Mapo Letrare

Ametisti – guri i çmuar i modestisë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 16:45 - 19/07/20 |
Gladiola Jorbus

Ametisti – guri i çmuar i modestisë, i ekuilibrit dhe i harmonisë


…kambanoret lundruan në ametist…


‘Emily Dickinson’


 


Përkrahësit e “kristaloterapisë” pretendojnë se kristalet dhe gurët e çmuar, përveç se na pëlqejnë për shkak të ngjyrës, formës apo përbërjes së tyre, gjithashtu kanë veti që të na lehtësojnë shërimin falë rrjedhës së një ‘energjie shpirtërore’ të papërcaktuar.

Shprehja “energji vibruese” e shumëpërdorur kohët e fundit shërben për të përkufizuar idenë që dridhjet a vibrimet e kristaleve, mund të hyjnë vërtet në kontakt, me energjinë e trupit tonë.

Legjenda rrëfen se ametisti e ka marrë emrin nga nimfa Amethos me të cilin u dashurua perëndia i agrikulturës, i verës, i vreshtarisë, i kënaqësive të dehjes Baku. Që në lashtësi ekzistonte besimi se ametisti mbetej ilaçi më i mirë kundër dehjes dhe shpeshherë gotat, në epokën e Mesjetës përbëheshin pikërisht prej këtij guri, pra ametistit.

Ai përdorej si mbrojtje ndaj magjive e shtriganëve, madje thuhej se humbiste ngjyrën origjinale në rast se kundrejt personit të cilit i përkiste, kryheshin veprime apo ndërmerreshin iniciativa të liga. Në të njëjtën shkallë, ametisti favorizon fuqinë shpirtërore dhe atë psikike.

Ametisti i përket familjes së kuarceve kristalore dhe ngjyra e tij vjollcë përftohet prej gjurmëve të hekurit. Elementi i tij është uji: kjo ka të bëjë me sferën e emocioneve dhe të feminilitetit (dashuri, shërim, dhembshuri, pajtim, paqe, gjumë, ëndrra, ndjeshmëri).

Chakrat më të cilat lidhet ametisti janë Ajna Chacra, e gjashta (Balli apo Syri i Tretë) dhe e shtata, Sahasrara Chacra (Kurora).

Mitologjia sqaron se emri “ametist” rrjedh nga fjala e lashtë greke amethystos, që do të thotë “ai, i cili nuk dehet”.

Në antikitet, ametisti ishte i njohur për aftësitë e tij nxitëse ndaj qartësisë mendore dhe përdorej në festimet kushtuar perëndisë Dionis ose Baku. Fuqia e këtij guri ndihmonte në ruajtjen e kthjelltësisë së gjithkujt që e mbante me vete.

Në kohën e Grekëve dhe Romakëve, unazat prej bronzi, të zbukuruara me një gur ametisti konsideroheshin si ilaçi kundër së keqes.

Kurse gjatë Mesjetës, ametisti ishte më i kushtueshëm se diamanti dhe përdorej nga kleri e fisnikëria e lartë; mund ta gjeje në unazat e kardinalëve apo të mbretërve, si mishërim dhe simbol i fuqisë absolute sipas ligjit ‘ai që njeh shpirtin mund të zotërojë dhe materien’.

Tradita e martesave në Indi udhëzon që nuseve të reja t’u dhurohen kristale ametisti në ditën e dasmës, si një premtim besnikërie, përuljeje dhe butësie.

Efektet pozitive të ametistit në trupin e njeriut, gjithashtu janë të mirënjohura. Ai rregullon florën bakteriale në zorrë, kryen përthithjen e lëngjeve, stimulon metabolizmin, duke përmirësuar kështu gjendjen e përgjithshme fizike. Kontribuon në lehtësimin e tensionit e të dhembjeve, veçanërisht të atyre që lidhen me kokën, siç është migrena. Përpos këtyre është i dobishëm në trajtimin e sëmundjeve nervore, të traktit respirator e të lëkurës.

Ametisti është një gur lunar me energji (Yin) që zgjon brenda nesh aspektin femëror të Universit: intuitën më të lartë. Ai na ofron paqe të brendshme, qetësi, ekuilibër, harmoni; eliminon shqetësimet, zgjon durimin dhe largon egocentrizmin. Përmes ametistit mund të zhduket frika dhe situatat e ndryshme të jetës, mund të përballohen me vetëdije më të madhe.

Ky gur është zgjidhja ideale për kapërcimin e çasteve të trishta apo për fazat e para të depresionit që kanë lidhje me episodet e humbjeve a dështimeve të ndryshme.

Ametisti largon pagjumësinë, qartëson kuptimin e ëndrrave që shohim gjatë natës, rrit vetëdijen dhe ndjeshmërinë shpirtërore. Duke favorizuar introspeksionin dhe duke purifikuar subkoshiencën tonë, krijon një besim të thellë dhe na lejon të identifikojmë përsosmërinë hyjnore në botën që na rrethon.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas