Aktualitet

Analizë/ Orët e fundit të ministrave në ikje mbyllur në zyrë duke lëmuar karrigen








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:59 - 14/09/20 |
mapo.al

Nga Agron Gjekmarkaj


Prej ditësh ziejnë portalet mbi mundësinë e ndryshimeve në qeveri. Edi Rama është nën trysninë e zgjedhjeve të 25 prillit. Të jetë e hidhur ajo pranverë? Ç’thonë Najada dhe Drijada? Nga ky zekth vijnë fjalët që rri në kanape e as që shtrihet fare duke u kolovitur përzishëm. Në cakun që ndan dremitjen me pagjumësinë, ndoshta për herë të fundit argëtohet me makthin që shkakton tek ata që kanë frikë të ikin e po kaq te rropullia e atyre që shtyhen six hinder për t’u bërë.


Ai e di që të gjithë i ka njësoj, rrafsh. Për atë lëmim intelekti, karakteri e gjuhe i ka zgjedhur. Eksperimentet i kanë dhënë të drejtë si atëherë kur i ka marrë nga xhepi për t’ia imponuar partisë, si atëherë kur në xhep ka futur partinë. I njëjti rezultat, e njëjta grintë, i njëjti afsh, i njëjti refren, i njëjti adhurim hipokrit, e njëjta bindje dhe nënshtrim ndaj tij dhe i njëjti rezultat për shqiptarët në 8 vjet, kur qeveria ndryshon apo mbetet e njëjta.


Pos atij dhe qytetarëve, për subjektet e lëvizjes perceptimi është krejt tjetër gjë. Aty luhen tragjedi të mëdha emocionale. Një listë bie, qindra ngrihen. Intrigat te “rilindja” këto ditë kanë marrë rrugët si ujërat e zeza pas stuhisë. Secili ministër apo deputet çon habere të zeza në veshët e gazetarëve dhe të analistëve për tjetrin. Nuk kanë faj. E kanë provuar të jenë “askushi” dhe sa mundim kanë hequr për t’u bërë “dikushi”. Dy koncepte dalluese këto si Ferri me Parajsën.


E dinë ç’do të thotë të rrish kafeve si zgaq me një gotë ujë rubineti e të pish verë sa dy rroga shishja. I mbyt kujtimi, gati i ngashëren teksa shohin rrobat e mira firmato me të cilat mbulohen, kur mendja zbret në kohën e teshave turke plot shkëlqim allasoj të blera me esnafllëk e kursim në rrugë të Kavajës. Ecjet në këmbë nëpër zheg, ku djersa mpiksej me pluhur, lëre mos e nga.


Pale kësaj vape brigjeve të jugut, po edhe më sipër tek pushuan rehat në vila të hijshme, krahasimi bën të veten teksa apartamentet e zbërdhulëta të marra me qira të ngjallin krupën nga kutërbimi i tubave. Fëmijët janë jashtë në universitete të shtrenjta anembanë Europës, Anglisë dhe Amerikës, duhen mbajtur, kanë shpenzime të bekuarit, se përndryshe i linin këndej me fëmijët e rajasë! Ministërllëku të shton zahiretë në këtë vend, i bën terbiet hallet, ndaj për të ia vlen çdo sakrificë, çdo bërlykje, çdo shikim i ëmbël si pjalm, çdo vetëposhtërim. Të mos flasim për respektin që marrin nga hallexhinjtë, autoritetin që u jep makina, dera kur hapet, kamera kur afrohet, urdhrat që japin, frika që shkaktojnë, nëpunësit që kinse shënime mbajnë kur llafosen, fjalimet në Kuvend, secili prej tyre i barabartë me formulat e Ajnshtajnit për nga rëndësia, tingëllima e fjalës “zoti ministër” këtu, “zoti ministër aty”, axheba hesapi…

Te të përfolurit për largim ka rënë mërzi e madhe. Thonë që mbyllen në zyrë, lëmojnë karrigen, fërkojnë mobiliet, prehen me kokën mbi tavolinë, ulen sa në një kolltuk e aq në një tjetër, duke rrufitur kafe të zezë pa sheqer, qajnë me gugatje dhe dalin prej aty pasi ka rënë nata me fytyrë të buhavitur, me drojën që çdo çast mund të jetë i fundit. Sa frikë kanë të largohen prej atij realiteti që mund të mos përsëritet më. Mornica iu përshkojnë kurmin, bëëëërrrr. Ndonëse jashtë bën vapë sa piqet kulaçi në diell.

Atyre iu duket acar, thillëtimë e mynxyrë, sikur një botë armike i pret dhe ajo e djeshmja shkrihet si flok dëbore, kur hallexhiu që ke rrejtur nuk të ngjatjeton më, por të fut ndonjë të sharë jallançe, biznesmeni që të paguante gjithçka për të marrë një tender të kthen të prapmen, komshiu të përshëndet me zgërdhirje, teksa miq s’ka më se ata i “vrasin” ditën që kacavirren ndaj karriges si trofe në këmbët e shefit. Nga vëmendja te vetmia, uh ç’kalvar. E vetmja shpresë mbetet leku i bardhë në ditë të zezë. Sa e donin Ramën kur i përzgjidhte mes fiqve të “papshurrur” dhe kushedi si iu duket tani, vetë djalli, kur i vendos nën presionin e ikjes. Më e bukura është se po të lipset, do dalin nga aty duke e falënderuar, duke thënë nëse Rama shëlbimi dhe shpëtimi nuk merr mandat të tretë në Shqipëri, nuk lind më drita. Po sikur t’u kërkojë dikush kuletën në trotuar? Uaaa, jeta jepet, kuleta nuk jepet.

Ndërsa duzinës që pret, të shalakuqur ambicieje, me syrin të zmadhuar filxhan nga pritja, me tensionin e gjakut që iu rritet, me tëmthat që rrahin si pistona, me kraharorin plot zjarrmi, dita u duket muaj dhe muaji shekull. Ata gjithashtu preferojnë vetminë duke ëndërruar, mbyllin sytë, korkolepsen mbi divan. Të heshtur si rrasa varri, duke menduar momentin kur ai i thërret në telefon dhe i njofton se mbi ta, si hir i Zotit, ra vëmendja e tij. Uh, çfarë goditje e ëmbël në mide, ç’përkëdhelje e zali e dashur. Me qindra herë përsërisin fjalitë e mirënjohjes, të besnikërisë, të ndjera, të thekura, që mbyllen me pohimin “nuk do t’ju zhgënjej kurrë o Skënderbeu ynë!” Ë rëndë është pritja si për të ikur, ashtu për t’u ngjitur. Të parët shohin në horizont ditën e fundit, të dytët ditën e parë, trishtimin dhe lumturinë që fekondojnë.

I lutemi Kryeministrit me një rixha që të këput shpirtin, se shpesh na e ka vënë veshin: për hatër të Zotit, pash Diellin e Hënën, pash ujin e bukën, pash kurorën e Skënderbeut që aq me hijeshi Mamica të vuni mbi krye, pash autostradën axurra që ndërtove, pash rrogat që rrite, pash treqind mijë vendet e punës që hape, pash integrimin që realizove, pash teatrin që shembe, pashë demokracinë në të cilën skalite mjekrën tande, pash kërpudhën në oborr, pash mustaqet e Kujtim Gjuzit, pash mushkën e Auron Tares, pash librat që ka lexu Gent Cakaj, pash mërzinë e Kumbaros, mos i hiq ata ministra, mos ua këput shpirtin as atyre që presin, na e kurse këtë shaka të fundit se kurrgja për ne nuk ndryshon, as për ty, se fati duket i shkruem. Ata janë më të pafajshmit në këtë histori, engjëj me krahë, instrumente në duart e tua si Papë i Rilindjes. Thjesht duhet ndërruar dora që i mban, domethënë ajo e jotja./panorama.com.al/


Etiketa:

Pas