Arsen Hoxha, Washington
Miliona amerikanë u drejtohen këtë të martë kutive të votimit për të zgjedhur Presidentin e 46-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto zgjedhje presidenciale po zhvillohen në mes të një pandemie që u ka marrë jetën afro 230,000 vetëve dhe një klime të ashpër para-zgjedhore që i ka ndarë amerikanët si asnjëherë më parë.
Presidenti Donald Trump po kërkon një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë me argumentin se ai mbajti premtimin për ta vendosur Amerikën të parën. Rivali i tij Joe Biden kërkon fitoren më 3 nëntor, siç thotë ai, “për t’i rikthyer dinjitetin amerikanëve dhe për ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë e shkaktuar nga pandemia e Covid-19”.
Deri të hënën në mbrëmje u raportua se më shumë se 98 milionë amerikanë kanë votuar në të gjithë vendin. Sipas një sondazhi të të rrjetit CNN, Edison Research dhe Catalist, këto vota përfaqësojnë më shumë se 45% të votuesve të regjistruar në të gjithë Amerikën. Në 18 shtete dhe Washington D.C., kanë votuar tashmë më shumë se gjysma e votuesve të regjistruar.
Eshtë ende e paqartë nëse kjo është një pjesëmarrje masive në votimet e hershme apo thjesht një rishpërndarje e votuesve të cilët në një situatë normale (në mungesë të pandemisë) do të kishin votuar në ditën e zgjedhjeve. Historikisht, pjesëmarrja ka pasur variacionet e veta. Pjesëmarrja më e lartë në zgjedhjet presidenciale u shënua në vitin 2008 (duke ia kaluar vetëm zgjedhjet e 1972-shit), kur votuan pak më shumë se 57% e popullsisë në moshë për të votuar.
Nuk është rastësi që të dy kandidatët kanë shpenzuar kohë dhe para në shtetin e Pennsylvania-s. Shumë prej banorëve të Pennsylvania-s (shtet vendimtar për fitoren e Trump në 2016) ende nuk kanë hedhur votën e tyre. Demokratët kanë dominuar votimet para-zgjedhore në këtë shtet. Të dhënat më të fundit flasin se demokratët përbëjnë 66% të atyre që tashmë kanë votuar. Pennsylvania zgjeroi mundësitë e votimit me postë për herë të parë. Sondazhet tregojnë se republikanët në mbarë Shtetet e Bashkuara preferojnë të votojnë personalisht në ditën e zgjedhjeve. Ndaj edhe kampi i Trump është besim-plotë se do të rimarrë 20 votat elektorale të shtetit. Të tjera shtete vendimtare për fatin e zgjedhjeve janë Texas-i, Florida, Wisconsin, Michigan, Ohio, North Carolina etj.
Betejë në distancë mes Trump dhe Biden
Gjatë ndalesës së tij të fundit në Pittsburg të shtetit të Pennsylvania-s, Biden tha se ka ardhur koha që Trump të bëjë gati valixhet dhe të largohet nga Shtëpia e Bardhë. Po kështu, në ditën e fundit të fushatës elektorale, ish-Presidenti Barack Obama ishte në Miami të Florida-s (shtet përcaktues për fatin e zgjedhjeve) për t’i dhënë mbështetjen finale ish-bashkëpunëtorit të tij. “Joe do të kujdeset për ju dhe sigurinë tuaj. Ndërsa Trump kujdeset sesi të ushqejë egon e tij”, tha ish-Presidenti Obama.
Nga ana tjetër Presidenti Trump foli me tone të ashpra për vendimet e disa gjykatave amerikane për të zgjatur proçesin e numërimit të votave. “Zgjatja e proçesit të numërimit të votave mund të jetë fizikisht e rrezikshme”, tha Trump, pa dhënë sqarime se çfarë nënkuptonte me këtë deklaratë.
Më vonë ai foli për të njëjtën çështje në rrjetin social Twitter, me një gjuhë akoma më të ashpër. “Vendimi i gjykatës së lartë mbi votimet në Pennsylvania është shumë i rrezikshëm. Ky vendim do t’i hapë rrugë manipulimeve dhe do të minojë sistemin tonë ligjor. Kjo do të shkatojë dhunë në rrugë. Diçka duhet bërë”, shkroi Trump.
