Kryetari i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka pritur disa nga ambasadorët e vendeve më të zhvilluara të Perëndimit. Alibeaj ka diskutuar me ambasadorët e huaj si i SHBA, Gjermanisë, Italisë, BE-së, OSBE-së etj, mbi sfidat e opozitës në të ardhmen.
Kreu i komanduar i PD-së tha se, “ky ishte një takim i parë për të sqaruar, për të shkëmbyer vizione dhe si i tillë do të vazhdojë dhe me takime të tjera qoftë në këtë format, qoftë dhe në formate të tjera”.
Statusi i plotë nga Enkelejd Alibeaj:
Ishte kënaqësi e veçantë, që sot të mirëpres sëbashku me kolegët deputetë të PD-së, disa nga përfaqësuesit e Ambasadave në vend: Znj.Yuri Kim, Znj. Christiane Hahmann, Z. Peter Zingraf, Znj.Elisabeth Barsacq, Z. Fabrizio Bucci, Znj. Mia Marzouk, Znj. Ruth Huber dhe Z. Vincenzo Del Monaco (OSCE) në një takim shumë të dobishëm për çështje me rëndësi për vendin.
Ky ishte në fakt një nga takimet që ne e kemi patur si format kohë më parë së bashku me ambasadorët e vendeve kryesore. Objekti i takimit ishin të gjitha ato reforma, dhe aksioni opozitar në tërësi, të cilat ne i kemi filluar dhe shqiptarët i kanë ndjekur në parlament, ndër to: reforma administrative – territoriale, reforma zgjedhore dhe çështje të tjera po kaq të rëndësishme.
Ky ishte një takim i parë për të sqaruar, për të shkëmbyer vizione dhe si i tillë do të vazhdojë dhe me takime të tjera qoftë në këtë format, qoftë dhe në formate të tjera.
Kjo është një praktikë, që duhet ta riinstalojmë dhe njëherë, sepse për këto reforma dhe aksioni opozitar, të cilat besojmë se janë thelbësore për zhvillimin europian dhe për vlerat të cilat ata mbrojnë, do duhet të koordinojmë me partnerët tanë, e që është një detyrim moral e politik i yni për ta bërë.