Kryesore

Analiza e Ylli Pangos: Si flasin e gjestikulojnë shqiptarët






               Publikuar në : 09:15 - 23/01/19 |
mapo.al

Pjesë nga libri ‘Psikologji shqiptare’


Nga Ylli Pango

Si komunikojnë, si flasin shqiptarët? Me njëri-tjetrin? Me të huajt? Me më të lartët në pozitë? Me ata që janë më poshtë? Në emisione televizive? Në mitingje? Si komunikojnë liderët me masat? A ka specifika të shqiptarëve në komunikim? A kemi të tjera, veç atyre të përgjithshme, që u takojnë të gjithë popujve, atyre rajonalë mesdhetare apo më ngushtë, ballkanikë. Është një temë që i takon sa linguistikës aq dhe psikologjisë. Do të shohim aspektin psikologjik. Si komunikojnë në shoqëri, në publik, në familje shqiptarët. Komunikimi mund të ndahet në dy lloje kryesore: verbal, gojor a gjuhësor nëpërmjet të folurit, çka na dallon thelbësisht edhe nga kafshët dhe joverbal, jogojor, nëpërmjet gjesteve, shprehjeve të fytyrës, pozicionit të trupit, lëvizjeve etj. Komunikimi joverbal, siç dihet, kryhet nëpërmjet shumë kanaleve njëherazi. Me sy, me duar, me lëvizje, me mimikë fytyre etj. Është funksion i shumë stimujve që emetohen në të njëjtën kohë. Komunikimi joverbal zakonisht plotëson funksionin e vet në ndërthurje me komunikimin verbal. Por mund të kryhet siç e dimë edhe veçmas, kur njeriu bën gjeste, shenja, lëvizje trupi, duke transmetuar kësisoj sinjale që japin informacion kuptimplotë. Komunikimi joverbal konsiderohet i rëndësishëm edhe për të ndërtuar dhe mbajtur raporte të caktuara mes njerëzve. Por ai vlen disa herë edhe për të shmangur situata stresuese. Ai shpreh emocionet, qëndrimet ndërpersonale dhe shoqëron fjalët për të menaxhuar më lehtë ngacmuesit (stimujt) gjatë ndërveprimit. Ai gjithashtu vetëprezanton njeriun dhe së fundmi është edhe ritual. Nga ana tjetër, njerëzit e shprehin afërsinë ndërpersonale nëpërmjet një serie veprimesh joverbale si buzëqeshja, prekja, pozicioni i trupit, kontakti i syve. Komunikimi joverbal varet nga situata, normat kulturore, popujt, por dhe nga specifikat individuale. Aq i rëndësishëm është ky komunikim për njerëzit, saqë në vendet e mëdha ku multikultura, ekzistenca e mjaft etnive, zakoneve etj., është pjesë me rëndësi e ekzistencës së vendit; grupimet e mëdha multietnike, që do të jetojnë për një kohë relativisht të gjatë së bashku, i nënshtrohen një procesi adaptimi me njëri-tjetrin.

Episod 1. Në vitin 1995, ishim rreth 30 bashkëstudentë pasuniversitarë nga të gjitha kontinentet, që do të ishim bashkë rreth dy vjet. Për këtë arsye, përpara fillimit të kursit pasuniversitar në Universitetin e Bostonit, do të duhej të jetonim dy javë së bashku në një kamping mes pyjeve në Vermont. Kjo bëhej që të njihnim njëri-tjetrin në të gjitha aspektet e komunikimit verbal e joverbal, e sidomos për të shmangur çdo mosmarrëveshje a keqkuptim mes nesh më vonë, për shkak të ndryshimeve të kulturave. Ndonëse jo për një kohë të gjatë, mësuam të jetonim bashkë, të gatuanim bashkë, madje të luanim bashkë si fëmijët. Në krye të dy javëve u afruam shumë më tepër seç e kishim parashikuar dhe mësuam nga kulturat e vendeve të njëri-tjetrit shumë.

