PAA Agron Duka, ku kanë shprehur emrin e Dashamir Shehit si personin e duhur për të ardhur në krye të shtetit.
“Racionalja do kërkonte një kandidat të përbashkët. Ne si opozitë duhet të jemi të afruar për të krijuar mes veten marrëdhënie konsensuale pastaj ta ndërtojmë me palën tjetër. Ne kemi filluar të diskutojmë edhe për emrat. Unë kam diskutuar e me Agron Dukën dhe kemi propozuar emrin e mikut tonë Dashamir Shehi. Ka një histori politike por thamë edhe një herë që duhet konsensus i përbashkët”, tha Mediu.
Megjithatë, besohet se propozimi do të merret në konsideratë nga maxhoranca vetëm nëse do të vijë nga grupimi i deputetëve të opozitës që drejton Enkelejd Alibeaj. Në të kundërt, pas raundit të tretë maxhoranca do të zgjedhë një president, me pëlqimin dhe votat e saj. /Liberale.al/