Por vetëm disa orë më vonë, nga Kenosha, Wisconsin, Presidenti Trump tha se ka të dhëna për dhunë dhe plaçkitje nga ana e mbështetësve të Biden-it. Ai u shpreh se dënonte dhunën politike të cilësdo natyre qoftë ajo. “Si president unë do të garantoj paqe dhe rregull në këtë vend”, tha Trump përpara mbështetësve të tij.
Trump dhe Biden kanë shënjestruar njëri-tjetrin në rrjetin social Twitter përgjate gjithë ditës së hënë.
“Joe Biden është i blerë dhe i paguar nga kompanitë e teknologjisë, ato mediatike, donatorë të fuqishëm dhe interesa të ngushta. Ata duan medoemos që ai të fitojë pasi ata e kanë atë në prehërin e tyre, ata e kontrrollojnë atë”, shkroi Trump në Twitter.
Edhe Joe Biden ka shfrytëzuar të njëjtin rrjet social për t’u thënë mbështetësve të tij se: “Trump e sheh botën nga Park Avenue (lagje e klasit të lartë ne Manhattan, New York),” ndërsa ai nga qyteza e Scranton-it, në Pennsylvania (vendlindja e Biden).
“Ja përse unë do të luftoj çdo ditë si President për ta bërë këtë vend të favorshëm për shtresën e mesme dhe amerikanët me të ardhura të ulëta—jo vetëm për të pasurit dhe ata me lidhje të forta”, tha Biden në Twitter. Ai shkoi më tej kur tha se Donald Trump është Presidenti më i korruptuar dhe më racist në historinë moderne të Amerikës. “Pse duhet t’i japim atij edhe 4 vite të tjera”, pyet Biden.
Gjykata rrëzon republikanët
Ndërkohë, një gjykatës federal në Texas hodhi poshtë kërkesën e Partisë Republikane për të zhvleftësuar plot 127,000 vota në Houston, një zonë kjo e njohur për mbështetjen që i jep Partisë Demokratike. Bëhej fjalë për ato vota të hedhura në kuti të posaçme të vendosura jashtë qendrave të votimit, pa qenë nevoja që zgjedhësit të dalin nga makina (drive-through voting). Padia gjyqësore ishte një sfidë e minutës së fundit që i bëhej rregullave të votimit në ato shtete që janë përcaktuese për rezultatin e zgjedhjeve.
Paqartësi dhe frikë për dhunë
Lajmet për protesta masive dhe akte dhune në qytetet kryesore amerikane po qarkullojnë prej ditësh. Gjuha e ashpër e fushatës, incidentet sporadike mes mbështetësve të të dyja palëve në betejë, por mbi të gjitha deklaratat e zyrtarëve amerikanë të sigurisë dhe shërbimeve inteligjente, kanë shtyrë amerikanët të marrin masat e nevojshme.
Në qendrën e kryeqytetit të vendit, në Washington D.C., thuajse çdo biznes apo kompani në anë të rrugës ka veshur pjesën ballore me platforma masive prej druri. Ndërsa ecën në rrugët kryesore të Washingtonit mbizotëron një atmosferë e nderë, pjesërisht e shkaktuar nga pandemia, moti i ftohtë por kryesisht nga paqartësia se çfarë do të rezervojë e nesërmja.
Një klimë e ngjashme mbizotëron edhe në New York, New Jersey, etj. Pak ditë më parë Drejtori i Zyrës së Sigurisë Kombëtare dhe Gatishmerise në New Jersey Jarred Maples u shpreh se ekziston “një përzjerje djallëzore që nuk ka ndodhur në historinë amerikane. “Nëse ka ndodhur, ka qenë dekada, në mos shekuj më parë”, tha Maples.
Kjo është klima në të cilën shkon të votojë pjesa e mbetur e atyre që kanë vendosur të hedhin votën për kandidatin e preferuar në ditën zyrtare të zgjedhjeve. Fituesi do të shpallet (me vonesat e rastit) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kenë Presidentin e tyre të 46-të. Por pyetja që mbetet pas kësaj fushate të gjatë e të lodhshme është një dhe e vetme. A do të jetë në gjendje fituesi i zgjedhjeve të 3 nëntorit të bashkojë një Amerikë të ndarë?!