Sot në mbrëmje në orën 21:00 do të luhet ndoshta sfida më e rëndësishme e Premier League. Derbi i Manchesterit sot vendos se kush do të jetë kampioni i Anglisë, Liverpul apo Manchester City.
Kjo sfidë është sfida që City kishte mangut, e nëse do të arrijë të mposhtë “Djajtë e Kuq” atëherë do të marrë kryesimin me 1 pikë diferencë ndaj “The Reds”. Liverpul ka bërë një sezon fantastik, e megjithatë ja ku jemi, gjithçka mbetet në dorë të United, nëse do të arrijë t’i ndalë djemtë e Guardiolës dhe t’i fusi në xhep titullin Liverpulit apo do të dorëzohet në këtë mbrëmje magjike.
Duhet thënë që “The citizens” kërkojnë fitoren me çdo kusht, edhe barazimi është i pavlefshëm. Nga ana tjetër Manchester United e ka siguruar një vend në Europa League, por shpreson të arrijë zonën Champions.
Që nga viti 2016, regjistrohen 3 fitore të United dhe 3 nga City, vetëm një barazim pa gola. Forma jo e kënaqshme e “Djajve të Kuq” lë për të dëshiruar, megjithëse futbolli, e sidomos kampionati anglez ka të papritura. Gjithçka mbetet për t’u parë sot në mbrëmje në këtë duel titanësh.