Fotoja e kryeministrit Edi Rama në shtëpinë e presidentit kosovar, Hashim Thaçi, duke darkuar me krerët e politikës së Kosovës, ka sjellë shumë reagime.
Analisti Berat Buzhala, teksa pyet se ku është Baton Haxhiu, pasi mungon në tryezë, thekson se qëllimi i takimit është që t’i mbushet mendja kryeministrit Ramush Haradinaj që të pranojë planin për ndarjen e Kosovës.
Por publicisti Artur Zheji shkruan në faqen e tij 360grade.al se Thaçi është tërhequr nga projekti fillestar i shkëmbimit të territorëve. Sipas tij, kjo është arsyeja se përse Tirana duhet të heshtë.
“Tani gjërat janë më të qarta, por gjithmonë larg të vërtetave përfundimtare, të cilat tani për tani, nuk munden të ndikojnë në të sotmen dhe të nesërmen e kësaj çështjeje. Vetëm nëse Ditmir Bushati vendos të flasë, mund të hedhë realisht dritë, por kjo, me sa duket, nuk është në natyrën e tij.
Rama vizitoi me ngut dhe në mënyrë informale Prishtinën, për të kuptuar më shumë se në çfarë valleje gjeopolitike ishte futur apo e kishin futur, Hashimi dhe këshilltari i tyre i përbashkët, Baton Haxhiu. Pa dashur të paragjykojmë, qëllimin e mirë, kjo marrëveshje ju vdiq ndër duar dhe çdo shpresë për ta ringjallur, do të ishte tashmë e dënueshme.
Tirana zyrtare bën mirë që hesht në këtë fushë. Është në nderin e shqiptarëve dhe të vetin, që ta bëjë këtë, tani e mbrapa,” shkruan Zheji.