Komunikimi joverbal, përbën sipas studiuesve rreth 2/3 e komunikimit mes njerëzve. Sinjalet e trupit janë vetë tiparet fizike, gjestet e sinjalet koshiente e jokoshiente dhe përdorimi nga folësi e marrësi i hapësirës fizike. Mund të merren mesazhe të gabuara kur gjuha e trupit nuk përputhet me mesazhet verbale. Duhet pasur parasysh, siç e kemi thënë më sipër, se përshtypje nga më të rëndësishmet për tjetrin, formohen që në minutat e para të takimit. Takimi i parë, përshtypja e parë, ndikon fuqishëm perceptimin e tjetrit, madje gjithë njohjen e mëtejshme, sepse marrësi kur merr mesazhin, njihet, është i fokusuar në gjithçka që ka të bëjë me atë çka do të njohë. Kësisoj ai vë në përdorim të gjitha shqisat, sidomos vështrimin, por dhe dëgjimin, nuhatjen, prekjen, shijen dhe ndërvepron me të gjithë hapësirën përreth. Nxënësi p.sh. e ndërton raportin me mësuesin përgjithësisht i bazuar shumë te përshtypja e parë. Fytyra është shprehëse nga më aktivet e emocioneve, burim informacioni i pasur. Por në disa raste nuk duhet harruar se mund të bëhet edhe mbuluese, maskë e tyre, që të çon në përfundime të gabuara. Njeriu mund të realizojë e njohë mijëra shprehje të fytyrës. Një burim i jashtëzakonshëm informacioni! Mes tyre, e rëndësishme në komunikim, është shprehja nga komunikuesit, e marrjes parasysh së diferencës së niveleve të njerëzve që po komunikojnë mes tyre. Te ne kjo shpesh shpërfillet. Ne bëjmë njësh në komunikim të vjetrin e të riun, të diturin e të paditurin, eruditin e injorantin. Në publik e në media, mes nesh e kudo. Kur bën këtë, njeriu shqiptar nuk e ka problem të përdorë një seri formash tipike joverbale, si p.sh. të të rrahë shpatullat a të të kapë nga krahu, edhe pa të njohur pothuajse fare; të të dale përpara a të kthejë kokën e të të ngulë sytë me kureshtje a edhe të të pyesë: “Ku të kam parë unë ty?”; e mjaft të tjera të këtij lloji të pakonceptueshme për një kulturë perëndimore.

Episod 2: Në vitin 2005, në ditët e mia të para si deputet në Parlamentin shqiptar, disa nga kolegët që vinin si edhe unë për herë të parë, shprehnin një farë rezerve e mbanin një farë distance respektuese. Më thoshin me sinqeritet se u dukej pak si habi që ishin ulur në një bankë parlamentare me një profesor të njohur, që e kishin parë në TV etj. etj. Për disa javë ata vazhduan kështu. Pa dyshim ndikonte dhe fuqia magjike e medias. Në krye të disa muajve, kur u “familjarizuan”, disa syresh, sidomos ata me nivel më të ulët kulturor (e për të tillë nuk ka vuajtur kurrë Parlamenti shqiptar), nuk e kishin problem të të shtynin në dyer për të dalë përpara, të të jepnin goditje sa të mpinin kurrizin “në shenjë miqësie”, apo edhe të të shtynin karrigen me këmbë pa të kërkuar leje, për t’iu hapur vend rreth tryezave të vogla të kafenesë parlamentare. Në Shqipëri kjo quhet “t’i pish lëngun tjetrit” apo “të bëhesh si këmbët e dhisë”. (Për të mos shkuar më tej me “familjarizime” të tjera që nuk pyesin për status, shoqëruar me shprehje nga më banalet). Charles De Gaulle, preferonte të ishte distant me njerëzit në përgjithësi. Të mos harrojmë se flasim për Francën, një vend ku kultura qytetare spikat. Te ne mesa duket kjo është ndryshe. Komandantët tanë, përqafohen, shtrëngojnë duart, rrahin krahët me shumë e shumë njerëz të thjeshtë. Kjo, sepse edhe në këtë aspekt, modelohet në sjellje, nëpërmjet gjesteve, komunikimit joverbal, koncepti i ngulitur te ne që prej kohëve të lidershipit diktatorial: udhëheqësi duhet të jetë gjithnjë “gju më gju me popullin”. Është edhe për këtë arsye, të reminishencave të së kaluarës, që ne jemi ende mes nesh në këto raporte “barazie” shprehur kaq ashpër edhe nëpërmjet gjesteve e të folurit. Problemi është që kjo barazi e shprehur në formë verbale e joverbale, është jo rrallë hipokrite dhe e shtirë.

