fbpx

Mapo Letrare

Mendimtari dhe liriku





               Publikuar në : 13:48 - 05/05/19 |
Ali Aliu

(Sabri Hamiti: “Kukuta e Sokratit”, 2019)


Sabri Hamiti është shkrimtar me peshë të veçantë në letërsinë tonë kombëtare. Poet majash, në radhë të parë, studiues dhe historian i letërsisë shqipe, prozator dhe dramaturg. Para se të them disa fjalë për librin poetik më të ri të autorit, dëshiroj të theksoj disa veçori të poezisë së tij, që nga fillimi i saj, që shtrihet thuajse brenda një gjysmë shekulli. Në natyrën e kësaj poezie, bosht bartës e i qëndrueshëm është refleksi i mendimit. Ai, para së gjithash vë në lëvizje shqetësimin, zgjon dhe grish emocionin, në shoqërim, në krah të natyrshëm të tij. Në poezinë e Sabriut, kështu, mendimtari dhe liriku përbëjnë sfondin e artikulimit artistik në harmoni të plotë. Natyra refleksive e shquar, e shtrirë në tërë opusin e tij krijues, poetik, eseist e studimor, edhe me këtë rast nxitet dhe mbështetet nga një thellësi mendimi. Në sfond ky zgjim mendimtar, konstant, shoqërohet nga një afeksion lirik që përsiatjen, filozofinë jetësore e artikulon artistikisht, pa përtypje logjike, duke qëndruar lart mbi perspektivat doktrinare. Në tërësinë e opusit poetik të tij, i pranishëm shfaqet edhe një vizion i hollë hapësinor metafizik, që e përplotëson, e begaton natyrën e veçorisë së parë. Shtrihet në varg, në fjalë, në figurë poetike duke lëvizur me lehtësi brenda këtij ambienti, familjarizohet natyrshëm me këtë zonë kalimtare me elegancë estetike të përkryer.



E veçanta e parë, më kryesorja do të thosha, e kësaj natyre krijuese, lidhet me hapjen e brendshme, gjithnjë në frymën se poezia lind nga nevoja për ta rrëfyer shpirtin. Për ata që e njohin shkrimtarin Sabri Hamiti nga afër, me të cilin kanë ecur një jetë të tërë, ku mund të përfshihem edhe unë, atë, të vërtetin, me dyer të hapura tejepërtej e gjejnë vetëm në poezi. E tërë fuqia krijuese, brenda vetmisë së madhe, çfarë rrezaton sovrane në librin më të ri “Kukuta e Sokratit”, përqendrohet, jepet, dorëzohet para të qenit vetja, vetvetja e vërtetë, e plotë. Zëri i poetit, edhe me këtë rast, që është nevojë e tij e brendshme për të rrëfyer shqetësimet e shpirtit dhe reflekset mendore, vjen kombinim harmonik mes njërës dhe rrjedhës tjetër. Këtë qasje i ofron lexuesit libri në fjalë, këtë grishje i bën atij edhe zëri i poetit që tërthorazi edhe bashkëbisedon me të, në frymën e poetëve të mëdhenj, që e ftojnë dhe mirëpresin lexuesin. Tek poezia e Sabri Hamitit, që nga fillimet dhe sidomos tek libri më i ri, “Kukuta e Sokratit”, ky mëtim vjen nëntekst i fuqishëm. Lexuesi, përgjithësisht i pakët dhe i përzgjedhur në këtë lloj letrar, edhe me këtë rast, duke u identifikuar, përmes asociacioneve, me imagjinatën dhe shqetësimet e poetit, mund të jetë drejt dekodimit të zërit testamentar në vargjet e librit. Të ndihmuar nga njëri-tjetri, lexuesi dhe poeti, mund të ecin shtigjeve paralele gjatë së cilës lexuesi do të hasë sfida koduese, shenja e shenjëzime paralele të fshehta apo gjysmë të dukshme, zona dhe hapësira boshe të gatshme për t’u plotësuar, ngritje dhe zbritje emocioni.



