Aktualitet

Amaneti i Mark Shllakut/ Nesër në “Mapo” rrëfimi i të bijës, Juli





               Publikuar në : 17:51 - 25/10/19 |
mapo.alm

Gazeta Mapo ka intervistuar Julin, të bijën e Mark Shllakut, i pushkatuar 70 vite më parë nga pushteti komunist. Rasti i mësuesit dhe artistit 31-vjeçar u bë i njohur dhe tronditi mbarë opinionin publik një muaj më parë kur u publikua letra që ai i linte gruas, shkruar pak para ekzekutimit.


Letra e Mark Shllakut ishte një shprehje sipërore e dinjitetit dhe personalitetit të një njeriu që po shkon drejt vdekjes, pa pasur faj.



Amaneti i tij u bë gjëja më e lexuar e fundit të shtatorit. Letra mbahej e papublikuar prej 70 vitesh. Gazeta Mapo bisedoi me Julin, të bijën e Mark Shllakut, që i ruan porositë e të atit, prej vitit 1976.


Mësoni më shumë, detaje që nuk janë thënë më parë, nesër në Gazetën Mapo, në një rrëfim tronditës të një drame që ka ndodhur mes nesh, dhe jo në një kohë të largët.

Më poshtë, letra e Mark Shllakut, shkruar para pushkatimit, në fundin e tetorit 1949

E dashtuna Angje e fëmijë!

Më kanë nda nga shokët për me më ekzekutu. Nuk po më dhimet jeta vetëm se ju po ma mërzisni shpirtin.

Mos u mërzit për mue vetëm mi rrit fëmijët me hir të zotit. Amanet babën e mos i trego për mue. Borxh i kam Halitit për tjegullat dhe në ardhtë dita, jepja për mue.

E dashtuna Angje!

Jam lidh kamsh e duersh. Edhe pak orë me kanë mbet me jetue. Mëndjen e kam te ti e fëmija që nuk mujta më ju gëzue. Tashti më kanë pikëllue shumë fytyrat tuaja që më dalin parasysh e smë lanë me dekë… banu e fortë. Marku!

Angje! Ne tu mbushtë mëndja me u martue e ke lejen teme por mos me më harrue. Por amanet fëmijët. Të kam dasht me shpirt deri tash në çast të mrame të jetës teme. Edhe në atë jetë do të lutem për ty. Amanet mos u mërzit për mue por shikjo fëmitë. Ju puth me mall për herë të fundit. Marku.

E dashtuna Angje!

Të lutëm me mi ba hallall vuajtet që të kam shkaktue.

Të lutem me mu interesue për eshtrat të mos më harrojsh për kurdoherë. Me mi marrë eshtrat e me mi çu në një varr. Kam me vedi një teneqe me emnin tem, me të mundësh me më njoftë.

Hallall të gjithëve dhe ty të pares. Po vdes si një shqiptar i mirë dhe i ndershëm.


Etiketa: , , , , , , ,

Pas