Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç tha se dëshiron të mohojë spekulimet se tashmë është rënë dakord që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Brnabiç u shpreh se: “I vetmii qëndrim për momentin është qëndrimi i Këshillit tonë të Sigurisë Kombëtare dhe i Qeverisë, dhe ai është se ne jemi kundër sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë dhe se respektojmë integritetin territorial të Ukrainë”.
Ajo tha se është e vështirë të mbrohet qëndrimi parimor i Serbisë, ndërkohë që janë duke u përballur me presion të vazhdueshëm, raportoi media serbe Danas.
“Fakti që të gjitha shtetet e përdorin të drejtën ndërkombëtare në mënyrën që u përshtatet në një moment të caktuar, është çështje tjetër. Për një vend të vogël, një vend territorialisht të vogël si Serbia, e vetmja gjë që na mbron është e drejta ndërkombëtare dhe do të doja që ata të respektojnë integritetin territorial të Serbisë në të njëjtën mënyrë si disa respektojnë integritetin territorial të Ukrainës”, tha Brnabiç.
Sa i përket situatës në rajon dhe nëse mund të ndodhë një krizë më e madhe, ajo theksoi se shumë janë të shqetësuar, por beson se do të ruhet stabiliteti.