Fakti se, edhe për Byronë Kombëtare të Hetimit, shoqëria e ka të pamundur të kuptojë cilët gënjejnë dhe cilët jo, nuk lidhet me paaftësinë e saj për të kuptuar të vërtetën, por me një quasi teologji sociale se, të vërtetat e politikës sonë nuk mund të kuptohen. Ato i di vetëm Amerika! Ambasadori Lu, me siguri e ka kuptuar këtë dhe me vetëdijen e atij që beson se çfarë përfaqëson për psikën e shoqërisë, i ka folur asaj shkoqur kur të vërtetat kanë ngecur në ingranazhet imorale të sistemit. Kështu bëri me dekriminalizimin, me reformën në drejtësi, me gjyqtarët e korruptuar, me emrat e banditëve që flirtojnë me politikën e me radhë. Duhej të fliste ai që të heshtin ata dhe të kuptonim ne. Brenda këtij triniteti janë vërtitur të gjitha gënjeshtrat perverse të politikës. Ambasadori na ka ndihmuar për të kuptuar të vërtetën. Por, ai mund të na ndihmojë edhe për të shpjeguar misterin e fundit: Kush gënjen për Byronë Kombëtare të Hetimit, qeveria apo opozita?
U mbush një javë që kjo pyetje është shndërruar në një kuriozitet nacional dhe që askush nuk po i jep dot përgjigje. Arsyeja është si vijon: Sipas një deklarimi, që askush nuk e ka kundërshtuar deri tani, prej katër muajsh palët kanë rënë dakord në parim që të miratojnë Byronë Kombëtare të Hetimit. Një javë më parë, Kryeministri Rama në një akt sfide ndaj opozitës, do të njoftonte në parlament se, Byroja Kombëtare e Hetimit do të votohet, por pasi Komisioni i Venecias të shprehej përfundimisht për draftin e reformës në drejtësi, duke lënë të hapur se, Byroja mund të rrëzohej si ide, nëse Venecia do të shikonte ndonjë vulnus me sistemin juridik, ose do vërtetohej se ajo do të ishte e panevojshme. Konkluzionet e Venecias ende nuk kanë ardhur, por, ndërkohë, dje qeveria kaloi në mbledhjen e saj projektligjin për Byronë e Hetimit.
Një javë më parë, nga foltorja e parlamentit, në një akt sfide ndaj kryeministrit, opozita i kërkoi atij që të votonte me procedurë të përshpejtuar ligjin për ngritjen e Byrosë së Hetimit. Sipas saj, drafti i Reformës në Drejtësi nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me Byronë, kësisoj, pritja e sugjerimeve të Komisionit të Venecias ishte vetëm një alibi për të shtyrë në kohë Byronë. Pra, për opozitën, nuk kishte asnjë arsye që Venecia të pritej, në këtë rast. Siç edhe dihej, raporti përfundimtari i Venecias nuk mund të vinte para muajit mars, por, ndërkohë, opozita deklaroi dje se, do ta votonte Byronë nëse ajo ngrihej sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
Ndërkohë Lëvizja Socialiste për Integrim, është si zakonisht, e korruptuar. Një javë më parë, kryetari i Parlamentit, i kërkonte opozitës që të depozitonte variantin e saj për Byronë që nënkuptonte qartë, variantin që palët kishin pranuar para katër muajsh, madje duke nënvizuar se Byroja e Hetimit duhet të ishte, doemos, një produkt konsensual. Dje, ajo u shfaq radikalisht ndryshe, kur përmes Sekretarit të Përgjithshëm, deklaroi se mbështeste miratimin në qeveri të projektligjit për Byronë.
Kaq sa i takon misterit të ndryshimit të sjelljes së palëve, lidhur me Byronë.
Që palët kanë një problem me Byronë Kombëtare të Hetimit, kjo është e qartë. Qeveria e ka për shkak të ekuilibrit të saj të brendshëm, opozita e ka për shkak të vendosjes së Byrosë jashtë Prokurorisë. Në këtë kuptim, është e lodhshme që të rrimë e të merremi me arsyet e gënjeshtërta që të dyja na shesin përditë mbi Byronë. Nuk kanë asgjë parimore, pikë!
