Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë shtroi në rezidencën e saj iftar në respekt të muajit të bekuar të Ramazanit. Të pranishëm në iftarin e shtruar nën kujdesin e të Ngarkuarës me Punë të SHBA-ve, Leyla Moses-Ones, ishte Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, kryetarja e Komitetit Shtetëror për Kultet, Loreta Aliko, punonjës të KMSH-së, përfaqësues nga Universitetit Bedër dhe Medreseja e Tiranës, si dhe punonjës të ambasadës.
Gjatë fjalës së saj, Leyla Moses-Ones falënderoi të ftuarit për pjesëmarrjen dhe iu uroi atyre agjërim të pranuar. Ajo vlerësoi vendin tonë për tolerancën fetare dhe respektimin e besimeve të tjetrit. “Kjo është ajo që admiroj thellësisht nga Shqipëria – pluralizmi i feve, harmonia ndërfetare, respektimi i besimeve të njëri-tjetri”, u shpreh e Ngarkuara me Punë Leyla Moses-Ones gjatë darkës së Iftarit.
Mesazhi i plotë i Leyla Moses-Ones
Mirëmbrëma Kryetar Spahiu, Baba Mondi, Kryetare Aliko, Rektor Gjana, mësues edhe nxënëse. Faleminderit që erdhët në iftarin tonë – jemi kaq të privilegjuar ta ndajmë atë me ju. Mbrëmja e sotme është pjesë e një tradite të pasur të festimit të rolit të besimit në jetën tonë dhe një kujtesë se Ramazani ka një traditë të gjatë në Shtetet e Bashkuara. Ambasadori i parë musliman në Shtetet e Bashkuara, nga Tunizia, u prit nga presidenti Thomas Jefferson në Shtëpinë e Bardhë, më shumë se 200 vjet më parë.
Ne të gjithë marrim fuqi dhe një ndjenjë qëllimi nga besimet tona. Themeluesit e Amerikës e kuptuan se mënyra më e mirë për të nderuar vendin e besimit në jetën e popullit tonë ishte mbrojtja e lirisë së tyre për të praktikuar fenë. Kjo e vërtetë themelore mbrohet nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës sonë. Gjatë rrjedhës së historisë sonë, feja ka lulëzuar brenda kufijve tanë pikërisht sepse amerikanët kanë patur të drejtë të adhurojnë siç kanë zgjedhur – përfshirë të drejtën për të mos besuar fare në asnjë fe.
Ajo gjë që admiroj thellësisht nga Shqipëria – pluralizmi i feve, harmonia ndërfetare, respektimi i besimeve të njëri-tjetrit, nderimi i praktikave tona të ndryshme, të bashkuara nën drejtimin e lirisë.
Kështu që sonte, bashkohemi në një frymë dhembshurie dhe respekti reciprok, i cili është thelbi dhe fryma e diplomacisë dhe komunitetit besimtar. Ky është mandati ynë i përbashkët – të ushqejmë lidhjet e besimit, të dialogut, të promovojmë parimet demokratike, të ndërtojmë paqen dhe begatinë. Kjo është ajo që na sjell bashkë këtë mbrëmje për të thyer bukën dhe për të ndërtuar ura si motra dhe vëllezër në besim dhe në liri.
Sërish, faleminderit që erdhët! Tani, do t’i kërkoj Kryetarit Spahiu të bëjë një lutje para se të thyejmë agjërimin.