Ekonomia e vendeve të Ballkanit ku përfshihet edhe Shqipëria, do të ketë një rritje deri në 0.4 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, sipas një analize të fundit të grupit qendror të Raifeissen Bank në Vjenë. Kryeanalisti i një prej bankave më të mëdha në Europën Juglindore, Peter Brezinschek pret që rajoni në tërësi të shënojë një rritje prej 2 për qind të GDP-së në 2012-ën. “Kjo rritje që ne kemi parashikuar për Europën për këtë vit duhet parë në krahasim me rënien prej -1 për qind që parashikojmë për eurozonën”, – shton Brezinschek. Sipas tij, zhvillimet ekonomike të gjashtëmujorit të parë në Europë dhe Ballkan janë tepër pesimiste, por ekonomia pritet të rimarrë veten në gjashtëmujorin e dytë për të konkluduar në finale me një rritje të përgjithshme 2 për qind. Sipas tij, Europa Qendrore dhe Lindore mbeten nën formulën magjike të krizës së borxhit në eurozonë. Analistët e Raiffeisen Research parashikojnë që efektet negative si rezultat i lidhjeve të forta të tregtisë së huaj me eurozonën do të shprehen më shumë në Europën Qendrore (EQ), për të cilën analistët presin një rritje rajonale të GDP-së me 0.5 për qind, dhe në Europën Juglindore (EJ), për të cilën parashikojnë që të shënojë një normë rritjeje prej 0.4 për qind. Me përjashtimin e dukshëm të Polonisë (ku pritet një rritje e GDP me 2.2 për qind), parashikimi i analistëve të Raiffeisen Research për GDP bie poshtë për të gjitha vendet e Europës Qendrore, duke përfshirë edhe Austrinë (-0.5 për qind). Raiffeisen parashikon që fokusi i fortë i ekonomive rajonale ndaj ekonomisë gjermane, masat e nevojshme për konsolidimin e buxhetit si dhe kreditimi i kujdesshëm janë faktorët kryesorë që do të çojnë në një 6-mujor të parë të dobët të 2012-ës. Megjithatë, Brezinschek është më optimist për 6-mujorin e dytë të vitit. “Një vështrim më i ngushtë në parashikimin tonë për GDP në EQL bën të qartë që trendi negativ për gjysmën e parë të 2012-ës duhet të kompensohet nga një zhvillim më i mirë në gjysmën e dytë të vitit. Sipas Raiffeisen Research, piku i inflacionit duket se është arritur tashmë në shumicën e vendeve të rajonit të EQL. Tensioni i përsëritur që e ka prejardhjen nga kriza e borxhit do të ushtrojë presion shtesë mbi monedhat e EQL-së në tremujorin e parë të vitit 2012. “Vetëm pasi gjendja ekonomike dhe financiare e tregut është përmirësuar në pjesën e dytë të vitit, ne presim që monedhat e EQL të rriten gradualisht”,- beson Brezinschek. Kjo sipas tij, vlen edhe për rublën ruse, e cila ka qenë tradicionalisht e dobët në krahasim me USD-në gjatë gjysmës së parë të vitit.”Raiffeisen parashikon mundësi të mëdha për rënie në fillim të vitit 2012, veçanërisht në bursë në Hungari, Republikën Çeke dhe tregjet e Ballkanit. Situata relativisht e qëndrueshme në Poloni dhe Rusi, gjithashtu duhet të pasqyrohet në humbje për shkak të uljes së çmimeve.