Mapo Letrare

Anatomia e gruas në vargje – Rreth librit ‘Vrima’ të Rita Petros






               Publikuar në : 19:43 - 18/05/19 |
Dije Demiri Frangu

Nga Dije Demiri Frangu


Anatomia e gruas në vargje
Rreth librit poetik Vrima, të Rita Petros

1. Rrënimi në emër të lirisë

Libri poetik me poema dashurie i Rita Petros, Vrima, është i ndërtuar vetëm mbi dy cikle: Poema e fundit për dashurinë dhe Legjenda e motrës dhe vëllait. Përkundër kësaj, brenda poemave mund të nxirren poezi të tëra, që do të jetonin bukur letrarisht, pa tërësinë e tyre. Kjo ndodhë sepse si poema, sado sintetike, kanë subjekt dhe narracion, gjë që shpesh e dëmton letraritetin e tyre, duke hutuar lexuesin, rrëfimi dhe jo gjuha dhe figurariteti. Edhe përshkrimet nuk janë të rralla, që ndodhë të mos jenë edhe në shërbim të ndonjë ideje, por duke sjellur më shumë imazhe që ndërtojnë ose përkujtojnë një kujtesë vizuale, jo të domosdoshme. Këtë nuk e bën poetja nga mos invencioni artistik, sa e bën në mënyrë intenciale Ajo në tërë opusin e saj është nisur nga tendenca që ta ndërtojë lirinë erotike të saj dhe ta reflektojë atë, qoftë edhe tek lexuesi. Kjo edhe është një komponentë, në këtë rast joestetike e autorës, por mbase e ka menduar si utilitare. Në këtë libër autorja është plot agresivitet. Ajo manifeston një forcë rrënuese dhe njëkohësisht ndërtuese. Do të kishte tingëlluar jo keq ta quanim se, ajo ndihet si një revolucionare, në kuptimin e ndërrimit të vendeve që u bën shumë koncepteve mbi gruan dhe erosin e saj, si dhe mohimin që i bën moralit tradicional, i cili del të jetë frustrues e robërues, për njeriun. Rita si armë ka fjalët, ato që rrallë përdoren në të folurit poetik, kurse ajo me to shërbehet si me një lëndë të parë, duke i funksionalizuar semantikisht ato në shërbim të arritjeve estetike.

2. Erosi, ndërtues i lirisë

Libri Vrima, ndryshe i shpërblyer disa herë në Shqipëri me cmimet më prestigjioze, ndërkohë bëhet edhe vepra më e popullarizuar dhe më e diskutuar, shkaku i rrëfimit transparent të feminilitetit, si dhe i pjekurisë artistike të saj. Duke lexuar këtë poezi, mendoja, si do të ishte libri anolog, i shkruar nga një poet dhe a do kishte reagime të tilla? A do të arrinte të ruante poetiken mbi humanen e universit të intimitetit, hyjnoren dhe brishtësinë e çasteve që i lidh brenda lirisë dhe kauzës për lirinë e shpirtit dhe trupit, autorja? Erosi deri vonë ishte i pamundur nga letërsia shqipe, i rrënuar dhe vinte i maskuar dhe me plot kode, e me i ndaluar ishte sidomos nga letërsia e gruas. Ndërsa tani, vjen me tërë impulsivitetin e tij, me papërmbajshmërinë e Afërditës antike, me lakuriqësinë ekstreme të emocionit dhe me forcën goditëse të instinktit, në përmasën njerëzore si ndjenjë, (deri tani e viktimizuar nga ideologjite, norma të ndryshme e komplekse). Por, jo çdoherë zhveshja e ndjenës të krijon ndenjën estetike. Mendoj se ka raste kur mund të ketë krijuar një refuzim estetik autorja, sado ndoshta shkarazi, por hetohen ato vargje. Sidoqë të jetë, Rita me poezinë e saj transformon barrën e mëkatit- në liri, në fluturimin dhe prekjen e dimensioneve të reja të erotikës në poezi. Autorja është intime me veten, ndaj edhe me lexuesin.

Ajo nuk ka zbrapsje nga ajo që e mendon dhe e ndjen. Por cfarë i duhet të dal ashtu me rropullitë e saj para të tjerëve, çfarë i duhet thjeshtë të nxjerrë tërë vrerin për atë heshtjen shekullore të emocionit femror? A s’na duhet pak vrerë rezervë?! Ajo të tërin e zbraz në vargje, duke zhvilluar dilema të tilla. Mos edhe ky qëllim i autores padashur e gërvishtë këtë poezi, duke i bërë një vragë! Rita don të korrigjojë pikat e jetës, të rutinës së saj. Ajo vë qendra të reja brenda qenies njerëzore si pak krijues, realizon lirinë krijuese të saj për të ndërtuar një liri të përgjithshme, pasi ka ndërtuar lirinë në vete. Duke plasuar dashurinë si inercion të ndjesisë, duke mos llogaritur rrethin, duke shkelur tabutë, sepse jeton në infinit, është sirenë e dashuruar me princin e detit, ndaj është një zambak, mrekullisht i çelur…duke u çmenduruar nga dashuria. Poetja posedon një hapësirë të gjerë, me një këmbë në shkëmb/e një këmbë në det se universi, yjet e lulet kanë lindur si unë, si autorja, përmes ngjizjes së dashurisë. Kështu ajo ndërton mitin e dashurisë, ngajshëm si në antikë. Gjeneza është aty, kjo është eureka letrare e autores, kjo është parajsa reale e saj. Ky inercion autoren e nis udhës së demitizimeve – në emër të primatit të brendisë së saj dhe rindërtimit të mitit të erosit, dhe në këtë rast të forcës së gruas në raport me partnerin. Feminiliteti i saj kap edhe segmentin psikosocial të shoqërisë, Eshtë kurajues guximi dhe dinjiteti i saj në vargjet: të mishëroj/se je një burrë/i frustruar nga babai/i qullashur nga nëna /i tredhur nga gruaja /i tallur nga dashnorja/i poshtëruar nga bosi /i harruar nga zoti.. Eshtë një sulm, një konflikt imagjinar me burrat, ku përmes nëncmimit të hapur, plason egon e gruas, e cila tanimë, e përqesh atë edhe në vargje, se jo gjithmonë burrat janë burra. Pra, duke shpërfaqur superegon e rrejshme të burrave, përmes filozofisë së brishtësisë së amësisë, ajo krijon hapësirë më të gjerë për gjininë e vet. Kontrast i bukur dhe përmbytës i koncepteve të vjetra. Amësia është pjesë e identitetit femëror dhe nëna është Zoti, derisa shterpësia është një shkretëtirë në trupin e gruas. Në poemën e saj duke shkruar: Dështimi- gjaku do të pushojë së rrjedhuri/e dalëngadalë do të mpikset në trup/ e trupi do të thahet/si druri në thatësirë…ajo nxjerrë edhe një segment unikal të gjinisë së saj, aktin e dhembshëm të dështimit të foshnjeve.