Atëherë, Ambasadori Lu, mund të na ndihmojë. Publikisht! Mund të na thotë se, cili është modeli për të cilin janë investuar amerikanët. Mund të na thotë nëse për Byronë duhet të presim Venecian apo jo. Mund të na thotë nëse modeli i tyre është një model që mund të funksionalizohet përpara reformës në drejtësi apo kushtëzohet prej miratimit të saj. Mund të na thotë nëse Byroja Kombëtare e Hetimit do të jetë, sipas pikëpamjes së tyre, një organizëm kushtetues apo do atashohet pranë ekzekutivit. Të gjitha këto, por edhe të tjera, zoti Lu mund të na i thotë duke na iluminuar për atë misterin që thamë në fillim, pra, “kush gënjen për Byronë Kombëtare të Hetimit, qeveria apo opozita?”. Kaq i kërkojmë zotit Ambasador! Dhe ai mundet! Me siguri do ta kishte të vështirë sikur ta pyesnim “kush nuk gënjen për Byronë Kombëtare të Hetimit, qeveria apo opozita?”.
Z.Arjan ju keni te drejte plotsisht ne analizen tuaj,ju vleresoj. Asgje nuk merret vesh cfare thone dhe fshehin keta te gjithe,Rama,Basha,Meta,Berisha. Jane mashtrues profesionbiste.Ambasadori amerikan eshte i vetmi qe i besojme.
Nese politikanet shqiptare po ju a hedhin edhe mjeshtrave analiste te shquar shqiptare qe ju a njohin ketyre rrenje e dhemballe e nuk po e kuptojne se kush e ka fajin, cdo beje “i gjori” ambasador amerikan qe ka vetem nje vit ne Shqiperi ?
Sadoqe ambasadori Lu e njeh gjuhen shqipe, gjuhen estradeske te Rames me ngacmime per Solin e Lolin eshte e veshtire qe ti kuptoje. Jo per gje tjeter por nuk besoj qe ne shkollat e dipllomacise te mesohet zhargoni politik i piktorit Edi Rama.-
Nese politikanet shqiptare po ju a hedhin edhe mjeshtrave analiste te shquar shqiptare qe ju a njohin ketyre rrenje e dhemballe e nuk po e kuptojne se kush e ka fajin, cdo beje “i gjori” ambasador amerikan qe ka vetem nje vit ne Shqiperi ?
Sadoqe ambasadori Lu e njeh gjuhen shqipe, gjuhen estradeske te Rames me ngacmime per Solin e Lolin eshte e veshtire qe ti kuptoje. Jo per gje tjeter por nuk besoj qe ne shkollat e dipllomacise te mesohet zhargoni politik i piktorit Edi Rama.-..
Vetem nje saktesim:Vathi,eshte pseudonimi I Arian Vasjarit.
MUNGESË LOGJIKE, APO MUNGESË KURAJUE?
Gjatë dekadave të rënda të diktaturës mizore, shumica e shqiptarëve kishin si burim shprese Amerikën, meqenëse në imagjinatën e tyre ajo përfaqësonte forcën më të fuqishme antikomuniste të botës. Ndërsa për të burgosurit politikë (me përjashtim të ithtarëve të Kremlinit) Amerika ishte altari i lirisë dhe i demokracisë, ku gjenin prehje ëndrrat e tyre të lodhura e shpresat e venitura nga dekadat torturuese. Madje kishte të dënuar si agjentë të CIAs apo të MI6 (Kryeagjenti i së cilës ishte Enveri vetë), që shpresonin se një ditë SHBA do t’ua shpërblenin dënimin e pësuar pafajësisht në emër të tyre.
Ndërsa për psikologjinë e policëve injorantë të kampeve të Spaçit e të Qafë-Barit, të burgosurit politikë të «nënës Parti» ishin «ushtarë të Amerikës». Kur kapnin ndonjë të burgosur me një copë letre duke mësuar disa fjalë të huaja, policët çnjerëzorë si vetë regjimi i hidhnin hekurat, duke i bërtitur me shprehjet që u kishte diktuar komisari i kampit: «Mëson gjuhë të huaj, që të shkosh ambasador në Amerikë apo në ndonjë vend tjetër kapitalist, po ra pushteti ynë? Jo, jo, këtu do t’i lini kockat, se partia jonë dhe shoku Enver janë të pavdekshëm». Dhe i ziu «ambasador imagjinar» i nënshtrohej dhunës fizike dhe, pas saj, një muaj birucë vetëm me këmishën e pëlhurës të uniformës vdekje-ndjellëse të kampit shfarosës. Veçse i burgosuri politik qeshte me mendjetrashësinë e policit, që mendonte se «nëna Parti» dhe «shoku Enver» ishin të pavdekshëm, ndërkohë që kishin armik(?) Superfuqinë Amerikane.
Në fakt, cilës palë i dha të drejtë koha për pretendimet lidhur me jetëgjatësinë e PPSH dhe të enverizmit në Shqipëri: policëve injorantë, apo të burgosurve politikë?
Realiteti shqiptar është sa i hidhur po aq edhe kokëfortë: PS + PD = PPSH edhe sot e gjithë ditën. Ndërsa Diktatori vazhdon të jetë «Hero i Popullit»…, si dikur.
Nisur nga parimi i mirënjohur, se një mik i sinqertë i do vetëm të mirën mikut të tij dhe e ndihmon për ta arritur atë, le t’iu përgjigjemi pyetjeve të mëposhtme mbi bazë faktesh të jetuar prej të gjithëve në kuadër të miqësisë amerikano-shqiptare:
1 – A do të pranonin vetë amerikanët që të kishin «Hero Populli» në vendin e tyre një MONSTËR si Enver Hoxha, siç e cilësoi ambasadori Arvizu? Pse në atdheun e «miqve» shqiptarë ata kanë ndikuar që të ndodhë e kundërta për 24 vjet me radhë, ndërkohë që emrat e ish-diktatorëve të tjerë të Evropës Lindore (shumë më njerëzorë e më atdhedashës sesa përbindshi ynë) janë harruar përfundimisht?
Kollarexhinjve eunukë shqiptarë (të vetëquajtur intelektualë) që, për shkak të servilizmit të tyre tashmë funksional, u është bërë zakon t’i justifikojnë akte kaq të rëndë me shprehje banale të tipit «kjo është çështje e brendshme e vetë shqiptarëve», po ju kujtoj se ambasadorët amerikanë në Shqipëri nuk do të përziheshin kurrë kaq shumë në detajet e jetës politiko-shoqërore shqiptare edhe sikur të ishin guvernatorët tanë me ligj (mbasi pa ligj janë të tillë), sepse edhe në atë rast ata do të ishin të detyruar të respektoin parimin e ndarjes së pushteteve, si edhe shkallët hierarkike të vetë ekzekutivit, siç veprohet normalisht në një shtet juridik.
Megjithëse i sapoardhur në koloninë shqiptare, ambasadori Lu u përzie në mënyrën më arrogante e më antiligjore në çështjen «Doshi», duke e shpallur atë fajtor pa u arrestuar akoma – veprim që bie ndesh me dy parime bazë njëherësh: me parimin e mosndërhyrjes së diplomatit në punët e brendshme të vendit ku vepron dhe me parimin e drejtësisë, që e prezumon të pafajshëm të akuzuarin, derisa gjykata ta ketë shpallur fajtor me një vendim të formës së prerë. Pretendimi absurd e qesharak, se ambasadorët amerikanë në Tiranë (Arvizu apo Lu) veprojnë jashtë orientimeve të DASH, u shkon për shtat vetëm injorantëve (qofshin edhe kollarexhinj «intelektualë») që nuk e kanë fare idenë e disiplinës së fortë profesionale të ambasadorëve të Superfuqisë Amerikane, të cilët shkëmbejnë mesazhe të përditshëm me DASH. Kur qeveria apo «opozita» shqiptare e kanë akuzuar ambasadorin Arvizu, se nuk vepronte në pajtim me orientimet e politikës amerikane në Shqipëri, zyrtarë të lartë të DASH e kanë përgënjeshtruar këtë, duke deklaruar të kundërtën. Në dy raste një veprim të tillë e ka bërë vetë Hillari Clinton.
