Barcelona e Valverde do të kërkojë titullin e parë në “Wanda Metropolitan”, nesër. Kur hyri në finalen e Kupës së Mbretit, në mes të shkurtit, roli ndikues i Leo Messit ishte i padiskutueshëm. Një varësi që ishte në rritje me progresin e ekipit katalanas si në La Liga, ashtu edhe në Champions.
Barcelona, tashmë, po fliste për tripletën, pa i dhënë Sevilla-s një mundësi për finalen e Kupës. Situata ka pësuar një ndryshim rrënjësor në ditët e fundit. Eliminimi i papritur i nga Champions, në çerekfinale kundër Romës, ka mbjellë dyshime në një ekip, që ka arritur në këtë fazë finale të sezonit me më pak “benzinë”.
Megjithatë, në radhët e tij është Leo Messi dhe ky fakt është pothuajse sigurimi i jetës. Nëse Barça u dorëzua në “Olimpico” të Romës, ky ishte edhe një mision i tmerrshëm i ekipit, për shkak se atë ditë Leo nuk u shfaq. Është e qartë se ai nuk mund t’i nxjerrë gjithmonë “gështenjat nga zjarri”.
Një ditë e keqe e argjentinasit nuk kishte lehtësim nga shokët e tij. Të dhënat për “Messidependenca”, e vuajtur nga Barcelona, janë të ftohta. Ai ka shënuar 29 gola dhe ka dhënë 12 asiste në La Liga. Një rekord, që është shkaku i drejtpërdrejtë, pse Barcelona mund të shpallet kampion disa javë përpara.
Nëse ne heqim golat dhe asistet e tij nga Barcelona, ekipi i Valverde do të kishte 20 pikë më pak në këtë moment dhe do të ishte në vendin e katërt në tabelën e klasifikimit. Është e qartë se puna e Messit është thelbësore. Sepse, Messi, përveç La Liga-s, në Champions dhe në Kupën e Mbretit ka qenë, gjithashtu, vendimtar.
Theksi i veçantë duhet të vendoset në sfidën europiane kundër Chelsea. Ekipi kalatanas vuajti në “Stamford Bridge”, ndërsa e shpëtuan dy herë shtyllat e portës. Megjithatë, në momentet e fundit, argjentinasi u shfaq për të barazuar rezultatin e ndeshjes dhe për ta lënë gjithçka të hapur, sa i takon kualifikimit, në “Camp Nou”.
Edhe në Barcelonë, Messi u kthye për të qenë vendimtar në fitoren 3-0, me dy gola dhe një asist. Nëse në këtë sezon kontributi i Messit ka qenë vendimtar, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për atë që ai ka bërë në finalet me Barcelonën, gjatë gjithë garës. Është shumë e rrallë që ai nuk duket dhe skena e tij përfundon zakonisht me një titull për Barcelonën.
Pasi ai e veshi fanellën e Barcelonës për herë të parë, “Rosario” ka luajtur gjithsej 26 finale me katalanasit. Messi ka fituar shumicën e madhe të trofeve; 20 herë. Në 26 finale, ai ka shënuar gjithsej 27 gola. Argjentinasi i ka përfunduar finalet me më shumë se një gol, edhe pse është e vërtetë që disa prej tyre janë luajtur “dyfishe”.
Golat e tij janë sinonim me titullin, në ato raste që iu referohen finaleve të Kupës së Mbretit. Ekziston vetëm një përjashtim dhe pikërisht kundër Sevilla, dy vjet më parë, kur ekipi katalanas u shpall kampion, por Leo nuk ka shënuar. Në katër finale të tjera të Kupës, ai shënoi kundër Athletic (në tri ndeshje, katër gola) dhe kundër Alaves, sezonin e kaluar.
Messi do të jetë nesër qendra e referimit të Barcelonës. Tani, pyetja është se si do të jetë Leo pas asaj që ka ndodhur në Romë. Ata që e njohin thonë se ai ka rifituar frymën e tij dhe e ka fokusuar vështrimin te finalja e Kupës së Mbretit./TeleSport