Të martën, ambasadori amerikan, Donald Lu dhe ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, mbërritën në zyrën e kryetarit të PD, Lulzim Basha.
Por ajo që ra në sy ishte prania e ish-kryeministrit Sali Berisha në takim.
Top Channel thekson se ambasadorët ‘njohën’ Berishën, por nuk jep detaje nga takimi, duke theksuar se palët ishin hermetike.
Edhe ABCNews raporton për këtë takim, duke e vënë theksin tek vizita pas pak ditësh e Sekretarit të Shtetit, John Kerry në Tiranë.
Kerry do të vizitojë Tiranën për Shën Valentin, ndërkohë që ende nuk ka detaje për qëllimet e vizitës.
Në njoftimin e shkurtër zyrtar thuhet se Kerry do të vijë “në Tiranë për të takuar zyrtarë të lartë dhe për të diskutuar me ta për integrimin e mëtejshëm euro-atlantik dhe marrëdhëniet e forta bilaterale me SHBA-në”.
Në Tiranë përflitet se takimi i tij përkon me një tjetër kërkesë të SHBA për të mirëpritur disa disidentë iranianë.
Grupi i parë i tyre ka mbërritur në Shqipëri, por thuhet se të gjithë duan të strehohen në një vend.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur SHBA po i përmirëson marrëdhëniet me Iranin.
Ky mbetet spekulin, ndërkohë vetë Kerry do të jetë i pranishëm në Konferencën e Sigurisë në Mynih, përpara se të udhëtojë drejt Shqipërisë.
Me shumë gjasë, ai do interesohet për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rajonit tonë.
Në prag të kësaj vizite, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zbulimit në SHBA, James Clapper raportoi përpara Kongresit në lidhje me kërcënimet që i kanosen Ballkanit.
Sipas tij, nacionalizmi etnik dhe institucionet e dobëta mbeten një problem kërcënues.
Komuniteti amerikan i zbulimit po ashtu tërheq vëmendjen se vërshimi i një numri të madh emigrantësh në Ballkan mund të acarojë më tej tensionet shoqërore.
E fundit Sekretare e Shtetit që ka vizituar Tiranën ishte Hillary Clinton në vitin 2012.
Para disa muajsh, një media amerikane shkruante se kjo vizitë në Shqipëri nuk kishte domethënie të madhe, pasi shërbente vetëm për të plotësuar një numër të caktuar vizitash si Sekretare Shteti.