Sabri Hamiti

Dhe në fund, shiriti jetësor, autokronikë shpirti dhe mendjeje, ku mbretërisë së fjalës i vijnë në ndihmë edhe arti i figurës pamore, arti i fotografisë, siç është rasti me librin ”Kukuta e Sokratit” ilustruar me vepra nga cikli i Daut Berishës si dhe të gjitha vëllimit nga krijimtaria letrare e Sabri Hamitit, që nga libri i parë poetik “Njeriu vdes i ri” (1972), hapen me nga një foto të tij, që sjellin faza të ndryshme të kaluara në jetë. Sytë, shikimi, tiparet e fotove në fjalë sjellin ngarkesë kohore të veçantë, shprehje dëshmi, gjurmë të një faze, të një kthese të rëndësishme të botës të poetit. Të gjitha këto rrjedha derdhen në vizionobjektivin e tij për të zbërthyer dhe dekoduar, për të lexuar sa më thellë botën e subjektit, për t’i thënë lexuesit, vetëm këtu, vetëm në artin tim letrar, krijues, ku përfshihen edhe detaje të një realiteti kolateral, në funksion të objektivit të parë të subjektit, mund të më gjeni të plotin, të vërtetin… Krahas të gjithë këtyre përbërësve të poetikës së Hamitit, shtylla bartëse, edhe në librin më të ri sidomos të saj, të poetikës janë: dhuntia për të shprehur refleksen dhe emocionin përmes imazhit figurativ me fuqi skenike, (Gruaja pas dere në gricje thonjsh, ose Kumria mbi varr, pranë luleverës së egër kulumbri, në kujtim të subjektit, titulli i poezisë “U”, formë e lashtë përvetore…); funksioni sugjestiv i eufonisë; efektet që dalin nga vënia përballë opozitete shprehëse; ritmin e balancuar dhe harmonik; nënshtresën me ndikim evokativ…

Kohën, atë qielloren, të veten dhe të etnisë, që e kërkon thellësive, Hamiti e gjen sa përreth, sa përftim viseve, hapësirave të truallit dhe të vatrës, pragut të shtëpisë së lindjes. Prishtinën ndërsa e jeton, e përjeton si projeksion shpirtëror personal, vizion real e ëndërror, në harmoni dhe paqe me veten, me të sotmen e të nesërmen, në harmoni me breza e brezni shpirtërorë; ne harmoni me qytetin ku mirësia shtrihet lagjeve përreth, rrjedhë përjetësie dhe përfisnikërimi. Poezitë “Prishtinë” dhe “Prishtina” janë dy krijime, latuar me mall përmasash madhore, me mall përjetësie. Poezia e parë, “Prishtinë”, ka shtresimet jetësore, autokronikë të ecur të poetit, përballjet dhe fërkimet e para, krenia e krenaria, kryeneçësia, ëndrrat, fluturimet, pëshpëritjet e muzgjeve, gjallëria përtëritëse e mëngjeseve, kujtimet e prindërve, buzëqeshja e mikes, fëmijët në oborr, janë stoli shpirtërore të qytetit, sepse, siç thotë poeti “Të gjitha udhët çojnë në Prishtinë”. E diela në Prishtinë, asht ditë e mallit, zë që jehon përmasash gjithëkohëshe. “Asht fat me u plakë në Prishtinë” dhe, “dekën me e pasë në Prishtinë…” për ta përmbyllur me vargun kurorë: “Të gjitha udhët nisen nga Prishtina”, në frymën e thënies të poetit dhe filozofit të madh Helderlin, se është fitimtar i madh ai që arrin ta kuptojë jetën dhe të mos vajtojë. Tek poezia e dytë “Prishtina”, qyteti shfaqet zgjua, gjallëri jete që gufon thellësive të embrionit, me rrënjë antike qiellore, ai ka magjinë e brendshme tërheqëse, përnjerëzimore; e tillë në rrugë e lagje e sheshe vërshuar gëzimi, lidhur dejsh jetikë mes vete, e ai, qyteti, merr në gjirin e vet banorë e natyrë bashkë.