Kaq shumë u mungoka logjika shqiptarëve, sa që të mos kuptojnë dot se nuk janë miq të sinqertë ata, të cilët përkrahin në heshtje faktin poshtërues që një MONSTËR të përjetësohet Hero i popullit «mik» shqiptar? Apo shqiptarëve u mungon kurajua deri në atë shkallë sa nuk ia thonë dot në sy «mikut» të vërtetën e hidhur, edhe kur ajo është me brirë? «Frikacaku vdes çdo ditë, ndërsa trimi vdes vetëm një herë», ka shkruar Shekspiri. Ndërkohë shqiptarët po vriten e vetëvriten përditë, më shumë se çdo popull tjetër i botës së tretë, ndërsa ata që gjallojnë akoma përsërisin çdo darkë lutjen: «O Zot, shtyje radhën time sa më larg!».
2 – A do të pranonin vetë amerikanët që t’ju vidheshin pronat pronarëve tradicionalë në vendin e tyre dhe t’iu jepeshin bandave të politikanëve mafiozë, që do të organizonin këtë katrahurë kombëtare, si në Shqipëri? Pse, duke qenë miqtë(?) tanë, amerikanët e kanë mbështetur këtë reformë asgjësuese të sigurisë kombëtare, të drejtësisë e të demokracisë në vendin tonë dhe politikanët më të lartë të Superfuqisë Amerikane nuk kanë ngurruar të deklarojnë me plot gojën shumë herë gjatë 24 vjetve të fundit: «Shqipëria është në rrugën e duhur të zhvillimeve demokratike»? Këtë deklaratë hipokrite e fyese për ne e përsëriti disa herë edhe Sekretarja e Shtetit, Hillari Clinton, gjatë fjalimit që mbajti në mender-parlamentin shqiptar, ndërkohë që në Tiranë ndihej akoma era e mishit të djegur rishtas të ish-të burgosurit politik Lirak Bejko. Sipas informacioneve të medias, në Shqipëri ka pasur deri sot 8200 viktima për shkak të konflikteve të pronësisë. Apo… «punë e madhe, shqiftarë janë e kot vriten gjithmonë këta!», mendojnë «miqtë» tanë.
3 – Në përfundim të luftës civile katërvjeçare të zhvilluar në SHBA (1861-1865), presidenti Lincoln mbajti një fjalim historik, duke ftuar mbarë popullin në një pajtim kombëtar ku të gjithë do të ishin të fituar të barabartë, si amerikanët e Jugut (që e humbën luftën) edhe ata të Veriut. Kjo politikë e urtë e largpamëse hodhi themelet e shëndoshë të një Kombi që do të bënte histori. Në Shqipëri pretendohet se nuk ka pasur luftë civile (megjithëse pikërisht ai qe misioni i serbo-komunistëve) e megjithatë lufta civile nuk ka përfunduar as sot tek ne: komunistët kanë uzurpuar gjithçka, ndërsa antikomunistët humbën gjithçka qysh prej përfundimit të Luftës II Botërore e deri sot… e në vazhdim. Pse miqtë(?) amerikanë kanë mbështetur fuqimisht në Shqipëri, për një çerek shekulli, përjetësimin e pasojave fatale të luftës së klasave (një vazhdim i luftës civile me forcën shtypëse të pushtetit), krejt ndryshe nga ç’kanë vepruar paraardhësit e tyre në Amerikë? Për shkak të «sinqeritetit» të miqësisë ndaj shqiptarëve?