Mesazhet lëvizore, veç vështrimit të ngulitur, lëvizjeve të kokës, fytyrës a mimikës, përfshijnë edhe gjuhën e trupit, lëvizjet e këmbëve, duarve, trungut në komunikim, pozicionin. Këto mesazhe janë shumë më të holla e më të sofistikuara se gjestet. Disa shembuj do të ishin ngritja e shpatullave, pozicioni i trupit, hapja e këmbëve, ngritja e krahëve. Gjestet shoqëruese a ilustruese janë elemente a tip i sjelljes trupore që përdoret për të modifikuar a shtuar diçka në atë që themi me fjalë. Kështu p.sh. tregojmë me dorë (përveçse me gojë) ku është shtëpia, hapim krahët për të treguar sa i madh është një objekt etj. Prekjet gjatë komunikimit, ku përfshihen shtrëngimet e dorës, puthjet (në buzë, faqe, dorë), rrahja e shpatullave, përplasja e duarve e tipit “qe palla”, janë po ashtu pjesë e komunikimit tonë joverbal. Prekja mund të përfshijë dhe pickim, mbajtje, kruajtje. Këto përçojnë mesazhe lidhur me qëllimet e ndjenjat e njerëzve. Edhe këtu variacionet e prekjes vijnë nga kulturat, situatat, raportet, konteksti. Prekja mund të jetë gjithashtu platonike ose seksuale. Ndjeshmëria karshi saj nis që nga fetusi. Nuk ka mbijetesë pa prekje. Bebja nis të ndiejë që në fetus, në sajë të prekjes. Prekjet janë të rralla midis anglezëve, francezëve etj., por të shpeshta te shqiptarët, italianët, grekët etj., deri në një masë prej 15%. Kulturat që i përdorin më shumë, prekjet konsiderohen kultura të kontakteve të larta dhe këtu shqiptarët janë ndër më tipikët. Shqiptari i thotë jo rrallëherë bashkëfolësit shqiptar: “fol me gojë, mos prek me dorë”, pikërisht sepse prekja, shtyrja, ngacmimi fizik, janë të zakonshme midis nesh. Por prekja ka edhe ajo anën e saj të mirë në disa raste, kur vetë njeriu ka nevojë a e kërkon vetë ngrohtësinë njerëzore: rrallëkush si jugorët (mesdhetarët) e shpreh ndjenjën kaq thellë, larmishëm e ngrohtë. Kjo i jep marrëdhënies njerëzore ngjyrë, formë, variacion. Te ne akoma më shumë. Veçse ne japim konfidencë a intimitet vend e pavend. Nganjëherë duke dashur të tregojmë që nuk përfillim as statusin, as moshën e as personalitetin e tjetrit (kjo shkelet shpesh kur më të rinjtë, madje dhe fëmijët, i thërrasin me emër njerëzit në moshë). Lidhur me këto te ne edhe shtyrjet, tërheqjet, pickimi, shkelmimi, mbytja, gjoja miqësore, por edhe armiqësore, janë forma të përdorura rëndom edhe si adaptorë në raport me njëri-tjetrin. Ka dhe shprehje të tjera joverbale, të ndryshimit të statuseve a niveleve mes njerëzve, që “lexohen” njëlloj a ndryshe nënkultura të ndryshme. Kë ka shqiptari tipike ndër to? Gjestet me krahë, këmbë, trup, fytyrë, kokë, sy, përpëlitje sysh? Të gjitha këto janë tipike për mesdhetarët e ballkanasit pra edhe për shqiptarët në veçanti. Ato te ne janë energjike, të spikatura, të vrullshme e shpesh aktoreske. Shprehje ndër më të njohurat e komunikimit joverbal janë edhe emblemat ose gjestet e quajtura specifike për disa kultura. Por disa syresh janë të njëjta për të gjitha kulturat. Do të duhej një studim veçmas për të mbledhur të gjitha emblemat e shqiptarëve që nuk janë të pakta. Kështu shenja me dy gishta V për fitoren është bërë internacionale pra dhe e jona. Por ka të tjera që janë tipike vetëm për ne. Kështu gishti i mesit i përkulur, është një emblemë që konsiderohet si shenjë e turpshme për shqiptarët, por që nuk është turp për amerikanët. Gishti i madh lart, tregon se nuk do ta bësh diçka a nuk do t’ia japësh diçka dikujt; bashkimi i gishtit të madh me treguesin përdoren për të treguar diçka që është shumë e mirë (femër etj). Kurse kur këta gishta fërkohen, kjo emblemë për shqiptarët ka kuptimin e parave. Emblema për shumë popuj, por dhe për ne, janë edhe përshëndetja me dorë, tundja e dorës në shenjë lamtumire. Kurse në veçanti te shqiptarët e veriut emblemë tipike është ajo e vënies së dorës në zemër. Te shqiptari ka mjaft gjeste mbështetëse të fjalëve, por ka edhe gjeste të pavarura. Gjestet janë të domosdoshme për komunikimin efektiv, emocional, por shërbejnë edhe si forma bindëse. Me to synohet bindja, por edhe qëllime të tjera të bisedës. Ne, italianët e latino-amerikanët e shoqërojmë komunikimin me shumë gjeste. Më pak të tilla shfaq Lindja e Largët e Azia. Ata janë më pak ekspresivë, por më shumë sinjifikativë në komunikimin joverbal a ndryshe në mimikën memece.

Kontakti me sy është një element tjetër shumë i rëndësishëm i komunikimit joverbal. Njerëzit kur shohin njëri-tjetrin shprehin interes, angazhim, vëmendje, përfshirje. Meshkujt ndaj femrave e shprehin interesin duke i parë ato, femrat veç kësaj rrotullojnë edhe sytë përreth. Ekzistojnë pra për sekse të ndryshme, mënyra të ndryshme kontakti sysh. Mosinteresimi shprehet duke mos i parë apo duke bërë sikur nuk i sheh të tjerët. Vështrimi në sy, në varësi të zgjatjes në kohë, shpreh një informacion të madh komunikimi. Përfshi këtu edhe mënyrën si i përpëlit qepallat, sa gjatë e ngultas sheh etj., kur flet e dëgjon. Nëpërmjet këtyre shprehet shpesh një informacion i madh emocional e social. Në përgjithësi shqiptarët i shohin të tjerët, edhe të panjohurit, ngultas, gati paturpësisht madje edhe kthejnë kokën për t’i ndjekur me sy, kur ikin, për t’i parë më mirë e për të bërë më tej komente. Kjo ndodh qoftë kur shqiptari ka kuriozitet për personin në fjalë, por qoftë edhe për kureshtje banale. Është pa dyshim shprehje e një kulture ende të pazhvilluar komunikimi, mosrespektimi të tjetrit, të lirisë, intimitetit, qetësisë së tij. Për më shumë edhe mosmarrje parasysh e psikologjisë së tjetrit, e shqetësimit që mund t’i shkaktohet atij kjo shprehje e hapur e ndjenjave e emocioneve a opinioneve për të, edhe kur tjetri nuk e njeh e nuk ka të bëjë fare me të. Madje edhe në rastet kur njeriu është i njohur, duhet dhënë aq kontakt sysh, sa ta mos e bësh tjetrin të ndihet jo rehat. Megjithatë, ndonëse është jo e pranueshme nga ana kulturore, nganjëherë shikuesit janë më shumë të besueshëm sesa joshikuesit, sidomos në një raport mes njerëzish, ku kërkohet të krijohet besim reciprok. Në Perëndim, në përgjithësi, njerëzit i mbajnë sytë ulur mbi ndonjë libër a lexojnë gazetat kur udhëtojnë në tren apo metro, për kulturë komunikimi, për të mos shqetësuar tjetrin me vështrime, sidomos para a pas pune, kur tensionet janë më të mëdha, por edhe për të shmangur përplasje me njerëz agresivë, provokativë, të çrregulluar mendërisht a të dehur. Te ne kjo kulturë nuk ekziston ende. Në Mal të zi, aq i afërt gjeografikisht me ne, ndonëse u takojmë kulturave mesdhetare të ngjashme, njerëzit i shohin të panjohurit në rrugë a kthejnë kokën kur kalojnë ata, shumë më pak se ne shqiptarët. Natyrisht nga pas a kur u bën diçka përshtypje, edhe ata bëjnë komente si ballkanas tipikë, por së paku etika e komunikimit të jashtëm ruhet. Ndoshta edhe për arsye të kontakteve më të gjera me turistët e huaj që së paku deri më sot, kanë qenë më të shumtë në vendin fqinj, të daljes së tyre më të hershme në botë etj., ata paraqiten më të moderuar në këtë aspekt.

Megjithatë, kontakti i syve në disa kultura konsiderohet edhe si shprehje edukate. I tillë është në disa vende aziatike apo në Lindjen e Mesme. Në një aspekt edhe amerikanët e europianët e cilësojnë shikimin në sy, disa herë si shprehje e vëmendjes dhe e ndershmërisë. Amerikanët p.sh. kanë tipike ca vështrime të shkurtra për të parë nëse e njohin tjetrin (apo njihen soje), kurse arabët shihen intensivisht në sy për t’u shprehur. Afrikanët (disa syresh) japin një lloj vështrimi, si shenjë respekti për njerëzit më superiorë. Por përsëri nuk duhet harruar, se kur vështrimi është i ngulitur gjatë, mund të sjellë siç e thamë, edhe përjetim emocionesh negative. Kjo, sepse kontakti i syve mund të interpretohet (vjen edhe si trashëgimi nga bota shtazore) si shenjë armiqësie, sinjal agresiviteti a agresioni potencial, shenjë dominimi etj., sidomos kur njerëzit nuk njihen. Te ne vështrimet e ngulitura gjatë, nganjëherë në mënyrë të paturpshme, janë jo të rralla. Sidomos kur figurat që ndiqen me sy a iu ngulitet vështrimi, janë publike apo të njohura nga media, TV. Kërshëria, e cila edhe në botë mund të konsiderohet normale në këto raste, te ne shpesh shprehet edhe si një lloj kërshërie e keqe, e paturpshme, e shfaqur me vështrime të ngulitura gjatë e me komente nga më të shumëllojshmet. Por në Shqipëri, shikimi i gjatë mund të bëhet shkak edhe për të filluar një bisedë, një njohje të re. Edhe kjo është specifikë e komunikimit joverbal shqiptar.

Shprehjet e ndryshme të fytyrës janë mbi 10000. Të tilla janë shprehja e buzëve, gojës, e syve, nofullave, vetullave, hundës, ballit etj., etj. Ato shprehin zemërim, gëzim, lumturi, trishtim frikë, neveri, turp, ankth, interes etj. etj. Emocionet që shprehen mund të jenë pozitive e negative. – Gjeste të caktuara, variojnë si kuptim në kultura të ndryshme. Kështu p.sh. shqiptarët dhe grekët tundjen apo luajtjen e kokës majtas e djathtas, gjatë dëgjimit të tjetrit, e konsiderojnë shenjë pohuese, ndërkohë që në kulturat komunikuese të popujve europerëndimorë, ajo është mohuese. Pohuese për ta është lëvizja e kokës lart-poshtë, të cilën e kemi gjithashtu edhe ne si shenjë pohimi.

Sidomos në vitet e para pas izolimit të gjatë, vite të vërshimit të të huajve te ne, për shkak të kësaj, ndodhnin shpesh keqkuptime mes të huajve e shqiptarëve në komunikim. I huaji shpjegonte diçka, shqiptari lëvizte kokën djathtas në shenjë pohimi (edhe lart poshtë herë-herë), dhe i huaji pyeste i habitur: Si? … nuk jini dakord? Në kultura të ndryshme, format e komunikimeve joverbale kanë kuptime të ndryshme. Arabët e persianët e shprehin hapur ankesën, aziatikët jo dhe e quajnë jo të përshtatshme këtë. Kinezët preferojnë heshtjen mbi komunikimin joverbal. Kjo është edhe pjesë e kulturës budiste: vetë Buda, kur i ofroheshin dhurata, nuk e shprehte pranimin kurrë gojarisht. Vetëm me heshtje.

Shprehja emocionale në komunikimin joverbal, varion me kulturat; sa më individualiste kultura aq më shumë shfaqen emocionet e tilla si ato që shprehin mosangazhim ose theksojnë çfarë po ndien individi për momentin si inat, neveri, gëzim. Te ne p.sh. shprehja hapur e emocioneve, e ndjenjave është gati normë kulturore. Në kulturat aziatike është e kundërta. Në kombet e sofistikuara, në botën diplomatike etj., po kështu. Frika ka më pak të ngjarë të shfaqet, sidomos në shoqëri kolektiviste si ajo japoneze. Po të shfaqej, ajo do të tregonte tërheqje sociale të individit. Kurse te shqiptarët kjo shfaqje emocionesh është shumë më e hapur. Kjo për arsye se prapa shfaqjes formale kolektiviste të shoqërisë së patrembur shqiptare të së shkuarës, qëndronte e strukur frika e individit vetmitar e të pambrojturi nga shteti i egër totalitar. Në ato kohë, sistemi me instrumentet e tij, hynte për t’u informuar deri dhe në shtratin bashkëshortor dhe njeriu nuk ndihej i sigurt as me të afërmin. Sot te ne individualizmi është shfaqur hapur, egër dhe njeriu ndien përsëri frikë, ndihet i pambrojtur, i tmerruar nga pushteti, qeveria, por edhe nga shumë kundërshtarë të tjerë. Nga krimi. Nga njeriu tjetër shqiptar. Nga drejtësia e shtrembëruar. Ndihet përsëri vetëm edhe sepse shteti nuk është i fortë për ta mbrojtur, as i ndërgjegjshëm për nevojën e kësaj mbrojtjeje, madje është indiferent, përbuzës. E kjo e bën gjithashtu të frikësuar shqiptarin. Ka te ne biznesmenë, intelektualë, por edhe njerëz të thjeshtë, që shprehin hapur me gjeste e fjalë frikën e pasigurinë ndaj së ardhmes. Por gëzimi, frika e shqetësimi në shoqëri si jona individualiste, shfaqet hapur vetëm në tryeza, në kafene, me zhurmë, gjeste, e duke krijuar edhe shqetësim nganjëherë për tjetrin. Ai nuk shfaqet i tillë në shoqëri më kolektiviste, ku me zhurmën, individi mund të cenojë grupin, me vlerat e ndërvarësisë, me shfaqje egoiste individuale. Të lidhur ngushtë me emocionet janë dhe adaptorët. Të tillë janë gjeste si fërkimi i syve për të treguar se nuk do të shohësh diçka të frikshme, si p.sh. gjuajtja e penalltisë nga lojtari i ekipit të zemrës, me frikën mos e humbet, apo mbulimi i veshëve për të treguar që nuk do të dëgjosh diçka të tmerrshme. Shprehen kështu gjendje emocionale ekstremale. Këto janë të zakonshme e mjaft të spikatura në kulturën shqiptare të komunikimit. Shumë lloje të kontakteve të syve gjithashtu shprehin emocione negative e pozitive.

… Veprime, si prekjet e shpeshta në formë shprehjesh emocionale, janë tipike te shqiptarët, por jo në kulturat perëndimore. Stimuj të tillë komunikimi joverbal si puthja, përqafimi, prekja e rrahja e krahëve, në shenjë bravure, miratimi, admirimi, janë të shpeshta edhe në kulturat mesdhetare e ballkanase, por sidomos te shqiptarët. Prekja e shprehjet e hapura të emocioneve, dashurisë, miqësisë, janë tipike tek italianët sidomos të jugut, shqiptarët etj.

Gjatësia, gjithashtu (edhe ngjyra e flokëve, e syve etj.) janë trajta fenotipike që përçojnë mesazhe joverbale. Të gjatët p.sh. shihen si më impresivë. Kështu gjatësia jep avantazhe, por edhe probleme, si p.sh. vështirësie komportimi a komunikimi nganjëherë. Kështu krijohet vështirësi p.sh. kur kërkon të jesh në një nivel me tjetrin për të komunikuar më lehtësisht. Për shqiptarët si racë përgjithësisht e shkurtër, ky tipar krijon nganjëherë kompleks inferioriteti dhe reagime agresive karshi njerëzve të gjatë. Gjatësia imponon disa herë më shumë respekt, por kur personaliteti është i dobët, kjo mund kthehet në të kundërtën. “Kavallët” e gjatë (është fjala për një konotacion disi negativ përdorur rëndom në gjuhën e përditshme të Shqipërisë së Mesme, për të gjatët disi të lodhur a jo energjikë), paraqesin disa herë edhe karaktere më të dobëta dhe të paqëndrueshme, në raport me të shkurtrit energjikë e dinamikë, por kjo nuk duhet përgjithësuar.

Veshja mund të konsiderohet gjithashtu në mjaft raste si mjet a kanal joverbal komunikimi. Në disa raste të tjera ajo flet shumë. Shqiptarët e fillimviteve ’90 e të para viteve ’90, me veshjet tipike të përzishme të errëta a gri, bezhë pa dritë, e si të vjetruara nga lloji monoton e jo i gëzueshëm i ngjyrave, por edhe nga përdorimi i gjatë, shprehnin shumë me to lidhur me nivelin e jetesës, varfërinë, madje edhe për psikologjinë e përzishme që zotëronin. Ishin po këta shqiptarë emigrantë, që në vitet ’90 në ambasada, binin në sy me këtë tip veshje të konsumuar, me ngjyra të errëta e të zbërdhylura. Sot edhe moshat më të vjetra, në vendet e Europës Perëndimore e në SHBA, përdorin në masë veshjet e shumëngjyrëshe dhe shprehin edhe në fytyrë emocionet pozitive që shkaktojnë ato. Tema e veshjes është një temë më vete dhe këtu u përmend vetëm si element i komunikimit joverbal. Femrat në veçanti, me veshjen e tyre, mund të thonë shumë joverbalisht. Kështu një femër apo grup femrash në pub-e a mjedise të tjera publike, sidomos kur është pa partner, shpreh shumë me atë që vesh. Veshja e ekzagjeruar, e sidomos ajo e mjaft pjesëve të zbuluara të trupit, mund të lexohet nga meshkujt edhe si një thirrje për seks. Vajzat e reja të qyteteve kryesore e sidomos të Tiranës, sidomos në zonën e Bllokut, e pas viteve ’90, janë tipike për këto lloj veshjesh. Në rrjetet sociale ky fenomen tashmë ka filluar të imitohet e përhapet gjerësisht, deri në vulgaritet. Sidomos për qëllim fitimi. Në një kohë që te ne, në zona të largëta të vendit, ekziston ende edhe fenomeni ekstremalisht i kundërt i mbulimit e i shprehjes së turpit e konservatorizmit më ekstrem shqiptar. Pjesërisht ekzistent ndonëse disi i fshehur si mentalitet edhe në qytete të mëdha. Në një aspekt tjetër pra, mund të thuhet se komunikimi joverbal ka dy forma shprehje: atë të gjuhës trupore nëpërmjet gjesteve, pozicionit të trupit, distancës, prekjes, shikimit etj. Dhe atë të objekteve si veshja, shenjat, vizatimet etj. Këtu kihet parasysh edhe gjuha e mjedisit ku përfshihen ngjyrat, hapësira e ndriçuar, gjelbërimi, rregullsia, raportet, drejtimi. Këtu shqiptarët lënë shumë për të dëshiruar. Në një mjedis të ndotur, pa rregull, me hapësira të gjelbra të kufizuara, mund të lexohet vetëm një element joverbal: niveli i ulët i kulturës së jetesës qytetare Përdorimi i hapësirës përreth vetes është gjithashtu pjesë e komunikimit joverbal, disi më simbolik dhe bën pjesë edhe ky në kulturat e popujve. Fakti si e perceptojnë, por dhe e përdorin atë njerëzit, varion. Kështu distanca midis atij që jep e atij që e merr mesazhin, ndikon mënyrën si interpretohet mesazhi. Një mbajtje distance e pranueshme është një formë e rëndësishme komunikimi joverbal. Latino-amerikanët, njerëzit nga Lindja e Mesme dhe ne shqiptarët, i afrohemi shumë më pranë njëri-tjetrit gjatë komunikimit sesa amerikanët e europerëndimorët. Po u afrove si te ne me europerëndimorët, këta ndihen në siklet. Ata e kërkojnë dhe e ndiejnë të domosdoshme t’ua respektosh hapësirën personale. Madje në një eksperiment është vënë re që këta, edhe vendin në parkingjet publike e lëshojnë më me vështirësi e si me përtesë edhe kur do të largohen s’andejmi me makinë. A thua se po lëshojnë një copë të hapësirës personale, që ndonëse jo e tyrja, është bërë e tillë për ca kohë. Kultura të ndryshme i përdorin ndryshe hapësirat. Hapësirat në komunikimin joverbal mund të ndahen në intime, sociale, personale, e publike. Lidhur me këtë