Aktualitet

Analiza e barnave dhe pajisjeve mjekësore/ Jakaj nga LSI: Rama dhe Manastirliu mashtrojnë









Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 16:30 - 11/09/20 |
mapo.al

Eksperti i shëndetësisë pranë Lëvisjes Socialiste për Integrim, Besnik Jakaj në një deklaratë nga selia ka deklaruar se kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu mashtrojnë teksa thonë se në Shqipëri nuk bëheshin më parë analizat e barnave dhe pajisjeve mjekësore.



Deklarata e Besnik Jakajt:


Të nderuar qytetarë!




Jam sot përpara jush për të denoncuar mashtrimin e radhës të Kryeministrit të Shqipërisë z. Edi Rama dhe Ministres së Shëndetësisë znj. Manastirliu para 2 ditëve gjatë rikonstruksionit  të godinës së Agjencisë Kombëtarë të Kontrollit të Barnave dhe pajisjeve mjekësore.



Ky mashtrim i hapur në rikonstruksionin e një godine i Kryeministrit dhe i Ministres është një turp i madh që bën qeveria e rilindjes duke abuzuar dhe gënjyer hapur se në Shqipëri nuk bëheshin më parë analizat e barnave dhe pajisjeve mjekësore.
Siguria e barnave të nderuar qytetarë është shkencë e bazuar në regjistrimin, analizimin dhe monitorimin e sjelljes së tyre në tregun farmaceutik. Nuk është fasadë. Nuk është pllaka, zyra, salla konferencash apo zyrë drejtorësh.


Me këtë mashtrim të jashtëzakonshëm që bëri publikisht Kryeministri i Shqipërisë dhe Ministria e Shëndetësisë duke gënjyer hapur qytetarët për një fakt që nuk ekziston kanë fyer profesionistët e shëndetit, farmacistët, mjekët, laborantët, kimistët që kanë vite që punojnë me përkushtim, ndershmëri në fushën e sigurisë së barnave.

Analizimi i barnave në vendin tonë ka filluar që prej vitit 1994 pasi ky laborator u pajis me fondet farë të BE-së dhe të gjitha aparaturat ishin të reja dhe e gjithë gama e analizimit të produkteve farmaceutike bëhej në këtë laborator.
Në vitin 2009-2010 përsëri me fondet e Komisionit Europian dhe të Ministrisë së Shëndetësisë ky laborator u ripajis me pajisje të reja bashkëkohore dhe të fundit dhe kryheshin të gjitha analizat e barnave që prodhoheshin në Shqipëri dhe të gjitha barnave që vinin nga importi nga vendet e Bashkimit Europian apo të botës.

Në këtë periudhë, me këtë projekt u trajnuan rreth 12 punonjës për analizimin e barnave, regjistrimin e barnave si dhe për faramakovigjilencën, pra shkenca që merret me monitorimin e barnave në tregun farmaceutik, sjelljen e tyre dhe efektet e dëmshme apo cilësinë e efektit në diagnoza të ndryshme që përdoren barnat për shërimin e tyre. Dua të theksoj që në vitin 2014 me ndryshimet ligjore që bëri qeveria e rilindjes shkaktoi një dëm të jashtëzakonshëm në dëm të sigurisë dhe cilësisë së barnave, duke i hapur rrugën importit paralel, dhe përmes importit paralel të nderuar qytetarë rrezikohet jashtë mase siguria dhe cilësia e barnave, pasi rritet mundësia e falsifikimit të barnave, e ripaketimit të tyre dhe shtohet kontrabanda për nevojat dhe hapësirat që krijohen në treg.

Në këtë periudhë me ndryshimin e ligjit u larguan nga Shqipëria disa kompani farmaceutike më prestigjiozet në botë dhe sot barnat e tyre që janë në të gjithë botën, madje dhe në rajonin tonë nuk ndodhen në Shqipëri. Në këtë mënyrë qytetarët shqiptarë këto barna për i kërkojnë në rrugë të paligjshme për të trajtuar shëndetin e tyre dhe sëmundje të ndryshme. I gjithë ky ndryshim ligjor u bë nën pretekstin e uljes së çmimeve që në fakt u bë për një arsye të vetme për të favorizuar prodhimin e barnave jo cilësore dhe për të favorizuar klientelën e tyre dhe ortakët e tyre në biznes dhe në politikë.

Lexo edhe :  Kërpaçi nga Kombinati: Rindërtimi të bëhet aty ku banorët kanë shtëpitë

Qytetarët shqiptare e dinë mirë gjendjen që është sot me barnat në vendin tonë, pasi e prodhojnë çdo ditë sorollatjen që kanë për të gjetur barnat e duhura për të trajtuar diagnozën e duhur. Kryeministri dhe ish ministri i Shëndetësisë dalin dhe bëjnë deklarata publike duke mashtruar hapur qytetarët shqiptarë dhe duke mos u koordinuar me njëri tjetrin, ish ministri thotë që për shkak të ndryshimit të ligjit janë kursyer 70 milionë dollarë në vit në xhepat e qytetarëve shqiptar, kryeministri thotë që janë kursyer 8 milionë euro në xhepat e shqiptarëve, tani gënjen ministri apo kryeministri, në fakt për mua gënjejnë të dy, por ata duhet ta ndajnë më njeri tjetrin se cili ka gënjyer.

Dua të bëj disa pyetje të thjeshta kryeministrit dhe ministres së Shëndetësisë, le të kthejnë përgjigje dhe të japin llogari para qytetarëve shqiptarë, para drejtësisë, sepse në çdo vend të botës ky mashtrim i hapur dhe i papërgjegjshëm, i vërtetuar katërcipërisht që është një mashtrim i plotë, do të mbahet përgjegjësi ose nga kryeministri ose nga personat që e kanë mashtruar dhe keqinformuar atë.-Sa analiza barnash janë kryer vitet e fundit nga laboratori i Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore?

-Sa barna janë çregjistruar për shkak të monitorimit të tyre në treg për mungesë efekti apo për efekt të dëmshëm?
-Çfarë protokollesh janë ndjekur nga Qendra e Farmakovigjilencës dhe çfarë raportesh kanë rigjeneruar prej tyre në dy vitet e fundit për barnat dhe shërbimin e farmaceutik në vendin tonë?

-Sa barna janë të paregjistruara në listën e barnave që tenderohen në spitalet publike? Ka disa barna të paregjistruara dhe janë pjesë e tenderave publikë, gjë e cila është hapur shkelje e ligjit, sepse bari i paregjistruar do të thotë që është një bar i pakontrolluar, i pacertifikuar, mund të jetë “fake drug”, mund të ketë përbërës të dëmshëm në të dhe është totalisht abuzim me ligjin.

Në çdo vend të botës për këto gabime fatale do të mbahej përgjegjësi nga kryeministri dhe ministri.

Dua të sjell në vëmendjen e qytetarëve që nga viti 2008, 2009, 2010, 2011, 2012 janë çregjistruar me dhjetëra barna në Shqipëri për shkak të analizimeve që janë bërë në këtë laborator të Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave. Në disa raste kemi pasur gjyqe ndërkombëtare dhe ka fituar gjyqin për çregjistrimin e këtyre barnave në kompanitë e huaja Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave, pasi analizat tona kanë qenë të sakta, profesionale, me aparatura të validuara dhe të certifikuara dhe ka dhënë rezultat të saktë dhe të plotë.

Ky është një mashtrim i jashtëzakonshëm që iu bëhet qytetarëve nga drejtuesit e këtij shteti dhe një fyerje e jashtëzakonshme që iu bëhet profesionistëve të shëndetit.
Faleminderit!

1


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas