Ambasadorja e Francës Elizabet Barsacq dhe ai i Gjermanisë, Peter Zingraf, kanë qenë të pranishëm në takimin e organizuar nga qeveria për amnistinë fiskale. Ata kanë dëgjuar fjalimin e ministres së Financave, Delina Ibrahimi, dhe zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.
Por sapo fjalën e mori kryeministri Rama, ambasadorja franceze i ka bërë një shenjë atij gjerman dhe të dy janë larguar nga takimi.
Ky moment është kapur nga regjia e kryeministrisë, që është përpjekur ta shmangë largimin demonstrativ të ambasadorëve. Rama duket se ka mbetur keq dhe pas një pauze disa sekonda ka nisur t’iu flasë ambasadorëve në mungesë. Në fjalën e tij, kryeministri ka kërkuar respekt nga ndërkombëtarët, që nuk mund ta trajtojnë Shqipërinë si një vend armik.
“Miqve dhe partnerëve europianë dua t’u them që respekti reciprok është ai që me respekt mund të refuzohet çdo ide, por ta trajtosh Shqipërinë si një vende armiqsh, ndërsa amnistia është bërë në të gjitha vendet që na japin mësim, kjo nuk është asgjë e drejtë, asgjë e duhur që tregon respektin pa kushte që ka Shqipëria ndaj partnerëve të saj” u shpreh kryeministri në fjalën e tij.
Ndërkombëtarët janë kundër amnistisë fiskale, që rrezikon të pastrojë paratë e krimit dhe korrupsioni.