Vargjet e frymës, e urtisë testamentare në librin “Kukuta e Sokratit” janë shtyllë bartëse, rrezatim i drejtpërdrejtë dhe diskret njëherësh i krejt veprës. Vargu ka edhe ngarkesë dhembjeje dhe mall, vetmi, por edhe vetëbesim në udhën e ecur dhe atë që ka përpara dhe, të gjitha ngasjet bashkë buzë një mëtimi, pse jo edhe një klithjeje qortuese, që gjithashtu del një nga shtresimet e librit. Dëshmi se poeti edhe në çaste dehjeje lirike, e ruan qetësinë, qartësinë, mprehtësinë e mendimit, çfarë i sjell përshfaqje estetike poezisë.

Në këtë hark frymëzimi ngjizen dhe realizohen vargjet e poezive “Hini”, “Hiri”, “Kukuta”,”Plaknia”(një dhe dy), “Akulli”, “Mjeshtri”, “Lamtumirë”, “Simfonia”, “Lutje”, “Me shkue”, “U”, një zjarr që bart tërë gjithësinë ne vete, në mendje dhe shpirt, njësh me burim jete, përjetësi. Jehon kjo thellësi olimpike, duke përfshirë hapësirat e kozmosit etnik, zë përftim drite, që gjallëron e vë në lëvizje të pashtershme mal-e-lumë e fushë-e-botë në një harmonikë të veçantë, në grishje të mallit madhor të poetit. Rruga e lënë pas, në jetëshkrimin lirik të poetit, vjen përmasash hapësinore kozmike, me qirinjtë e ndezur fanar përjetësie në gjirin e lindjes.

Sa më afër horizontit ngrysës, aq më tërheqëse, më magjike bëhet joshja e imazheve të ecura, të lëna pas, sidomos fëmijëria e thellë. Ngjyrimi emocional dhe reflektiv, malli dhe nostalgjia e hollë, diskrete, urtësia testamentare tek këto vargje, poezia estetikisht vjen e përkryer. Përsiatjet testamentare të zymta, dëshpëruese në çaste, janë në kërkim të kohës së ikur, në kërkim të fjalës me prirje për t’u tërhequr, për ta braktisur subjektin, fushëbetejën, dhe për t’u lënë vend e hapësirë dhembjes dhe vetmisë. Ngulmimi pikëllues për të dëshmuar të qenit, ekzistencën, me peshën e gurit në qafë, poetit i lë një mundësi, të drejtën për lamtumirë, që paradoksalisht vjen e brumosur pelin e shpëtim bashkë. Lamtumirë adresuar vetëvetes, shteg që vjen trazueshëm e domosdoshmërisht i natyrshëm, është jehonë kambane e përplasjes së brendshme që bën bashkë dhembje e mall, urti e përgjërim, amshim. Nga kjo bërthamë lëndore, nga kjo zonë dridhëse gatuhen vargjet e vetmisë, që rrezatojnë fuqishëm tek lloji i poezive “Akulli”, “Smfonia”, “Me shkue”, ku shtrirja e acartë e akullit shihet tek e parambërthen dhe e bën kallkan gjithësinë.

Secili nga të njëzetë vargjet e kësaj poezie, sjell një situatë të re, një imazh të ri, ku palët e kundërta përjashtohen e bëhen një, dritë-e-terr e prush-e-akull, ku vetmia gërryen e s’ka askush, askund e veç hiç që robëron, që nënshtron botën, e dhembët që copëtojnë gjuhën e fjalës. Por mbi të gjitha, është një varg që sjell imazh skenik me bukuridhembje përmasash kulmor: zëri i subjektit mbyllur brenda mureve të vetmisë që gërryen tërbueshëm, vetivetëm, me askënd e askund, pas dere ndërsa përgjon gruaja me dilemë hamletiane: do ta qetësonte vallë prania e saj vetminë bubulluese të poetit apo do ta shpërthente tërmet? E mbërthyer gruaja që grimcon thonjtë pas dere, akull, ngrirë gjithësia, universi nga një dhembje që veç sa nuk ka shpërthyer vullkan.