4 – A do të pranonin vetë amerikanët që të kishin në krye të shtetit të tyre një bandë mafiozësh politikanë si enveristët e Tiranës, mbi të cilët rëndon një megakrim prej mbi pesë mijë të vrarësh, duke përjashtuar vrasjet për çështjen e pronësisë për shkak të Ligjit komunist 7501 «Për Tokën»? Nëse jo, pse i ndihmuan këta vrastarë të riktheheshin në pushtet pas gjakderdhjes së vitit 1997 dhe pse pranojnë të bashkëpunojnë me ta në dëm të shqiptarëve, por në emër të «miqësisë» amerikano-shqiptare?
5 – Mbi ç’bazë parimore e morale pranojnë miqtë(?) amerikanë të mbështesin prej 24 vjetësh aktin çnjerëzor të enveristëve të rinj të Tiranës, që kanë lënë endé pa varr viktimat politike të babait të tyre shpirtëror, të cilëve u kanë njohur pafajësinë me ligj qysh në tetor 1991? Kur Klodi nga Lezha deklaroi në Big Brother se ishte homo dhe bashkëfshatarët e tij reaguan ashpër për këtë, ambasadori Arvizu shkoi vetë në Lezhë, i shoqëruar prej ambasadorit gjerman dhe përfaqësuesit të BE në Tiranë. Dhe mirë bëri, sepse edhe Klodi hall kishte i shkreti. Por a thua se halli i një prapanice ishte shumë më i rëndësishëm sesa ai i viktimave të diktaturës mbetur pa varr, apo i ish-të burgosurve politikë të lënë rrugëve nga neokomunistët, për të cilët ambasadorët amerikanë nuk e kanë vënë ndonjëherë ujin në zjarr? Ata duhej të shkonin të paktën një herë në vit në Institutin e Integrimit të të Përndjekurve Politikë, për tu informuar sesi i shtynin ditët e mbetura ata mjeranë të nëpërkëmbur nga harbutëria neokomuniste, të cilët kishin qenë adhuruesit më të flaktë të Amerikës, kur propaganda komuniste villte vrer e sharje për SHBA si «xhandarë ndërkombëtarë të botës». Me pak më tepër dinjitet në vetvete dhe me më pak shpërfillje ndaj ish-të burgosurve politikë shqiptarë, ambasadorët amerikanë do të duhej të kishin nxitur fondacionet e vendit të tyre që të investonin për ata fatkeqë gjysmën e shumës që kanë investuar për bukuroshet e rekomanduara nga ambasada amerikane në emër të gjoja OJQ-ve (83 të tilla në Shqipëri!!?), të cilat nuk kryejnë asnjë funksion tjetër shoqëror, përveç atë të haremeve të kolonisë shqiptare.
6 – Pse miqtë(?) amerikanë miratuan të buzëqeshur dëmshpërblimin e menjëhershëm të Ramiz Alisë dhe byroistëve të tjerë të dënuar për kafe [thjesht për t’i mbrojtur nga ndonjë atentat në klimën fillestare të «pluralizmit»] me trefishin e shpërblimit të premtuar (por të pa paguar) të ish-të burgosurve politikë të diktaturës, të cilët u detyruan të bënin harakiri nën sytë tinëzarë të ambasadorit Arvizu? Pse kaq shumë urrejtje me dekada ndaj viktimave të komunizmit dhe kaq shumë dashuri ndaj xhelatëve të kuq shqiptarë? Në emër të «miqësisë» amerikano-shqiptare? Të shërbesh si katalizator i së Keqes, i veshur tepdil si mik, është një akt më i padenjë dhe më dëmsjellës sesa ai i armikut të deklaruar.
7 – Si shpjegohet fakti që miqtë(?) amerikanë kanë qenë gjithmonë kundër hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit, dekomunistizimit dhe dekriminalizimit të politikës shqiptare, ndryshe nga sa është vepruar në të gjithë Evropën Lindore? Apo për «të mirën» e «miqve» shqiptarë?
