Gazetari Aleksandër Furxhi në një rrëfim mbi karrierën e tij, vështirësitë, pasioni dhe misioni të gërshetuara në sfidat e medias sonë. Si u bë Furxhi “zëri” i mediave më të njohura të huaja dhe 18 vitet në BBC shqip. Kalimi nga gazetar në drejtues emisioni dhe së fundmi një rol “ndryshe” si prezantues lajmesh.
Nëse gazetaria e tij do të matej me kohë, do të duheshin dekada. Për të gjetur periudhën që Aleksandër Furxhi nisi profesionin, që me kalimin e kohës u kthye në “mision”, i përket atij brezi që ka njohur nga brenda gazetarinë e censurës në periudhën komuniste, e miksuar me një lloj liberalizmi që ndihej në erë, por ende larg të të shprehurit lirshëm. Vitet ‘90 e gjetën në rrëmujën tonë mes lirisë së “shfrenuar” të shprehjes, (si pasojë edhe e mungesës së lirisë 45-vjeçare), por disa media të huaja e përzgjodhën të ishte Furxhi zëri i lajmeve që vinin nga Shqipëria. Mediat italiane interesoheshin për çdo zhvillim që vinte nga Shqipëria, pasi ishin fqinjët tanë përtej detit që njohën një nga eksodet më të mëdha të shekullit me mijëra shqiptarë që emigruan. Pas tri dekadash punë si gazetar, Furxhi nuk ka si të mos përmendë punën në 18 vite si reporter dhe më pas editor i BBC shqip. Vetë emri i kësaj logo të madhe të medias botërore ishte shumë, ndaj është nga ata gazetarë që la shenjë, qoftë edhe në modesti, pa shkuar drejt komercializmit të shpejtë, apo të rendjes për të siguruar “poltronin e analistit”. Krahas profesionit dhe ndjesisë personale, Furxhi bën një analizë të medias shqiptare, për të arritur deri në ditët e sotme, ku ngjan se “raca e gazetarit” është në “zhdukje”, por mënyra për të qenë pjesë e tregut të lë mundësi në përshtatje me kohën. Portalet, e ashtuquajtura gazetari me një burim, edhe ai i pakonfirmuar, apo tentative për të bërë “gjithë publikun gazetar”, ngjan sikur po i humbet vlerën reporterit të vërtetë, por edhe në këtë kakofoni të madhe informacioni dora e gazetarit vështirë të fshihet. Për shumë vite Furxhi është drejtues i emisioneve të aktualitetit, ku politika dhunshëm të zë hapësirën, por kohët e fundit po provon si prezantues i lajmeve të “Vizion Plus”. Një “eksperiment” që edhe pse e lë ende në pritje të reagimit të publikut, mund të quhet i fituar nga karriera, metoda e punës dhe profesionalizmi.
Kur e keni nisur karrierën tuaj në gazetari? Ishte një pasion apo gërshetim i pasionit me ‘misionin’, duke iu përshtatur kohës, ku etja për të marrë informacione nga qytetarët ishte mjaft e madhe në vitet ‘90?
Në vitin 1988, në vitin e fundit të studimeve, fillova të bashkëpunoj pranë Radio Tirana, seksioni i programeve për bashkatdhetarët. Në atë kohë ishte një “ëndërr” të punoje në zemër të të vetmit ent radio-tv që ekzistonte. Viti 1990 erdhi shumë shpejt dhe po ashtu hapja e vendit për misionet e para të gazetarëve të shtypit të shkruar dhe trupave perëndimore të radiove dhe televizioneve. Kontaktet me gazetarët e huaj them se shënuan “fatin” për të mbetur në botën e medias. Në atë kohë çdo reporter i huaj dukej “perëndi”, por sigurisht mes tyre ka patur vërtet edhe gazetarë “race”. Këta të fundit besoj kanë lenë gjurmë tek unë dhe tek ata pak kolegë të tjerë që ngjashëm u përfshinë në media duke ndjekur modelin e “dallëndysheve te gazetarisë” që vërshuan nga Perëndimi në Shqipëri sidomos aty nga viti 1991.
Keni qenë reporter për ‘marka’ të rëndësishëm të mediave të huaja. Ku ndryshon gazetaria shqiptare me atë perëndimore. I japin rëndësi raportimit dhe sa më shumë fakteve, apo edhe komentit?
Kam filluar si reporter/korrespondent i stacionit shtetëror të radio RAI, kanali GR2, valët e të cilit kapeshin në Shqipëri, po aq lehtë sa edhe ato të televizionit shtetëror italian. Eksodet e shkurtit dhe gushtit 1991, i kam ndjekur me raportime të shpeshta me zë përmes telefonit, për audiencën në Itali. Mbeten të pashlyera për mua raportimet nga aeroporti i Rinasit kur çdo 20 minuta ulej një avion i flotës ushtarake italiane me bashkatdhetarët që Italia i ktheu forcërisht. Ishin kontingjentet e shqiptarëve irriducibili, të pathyeshmit e stadiumit të Barit, siç morën nofkën nga shtypi në Itali i atyre ditëve. Më pas fati e desh që të hapej BBC në shqip. Një shkollë e vërtetë, një fat i madh për të gjithë ne që punuam për ikonën e gazetarisë botërore. 18 vjet punë fillimisht si reporter e më pas edhe editor i BBC në shqip për zyrën e Shqipërisë, është periudha që më ka “damkosur”. Ndër vite kam bashkëpunuar edhe me disa radio dhe tv franceze.
Nga distanca e viteve dhe e 30 viteve në profesion gjykoj se jo e gjithë gazetaria perëndimore mund të futet ne një kallëp. Ka edhe në Itali, France e Britani jo pak shembuj të pavlerë. Puna është që këta, ndryshe nga ç’ndodh mes nesh, nuk janë shumica. Përmbledhtazi mund të them se në median serioze dhe me emër të Perëndimit ka disa rregulla të qartë dhe të thjeshtë: nuk ngatërrohet lajmi me komentin, nuk harrohet të hapen thonjëzat kur bëhet një citim dhe nuk përvetësohet puna e tjetrit si pa të keq. Për fat të keq këto rregulla te ne i respekton vetëm një pakicë që është maturuar sipas modelit perëndimor.
Si do i rendisni periudhat e medias shqiptare, pasi duket se ka patur tri etapa; të një gazetarie pasioni që sapo kishte fituar lirinë, ku viheshin në pah emra gazetarësh (kryesisht në median e shkruar në vitet ‘90); gazetarinë si biznes, (pronarët e mëdhenj u munduan të krijojnë korporata në vitet 2000); dhe gazetarinë komerciale me influencën televizive, e tashmë e gërshetuar edhe me gazetarinë e portaleve?
Është tashmë e gjithëpranuar se gazetaria e viteve ’90 kishte si motor pasionin dhe idealin për të bërë gazetari të mirëfilltë. Besoj se atëherë kur merrje një “bravo, të lumtë!” ishte një kënaqësi e madhe, ishte realisht përmbushje e misionit, të paktën kështu e kuptonim dhe kështu e ndjenim. Nuk ishte gara për para’ që dominonte profesionin, por gara për profesionalizëm, për të treguar ndershmërisht të vërtetën. Më pas do të vinte edhe gara se kush godiste më bukur me koment dhe analizë. Gazetaria si biznes mendoj se nuk ka ndonjë gjë origjinale shqiptare dhe as nuk është shpikur këtu te ne. Biznesi është në të drejtën e tij për aq kohë sa respekton rregullat dhe iu lë rrugën e lirë parimeve të shenjta të gazetarisë. Kur nuk ndodh kështu, s’do mend që është kobure, është gjobë, gjithçka tjetër veç gazetari jo. Sot përjetojmë vërshimin e portaleve, mishmashin e gjysma të vërtetave, sindromin e fake news. Me sa duket profesioni i vërtetë është i pushtuar, i pafuqishëm të përballojë ata që Umberto Eco i ka quajtur “hordhitë e njerëzve pa mend në kokë” që janë te kudondodhur e kurdondodhur në mediat sociale. Është një sindrom global, nuk besoj se shërimi do të nisë ndonjë ditë nga ne këtu, në “fshatin” tonë mediatik.
Nga ana profesionale të medias sonë a ka përmirësime krahasuar me vite më parë, apo gazetaria po shkon drejt asaj që konsiderohet “vetëm një burim” me lajmin e shpejtë që kalon në portal?
Fatmirësisht reziston, edhe pse me vështirësi, edhe gazetaria e mirë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ka përjashtime, ka shembuj të admirueshëm, ndonëse fare të pakët. Brenga e madhe është se këta shembuj janë pakicë e papërfillshme numerikisht krahasuar me llumin që përmbyt sytë dhe veshët e audiencave. Si mund të jetë ndryshe kur në një popullsi me më pak se 3 milionë banorë ka disa qindra të vetëquajtur portale apo blogs? Po ata që shkruajnë në to, a mund të quhen vallë të gjithë gazetarë?
Keni patur emisionet tuaja të përqendruar kryesisht në debatin politik në vend. Si është kapërcimi nga gazetar në drejtues emisioni?
Po të mos kishte qenë përvoja e BBC dhe sidomos projekti AUDITORIUM, debatet televizive të viteve 2000 si një bashkëpunim i BBC me Top Channel dhe RTK në Kosovë, nuk jam i sigurt nëse do ta kisha marrë përsipër drejtimin e emisioneve në TV.
Tashmë kohët e fundit jeni angazhuar edhe si folës lajmesh. Si ju duket si eksperiencë dhe përse ky kapërcim?
E keni fjalën për paraqitjen e lajmeve të mbrëmjes në Vizion Plus. Me ekipin editorial besojmë se paraqitja e lajmeve nga një gazetar i mirëfilltë do të ishte një vlerë e shtuar, një “bonus” për publikun. Është vetëm fillimi i eksperimentit, do na duhet ndoshta ca kohë të marrim opinionin e publikut, nëse kemi goditur në shenjë apo jo. Në Perëndim kjo që po bëjmë është një praktikë e njohur, gazetarët edhe raportojnë, edhe editojnë lajme, edhe i paraqesin.
Në gazetari duket sikur suksesi në profesion nuk shkon paralel me atë familjar. A është e vështirë për të gjetur atë të “mesme të artë”, për t’u përkushtuar si në profesion ashtu edhe në jetën familjare dhe shoqërore?
Meqenëse thoni “duket”, pajtohem. Nuk besoj se njëra pengon tjetrën. Ka plot profesione të tjera që ta bëjnë ku e ku më të vështirë jetën.
Ku e shihni veten pas 5 apo 10 vitesh. A mund të ndodhë që të ketë momente për t’i thënë “Jo” të fortë një profesioni për shkak të lodhjes?
Një nga ish-shefat e parë që kam patur dikur para 20 vitesh, një britanik fantastik, e la mënjanë gazetarinë për t’iu përkushtuar sportit. Është një shembull që dikur më pati çuditur disi, por sot e kuptoj shumë mirë. Nuk më vjen të them që o gazetar o rashë e vdiqa. Por gazetari dhe sport njëkohësisht them se do ishte një bashkëjetesë ideale.