Ndërtimi i erotikës në këtë libër, bëhet përmes rrëfimit të drejtpërdrejtë, e shpesh edhe në formë dialogu -po e zëmë poezia Publicitet, ku kemi një ndërtim prozaik, duke rrënuar gjuhën e poezisë, duke mbetur në nivelin provokativ për të dëshmuar lirine, si nevojë krijuese, dhe veten pronë personale, sakaq shfaqet ironizimi i atmosferës intime dhe e bën poezinë -poezi. Është ndjenja e pafajësisë, që poezinë e bën çlirim dhe lumturi. Shumica e poezive anojnë nga proza, heroina flet në mënyrën urdhërore, duke ofruar anatominë e saj-në planetin e mishtë. Ajo luan me pakohësinë e ndjenjës, duke e ndjerë gjakun që plasarit pllakat qelizore. Gruaja, te kjo autore, shpërbëhet në takimin e mishtë dhe ribëhet, ndërsa gjaku humb kuptimin tradicional në letërsinë tonë. Ai nuk derdhet për tokën në luftë, tani merr kuptimin e parë, shfryn valvulat e zemrës për pushtimin e lart ë- poshtë vetes. Erosi, tek Rita është superfuqi, si te autori i shek. VI p.Krishtit, Theognisi, i cili në poezinë mbi Erosin, tregon forcën e tij, që mund gjithçka Ti Trojen e shkatrrove /Theseun e thërmove/Ean e gjorë, e copëtove/Kudo ku vure dorë/Fundin u nxore/I mbarove, por kjo mini poezi ka nota elegjiake, ndersa pezia e Ritës, më shumë është festë dhe guxim. Subjekti lirik i Ritës nuk ia lë pasionin vetëm racios, ia lë energjisë, ngase ky libër nuk ndërtohet mbi aktin intim, por mbi dashurinë. Autorja nuk ka pranga në shqisat e saj, në mendjen e trupin e saj, nuk ka kufij. Ajo është e harlisur nga bukuria dhe kënaqësia e universit nga lajmërohet, nga universi i Erosit, atje ku mund t’a xhelozonte Afërdita e Hera. Pasioni në këtë libër është qielli dhe toka e autores dhe asgjë që bie nga qielli e që mbin nga toka. Ajo nuk e refuzon, përkundrazi këtë qiell e merr si një truall, ku ajo mund të mbjellë gjithë sortet e erosit të saj, dhe tokën si një bazë të aterimit të saj emocional. Këtu nis ndjenja hyjnore që i vesh autorja energjisë që bashkon, duke përdorur edhe gjuhën e natyrës: prishen lulet….uj* i burimit zhgërryhet me dhera…. Duket sikur autorja nuk ka mbaruar asnjë shkollë jete të shoqërisë sonë. Ajo nuk u adaptohet as edhe për një çast e për një varg, mentalitetit apo diskursit jetësor të shoqërisë. Këtu ajo është trimëreshë mbi trimat, bën jetën e saj për ta jetuar dhuratën e natyrës-dashurinë. Autorja triumfon artistikisht me veprën e saj, falë lirisë së egos që ka.

Rita jeton diku ku nuk ka smirë, egoizëm, vrasje, kriza. Ajo bën jetën nën mbretërinë e pakushte të pasionit, diku në thellësinë e natyrës njerëzore, ku s’ka ideologji as diktaturë, kah nuk ka qarkulluar bibël as kuran. Poetja s’fidon edhe klerin. Ideja e zotit tek autorja është robëri shpirti, gjë që ajo nuk e përfill, duke sajuar harmoninë e artit përmes farës së lirisë shpirtërore. Në librat e saj, erosi evoluon nga vargu në varg, merr forcë nga faqja në faqe dhe krijon imazhe vizuale pa kompleks me pamjet që i sjellë leksiku-shpesh anatomik dhe i drejtpërdrejtë. Përkundër një vije frymëzimi, autorja nuk rrëshqet në banalitet, në irritim dhe nuk bën shkarje motivi, nuk heshtë as kur do të heshtnin të gjithë. Erosi i saj sulmon pahiri dhe spontanisht. Guximi i poetes është i madhë sa pangopshmëria me dashuri. Ajo është erosi vet. Libri nis me Daljen nga muret e mishta të nënës, për të udhëtuar vazhdimisht kah dorëzimi i trupit dhe i shpirtit nëpër Zonën e ndaluar ku rri fshehur liria, për të vazhduar në honin e pafundësisë ku gjendet Fara e rilindjes. Rita ka shkruar libra që përfaqësojnë diçka në letërsinë shqipe. Para se gjithash përfaqësojnë lirinë krijuese, feminilitetin si triumf bashkë me elokuencën e krijimit dashuror, jo vetëm si afeksion por edhe si qëllim.


Etiketa: ,

Pas