Komisioni i Ligjeve ka miratuar në mbledhjen e sotme projektligjin për amnistinë, i cili pritet t’i kalojë Kuvendit. Nga amnistia do të përfitojnë rreth 700 të dënuar që lënë qelitë menjëherë sapo ligji të botohet në Fletoren Zyrtare.
Draftit të hartuar nga Ministria e Drejtësisë, iu bënë disa ndryshime në komisionin parlamentar. Kësisoj u vendos nga që amnistia të përfshijë të gjithë kategoritë që janë dënuar deri më datë 31 dhjetor të 2019-ës. Fillimisht Ulsi Manja kërkoi që efektet e amnistisë të shtyheshin deri në momentin që hyn në fuqi, por Gjonaj u shpreh se nëse miratohej në këtë formë kush ka bërë krim dorëzohet dhe përfiton nga amnistia.
Më tej ministrja e Drejtësisë tha në burgjet shqiptare janë 54 gra nga të cilat 22 do të përfitojnë lirinë nga amnistia, ndërsa 28 të tjera ulje të dënimit me 1/3. Sakaq, 4 prej tyre nuk janë përfshirë si pjesë përfituese nga amnistia. Ndërkohë që nga amnistia do të përfitojnë edhe 4 të mitur ku njëri prej tyre do të lirohet ndërsa 3 të tjerët do të përfitojnë uljen e dënimit.
Pr/ligjit të aministisë iu bënë edhe dy ndryshime të tjera të rëndësishme: Të dënuarit për ndërtim pa leje në tokën e tyre do të lirohen. Ndërsa me një nen të posaçëm do të ndalohen të dalin nga burgu të gjithë ata që janë dënuar për vepren penale të vjedhjes edhe pse mund të jenë në muajt e fundit të vuajtjes së dënimit.
Debati
Teksa po zhvillohej seanca dëgjimore me ministren Etilda Gjonaj, në Komisionin e Ligjeve ka pasur edhe debate të forta që pasuan largimin nga mbledhja të deputetit Adratik Alimadhi, i cili u ndje i fyer nga kolegët e mazhorancës.
Alimadhi: Qeshni kur unë flas, më thoni nëse nuk më doni në komision dhe largohem. Nuk ofendoj asnjë, mos qeshni të paktën kur flas. E bëtë një opozitë që të ikte, po largohem edhe unë. Mos flisni në këtë gjuhë të pakulturë. Nëse nuk jam për këtu unë të largohem . Si diktaturë. Nuk qeshet kështu. Ku jemi këtu. Nëse unë se kam vendin këtu më çoni ku ka qenë para viteve ’90.
Pas kësaj Alimadhi u largua nga mbledhja.