Pas aktit normativ të qeverisë për ta shtyrë me tre muaj afatin e amnistisë fiskale, fluksi i qytetarëve që duan të bëjnë rivlerësimin e pasurive të patundshme ka pësuar rënie të ndjeshme. Drejtori i Përgjithshëm i Hipotekave, Arben Qiriako iu bën apel qytetarëve që të mos lënë këtë shërbim për ditët e fundit dhe të krijojnë radhë të gjata, siç ndodhi në dhjetor, por të aplikojnë për gjatë gjithë afatit. “Ajo që po vërehet tani sidomos në ditët e para të këtij viti, është një rënie drastike e aplikimeve për rivlerësime. Iu bëj thirrje qytetarëve të aplikojnë pranë zyrave vendore, për rivlerësimin e banesave të tyre dhe të mos ta lënë këtë në fund të afatit të përcaktuar, pra në fund të marsit, për arsye se do ketë sërish probleme. Të paktën deri në fund të vitit 2010 janë bërë rreth 15 mijë e 500 aplikime për rivlerësime të banesave të qytetarëve, por shifra e saktë do dalë më vonë”, – tha Qiriako. Nga të dhënat e shoqatës së ndërtuesve rezulton se deri në fund të dhjetorit llogariten të jenë rivlerësuar banesa në vlerën e 700 milionë eurove, dhe muajt e parë të 2012-ës pritet të rivlerësohen rreth 1 miliard euro. Kjo shumë pritet të rritet ndjeshëm deri në fund të marsit, kur është edhe afati i fundit i amnistisë.