8 – Cila është arsyeja e vërtetë e strehimit dhe e punësimit në ambasadën amerikane në Tiranë, qysh prej vitit 1991 e në vazhdim, i dhjetëra oficerëve të Sigurimit, për 26 prej të cilëve unë kam shkruar hollësisht në librin «Heronjtë e Kotësisë»? Kur ish-ambasadori Arvizu pati paturpësinë të deklaronte në një konferencë shtypi se «nuk ka ish-oficerë Sigurimi të punësuar në ambasadën tonë», unë i postova ambasadës amerikane në Tiranë një kopje të librit «Heronjtë e Kotësisë» dhe fotografitë e 26 kriminelëve të Sigurimit – personazhe të atij libri. Pse nuk ka punësuar të burgosur politikë të diktaturës ambasada amerikane në Tiranë? Në mos të tjerë, të paktën ata që kanë qenë dënuar si «agjentë të CIAs» nga kriminelët e Sigurimit që janë pritur krahëhapur prej ambasadës amerikane, me orientim të DASH.
9 – Gjatë 24 vjetve tranzicion, pse nuk kanë ndikuar miqtë(?) amerikanë pranë qeverive (anti)shqiptare, për shuarjen e gjakmarrjes mesjetare? Miku i sinqertë nuk dëshiron ta shikojë të përgjakur mikun e tij. Me Diktatorin «Hero Populli» dhe me familje të ngujuara, si në Mesjetë, do të anëtarësohet atdheu ynë në BE? Apo miqtë(?) amerikanë janë duke e përgatitur nuse Shqipërinë për një «dasmë» tjetër, që parashikohet të zhvillohet në Ballkan?
10 – Pse miqtë(?) amerikanë nuk u kanë kërkuar asnjëherë qeverive (anti)shqiptare të bëjnë çarmatosjen e plotë e të përgjithshme të popullsisë, duke u ofruar atyre edhe asistencën e nevojshme teknike për këtë operacion jetik për popullin shqiptar? Apo marionetat e tyre të Tiranës e hedhin më lirisht vallen e vdekjes në Shqipëri, kur «miqtë» shqiptarë vrasin njëri-tjetrin?
11 – A do të pranonin miqtë(?) amerikanë që qeveria e tyre t’iu falte shteteve fqinj ndonjë copë deti a toke (ata kanë me shumicë), siç po ua falin qeveritë (anti)shqiptare grekëve, në saje të ndihmës së lobit të fuqishëm grek me mjaft ndikim në SHBA e në Shtëpinë e Bardhë? A do të ishin dakord amerikanët që fqinjët e tyre t’iu ndërprisnin rrjedhjen natyrore të lumenjve, për të kthyer në shkretëtirë pjesë të atdheut, siç po përgatitet terreni në Shqipërinë «mike»?
12 – Pse miqtë(?) amerikanë po e ndihmojnë kaq intensivisht Greqinë për borxhin prej 320 miliardë eurosh, ndërkohë që atje presidentët amerikanë priten gjithmonë me protesta të ashpra gjatë vizitave të tyre të rralla në Athinë, ndërsa Shqipërisë «mike» apo Kosovës nuk i ofruan ndonjëherë të paktën një miliard dollarë? Ndërsa populli grek është tërësisht prorus e antiamerikan, populli shqiptar i Shqipërisë dhe i Kosovës janë më proamerikanët në botë (meqenëse veprojnë me instikte, si popull-bagëti), aq sa në Tiranë i puthën edhe këpucët Xhejms Bejkerit më 1991. Mirëpo Napoleoni ka thënë: «Politika nuk ka zemër, por vetëm kokë». Pra, politika është llogari, interes, e jo altruizëm, humanizëm e «miqësi», siç u pëlqen ta interpretojnë shqiptarët dështakë, që nuk vunë mend nga humbjet në shekuj të kombit të tyre.
13 – Pse DASH u rekomandon ambasadorëve amerikanë në Tiranë që të sillen si guvernatorë arrogantë e ligjshkelës në çdo sferë të jetës në Shqipërinë «mike»? Nuk ka ngjarje të ditës në vendin tonë që fjalën e parë dhe të fundit mos ta thotë ambasadori amerikan për të. Ambasadorët amerikanë në vendin tonë na dalin «kompetentë» për politikën e brendshme e të jashtme të Shqipërisë, për ekonominë, për drejtësinë, për sociologjinë, për arsimin e kulturën, për bujqësinë dhe ekologjinë e për gjithçka tjetër, pavarësisht se qysh në të shprehur kuptohet bagazhi i tyre intelektual modest. Për nga pushteti i pakufizuar, papërgjegjshmëria në shkeljen e ligjit dhe «njohuritë e tyre enciklopedike», ambasadorët amerikanë në Shqipëri mund të krahasohen vetëm me Enver Hoxhën, i cili «dinte gjithçka», megjithëse për dy vjet nuk hodhi dot asnjë provim në universitetin e Monpeljesë.
Në asnjë vend të botës së tretë ambasadorët amerikanë nuk manifestojnë dot kurrë as një minimum të arrogancës dhe prepotencës antiligjore që demonstrojnë në Shqipëri. Ata nuk janë përzier ndonjëherë në punët e brendshme të shtetit të ri të Maqedonisë, edhe kur atje ka pasur përleshje me armë, apo ndonjë megaskandal si ky i fundit, i përgjimeve të opozitës maqedonase prej Gruevskit. Pse e kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë përjashtim për keq ndaj Shqipërisë «miqtë» amerikanë?
Sipas orientimeve të DASH, pritet që ambasadori Lu në Tiranë të publikojë së shpejti një grafik, se në cilat ditë të javës BULAT e Shqipërisë do të kenë të drejtë të flenë me gratë e tyre dhe në cilat ditë jo. Ndërkohë pilivesat gazetarucë shqiptarë e kanë përgatitur tashmë fjalimin përshëndetës për këtë «vendim historik»:
« Ndihemi sa të emocionuar edhe të magjepsur nga kjo ide gjeniale e DASH! Duke fjetur me gratë tona sipas grafikut të hartuar nga Ju, ne do të përjetojmë kënaqësinë e rrallë sikur jemi duke fjetur në Hollivud».
*
Sot plotësohen katër vjet prej ditës kur unë publikova në Internet «Letrën e Hapur» drejtuar gjithë shqiptarëve dhe dy vëllimet e librit me ngjarje të jetuara e personazhe realë «Odiseja e një Detektivi». Vepruat shumë drejt që nuk u ndikuat prej atij libri «reaksionar», i cili sjell prova të pakundërshtueshme për «sinqeritetin e madh» të miqësisë shqiptaro-angloamerikane. Vazhdoni të zbatoni me rigorozitet direktivat e ambasadorit amerikan në Tiranë, sepse vetëm ashtu kombi dhe populli shqiptar do të mbërrijnë me siguri në destinacionin e caktuar prej «miqve»: në Koshin e Historisë. Dhe brezat e ardhshëm do ta fillojnë rrëfimin e serisë më të re të përrallës historike shqiptare me fjalët «Na ishte njëherë Shqipëria…», ashtu siç e fillojmë ne sot për seritë e mëparshme: «Na ishte dikur kombi shqiptar tri herë më i madh nga sa ka mbetur…». Drejt atij fundi, që po merr formë në horizont çdo vit e më tepër, shqiptarët e sotëm janë duke shkuar ëmbël-ëmbël nën narkozën e «miqësisë» shqiptaro-amerikane, si gomari i shkretë që thoshte «ishalla jam në ëndërr», ndërkohë që po e shqyente ujku.
*
« Ai vend i botës së tretë që ka miq amerikanët, nuk ka nevojë për armiq».
Benazir Bhutto – gruaja e parë Kryeministre e Pakistanit, e vrarë me atentat më 27 dhjetor 2007.