ka edhe një përcaktim tjetër të tipit: territore të shkallës së parë (vetëm imi), territor i shkallës së dytë (karrigia në teatër, vendi në stadium, e kam unë, por mund ta ketë dhe tjetri), dhe territoret publike (parkingu etj.), territori interaktiv (që okupohet nga të tjerët kur ndërveprojmë). I tillë p.sh. është vendi ku zhvillohet një aktivitet nga një grup njerëzish dhe ku jo të gjithë të tjerët mund të hyjnë a të ndërhyjnë. Hapësira reflekton statusin (nivelin në shoqëri) dhe intimitetin e individëve që ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Sa më e madhe hapësira fjala vjen, aq më e madhe diferenca në status apo anasjelltas. Por në aspekte emocionale, intimiteti, apo dashurie në veçanti, distanca reflekton dhe sa tërheqës janë njerëzit për njëritjetrin. Sa më shumë e pëlqen dikë, aq më pranë do t’i rrish. Në raste të tjera jo si këto, nganjëherë kur ndërveprimi është negativ, afërsia bëhet faktor negativiteti dhe sjell edhe përplasje fizike. Amerikanët e përcaktojnë distancën optimale 1.2 m deri 3.6 kurse arabët 0.3 m. Po shqiptarët? Një pjesë jo e vogël e tyre, për fat të keq i kanë dhunuar dhe vazhdojnë t’i dhunojnë të gjitha hapësirat. Flasim në përgjithësi. Ata afrohen shumë pranë kur flasin, madje provokojnë. Të prekin, të ngjiten, të shtyjnë kur flasin. Në bankë ndodh jo rrallë që ngjiten pas teje kur je duke kryer veprime bankare që nuk duhet t‘i shohë tjetri. Në radhë të shtyjnë të paduruar. Nuk respektohet kësisoj territori yt i shkallës së parë … Më tej: Ata pushtojnë pa të keq territorin e shkallës së dytë fare pranë shtëpisë së tjetrit dhe ndërtojnë aty, duke i zënë gjithë fushëpamjen e gati frymën komshiut. Ata pushtojnë të dyja anët e rrugëve që janë publike për të parkuar dhe policia bën sehir. Ngulin hekura e bllokojnë rrugica me barriera a gurë të mëdhenj, për të siguruar për vete komfort, a qetësi të rreme. Shqiptarët ndyjnë përreth shtëpive të tjetrit, diku pranë jashtë territorit të shkallës së parë të tjetrit, ngushtojnë rrugët me hekura për të mbrojtur muret rrethuese të shtëpive të tyre etj. Hapësira shëmtohet e bëhet sinjifikative për nivelin e ulët të kulturës qytetare. Nuk mund të flitet pastaj për territore të tjera të shkallëve më të largëta, që janë të okupuara vazhdimisht e pa asnjë kriter. Përsëri, ndoshta, edhe sepse iu është imponuar gjatë e janë mësuar për gjysmë shekulli me kolektivizimin e të gjitha llojeve të territoreve, hapësirave … e shpirtrave.

Komunikimi joverbal ka rëndësi të madhe në raportet njerëzore, e ka raste kur mospërputhja e mesazheve joverbale, që vijnë nga tjetri sjell pasoja. Sidomos te shqiptarët, papajtueshmëria e kanaleve të komunikimit ka sjellë shpesh turbullira jo të vogla në marrëdhëniet midis njerëzve. Harmonia në raportet martesore të shqiptarëve fjala vjen etj., varet nga natyra e pajtueshmërisë së kanaleve të komunikimit mes tyre. Por ka mesazhe negative verbale apo vokale që nuk përputhen me ato pozitive vizuale, apo anasjelltas. Në këto raste konfliktet janë tepër të mundshme. Ka mjaft shembuj të tillë, madje tipikë për shqiptarët, kur edhe një vështrim rastësisht i konsideruar si armiqësor ka çuar më pas fjalë pas fjale, deri në humbjen e jetës së njeriut. Mesazhet pozitive apo negative që i japim njëri-tjetrit nëpërmjet gjithë kanaleve komunikuese (verbale, joverbale, vizuale, vokale e totale) sjellin harmoni kur përputhen e sidomos kur mesazheve pozitive iu përgjigjemi me mesazhe pozitive.

 


Etiketa: , , , ,

Pas