Shtrati urtak i vargjeve të librit “Kukuta e Sokratit” ka mbështetjen sokratike të urtisë; është në pajtueshmëri me ligjshmërinë sovrane të kësaj bote njerëzore. Është gjurma që le subjekti folës pas, është shenja në kohë dhe hapësirë, tek e cila ka besim të plotë poeti. Është autokronikë lirike refleksive, e sërës poezisë filozofike. Refleksiviteti, urtësia në poezinë e Sabri Hamitit ka ngjizur në truall dhuntie krijuese të racës filozofike. Vargjet e frymëzuara nga kjo perspektivë, ajo e përkohshmërisë dhe amshimit, të sjellin ndërmend një poezi të Kavafit që, përmes një figurshmërie plastike, sjell udhën e ecur, atë të lënë pas, me shumë qirinj të fikur dhe atë përpara, të plaknisë siç thotë Hamiti, me pak qirinj që janë të ndezur. Poezia “Simfonia” bën bashkë të kundërtat, që përjashtojnë njëra-tjetrën, sinfoni e të pamundurës, mes mirësisë dhe përçudnimit. Nga malli i pashuar për pëshpërimat e muzgjeve në Prishtinë, nga të martat e qytetit që fisnikëron e pret krahë e zemër hapur ata që ia mësyjnë në përqafim qytetit, qyteti që zbut e fisnikëron kapriçot, kryeneçësitë, kreshendot mëngjesore, tek poezia Sinfonia shfaqet faqja tjetër e botës përreth, kur sillet dhe egërsohet toka, kur përplaset koka dhe s’ka fjalë që e përkap, që e thotë Zinë. Në këtë botë kaotike që të le pa frymë e fjalë, ka vetëm një dalje, një shpëtim, përmes krahëve fluturues, në refuzim ajër e ujë e tokë.

Libri më i ri i Sabri Hamitit “Kukuta e Sokratit”, me shtatëdhjetë poezitë e përfshira, është univers shumësie motivesh, vatra ngasëse dhe frymëzimi që është vështirë në mos e pamundur t’i përthekosh brenda një boshti të vetëm. Te poezia e Sabri Hamitit asnjë lëvizje, asnjë gjurmë, shenjë lidhëse, komunikimi ne këtë marrje-dhënie nuk është e rastit. Ai është rigoroz në përmasa absolute për saktësi, precizitet qoftë në rrafsh mendimi, emocioni, imagjinate . Dy titujt – “Hini” dhe “Hiri”, përshembull, ku e njëjta materie, në këtë rast të themi simbol, që bart mesazhe të koduar. Tek poezia e parë që e hap librin, titulli “Hini” vjen e tingëllon simbol ndër kohë, gjithkah, mural i pashprishshëm në hapësirë, simbol përjetësie, ndërsa poezia e dytë “Hiri” vjen frekuentim përditshmërie. Aty zëri i subjektit komunikon nga distanca, në vetën e dytë, shndërruar zë i jashtëm nga ku flet nga perspektiva e syrit, e mendjes, e gjykimit të një të dyti.

E para vjen pastërti e zhanrit lirik-klasik, sonet që perspektivën e zërit të poetit e ka të drejtpërdrejt, në vetën e parë: ”Se në Llap loti ngrini/ Kur më patë grumbull hini”. Ashtu si thotë Gëte, në lirikë realizohet nevoja e subjektit për të rrëfyer shpirtin, ashtu poeti fton lexuesin të dëgjojë zërin e brendshëm, jehonën e zjarrit që përfton e shtrihet hapësirës etnike dhe në përjetësi. Gjuha e poezisë së Hamitit është refleksive, mendimtare që praninë e ngjyrimit lirik e ka të brendshëm, të heshtur, tension që ndjehet, me elegancën estetike të joshjes. Pluskimet e thekshme përsiatëse, filozofike, në poezinë e Hamitit shkrihen në gjendje emotive dhe estetike, përtej argumentit logjik, më superiore drejt urtisë lirike dhe lirikës filozofike.


Etiketa: ,

Pas