Aktualitet

Analiza në PD – Udhëzimi: Kush e shkaktoi “masakrën zgjedhore”?














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:30 - 21/06/21 |
mapo.al

Me anë të një udhëzimi të nxjerrë nga Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi u kërkohet strukturave në nivel qarku, bashkie apo njësie vendore një raport i hollësishëm mbi ndryshimin e votave që nga viti 2009, individët dhe faktorët që kanë kontribuar për “masakrën zgjedhore” me anë të manipulimeve, blerjes së votës dhe shantazhit. Po ashtu, shqyrtohet sjellja e aleatëve në fushatë, roli i tyre dhe vlerat që ata dhanë. Cilat ishin qarqet që vulosën humbjen në zgjedhjet e 25 prillit për PD, dhe a mund të maksimizohej vota. Analiza e gazetës MAPO për sjelljen e aleatëve të PD në Fier, Elbasan, Durrës, si dhe zonat që u paraqitën më dobët në qarkun e Tiranës.






Dy ditë pas mbledhjes së Kryesisë, Partia Demokratike ka kërkuar nga degët e saj në të gjitha qarqet që të plotësojnë një formular në lidhje me analizimin e asaj që e cilësojnë “masakër zgjedhore” dhe jo vetëm. Me anë të një udhëzimi të nxjerrë nga Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi, u kërkohet strukturave në nivel qarku, bashkie, njësie administrative apo dhe grupseksioneve të raportojnë rreth problemeve të hasura në zgjedhjet e 25 prillit.


Udhëzimi kërkon që me anë të një raporti analitik të evidentohet rritja apo zbritja e votuesve të PD-PS-LSI që nga viti 2009, faktorët negativë që ndikuan në atë që opozita e quan masakër elektorale apo edhe persona influentë që kanë punuar kundër. Gjithashtu, udhëzimi kërkon nga strukturat që të evidentohen personat influentë që kanë kontribuar për shtimin e votave, vlera e shtuar e koalicionit, gjendja e strukturës së partisë etj.





Pra përveç masakrës elektorale, duket se në rezultatin e 25 prillit ka kontribuar dhe mosarritja e objektivave në disa qarqe. Fjala vjen duket se nuk janë arritur objektivat në disa qarqe, si: Shkodra, Korça, Gjirokastra, Durrësi, Vlora dhe Tirana. Nga ana tjetër dhe koalicionet nuk kanë dhënë rezultatin e duhur.



Në Elbasan për shembull, LSI dhe PDIU janë shfaqur thuajse inekzistente megjithëse PD arriti të merrte 57878 vota ose 24 mijë vota më shumë se katër vite më parë. Në rast se do ishin dhe 12 mijë votat e PDIU-së, sot do kishim një barazim rezultati, për të mos folur më pas për votat që i mungojnë LSI-së, e cila në vitin 2017 mori dy deputetë e vetme dhe po aq edhe në vitin 2013 në koalicion me PS-në.



Partia Agrare Ambientaliste ka qenë thuajse inekzistente në Durrës, ku s’ka mundur të arrijë as rezultatin e 2017-ës. PD-së nga ana tjetër nuk mund t’i falet fakti që humbi Bashkinë e Krujës, një bastion i saj me rreth 2600 vota më pak se kundërshtari. Në rast se do i kish pasur ato vota atëherë rezultati mund të shkonte 7 me 7. Në Fier, në rast se PDIU do arrinte të merrte rezultatin e viteve 2013 apo dhe 2017 koalicioni së bashku me LSI-në mund të kishin sot një barazim rezultati që do ishte historik për këtë qark. Kandidati i kësaj force politike mori si vota nominale vetëm 2500. Gjithsesi rezultati i Fierit nga ana e PD-së është për t’u përgëzuar, pasi arriti të marrë 64 mijë vota nga 46 mijë që mori katër vite më parë.

Lexo edhe :  Dy orë diskutime - Përfundon mbledhja e Kryesisë së PD, vendimet që u morën

Në Shkodër, një tjetër bastion i së djathtës, PD arriti të marrë 5 deputetë duke pasur një rritje nga 2017-a vetëm me 7 mijë vota, por dhe shtatë mijë vota më pak se viti 2013. Në këtë qark, PD duhet të kish marrë së paku 6 mandate e vetme, dhe për këtë nuk i duheshin më shumë se 50 mijë vota. Tom Doshi i PSD mori dy mandate me nga 8200 vota secilin, ndërsa PD me 50 mijë vota mund të marrte 6 mandate me 8400 vota secilin pasi PS ishte shumë larg mandatit të katërt. Në vitin 2013 PD mori në Shkodër 54 mijë vota.

Tirana dhe njësitë administrative të saj është një tjetër rast për t’u futur në analizë. Megjithëse mori rezultat të mirë sërish, duhet që së paku në zgjedhje ajo të fitojë diçka më shumë se 200 mijë vota dhe kjo mund të ishte plotësisht e arritshme në rast se do kishim një performancë më të mirë në njësinë 1,2, 9, 11, dhe mos kish humbur zona që janë bastione të saj si Vora, Rrogozhina dhe Kavaja.

Një performancë të dobët ajo shfaqi dhe në zonat e Saukut, Farkës dhe Petrelës, por duhet theksuar se nuk u maksimizua vota dhe në Paskuqan apo Kamëz. Nga 11 njësi bashkiake në qytet, PD arriti të marrë vetëm njësinë numër 8, megjithëse kishte mundësi të fitonte dhe në Laprakë, apo njësinë 9 që përfshin zonë autoktone tiranase dhe ish-stacionin e trenit ku sot është bulevardi i ri.

Vetëm në njësinë numër 1 diferenca është rreth 4 mijë vota. Në total në nivel qarku diferenca mes dy forcave politike është rreth 40 mijë vota.

75


Etiketa: , ,

Pas