Ecuria e Reformës në Drejtësi dhe ngritja sa më parë e Gjykatës Kushtetuese ishin në fokus të takimit mes ambasadorit gjerman Peter Zingraf dhe Vitore Tushës, e cila është anëtarja me kompetencat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese si dhe drejtuesja e KED që prej qershorit 2020.
Ambasadori Zingraf shprehu mbështetjen dhe angazhimin e shtetit gjerman për reformën e sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe për ecurinë pozitive të saj me qëllim funksionimin sa më të shpejtë të institucioneve dhe plotësimin e kushteve për integrimin e Shqipërisë në BE.
Ndërsa nga ana tjetqër Vitore Tusha evidentoi rëndësinë që mbart ringritja sa më shpejt Gjykatës Kushtetuese për zhvillimin e demokracisë në Shqipëri dhe procesin e integrimit të saj në Bashkimin Europian.
Tusha u ndal edhe në veprimtarinë e institucionit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi duke u fokusuar në ecurinë e procesit të përzgjedhjes dhe renditjes së kandidatëve për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.
Ngritja e Gjykatës Kushtetuese deri në fund të këtij viti është edhe qëllimi i qeverisë e cila është shprehur se vendi të ketë shumë shpejt një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Kjo gjë është kërkuar më herët edhe nga ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim dhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca.