Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar ardhjen në Shqipëri të disa nënvarienteve të Omicron. Epidemiologu Ilir Alimhemeti thotë se nënvarianti BA.2 nuk është më i rëndë sesa Omicron. Sipas tij, shifrat që vijnë nga vendet ku ky version i koronavirusit u shfaq fillimisht, në Danimarkë dhe Britaninë e Madhe, tregojnë se ai do të jetë, në mos është, dominues edhe në vendin tonë, përveç se në Europë.
Alimhemeti tha se karantina nuk ka më kuptim në këtë pikë të pandemisë, por duhen parë shtrimet në spital, si i vetmi indikator për ecurinë.
“Strategjia 0 Covid nuk ka për të funksionuar, dhe nuk do të funksionojë. Doli një variant që e kapërceu popullsinë, gjeti një popullatë ku nuk ka vaksinime, dhe shifrat u rritën”, tha Alimhemeti duke iu referuar futjes në karantinë të Shangait, një qytet me 26 milionë banorë, të cilët janë izoluar për më pak se 900 raste. “94% e këtyre rasteve janë asimptomatike, kjo e fut te sëmundjet qartësisht të menaxhueshme. Por nga ana tjetër, këta e përhapin”, tha ai në A2 CNN.
Alimehmeti gjithsesi deklaroi se koronavirusi nuk do të zhduket, por duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me të.
“E kemi të vështirë ta ndajmë që ishte vaksina, apo imuniteti natyral, apo Omicron që është më pak agresiv. Afrika e Jugut kishte vaksinim të ulët, ndërsa Anglia vaksinim të lartë, por Omicron pati të njëjtin zhvillim. Ne duhet të dimë statusin imunitar dhe patjetër rruga e parë është vaksinimi. Nuk mund të infektohemi me dëshirë, sepse pavarësisht riskut të ulët, rreziku mbetet. Nga pandemia nuk dilet kur ke tre doza, dilet kur nuk ke më spitale të mbushur, rëndësi ka që shifrat bien, nuk ka rëndësi sesi arrihet kjo”.