Sipas një anketimi kombëtar “Shqipëria në Kuvendim”, publikuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, mbi 60 për qind e shqiptarëve janë shprehur të pakënaqur me demokracinë shqiptare, funksionimin aktual të saj dhe mosbesues ndaj partive politike.
Mbi 60% e qytetarëve pohuan se janë pak dhe aspak të kënaqur me mënyrën se si funksionon demokracia në Shqipëri
Deputeti i Partisë Demokratike dhe ish-ministër dhe ish-kreu I KLSH0së, Bujar Leskaj, përmes një statusi në Facebook, duke iu referuar një studimi që nxjerr në pah zhgënjimin e qytetarëve karshi klasës politike, tha se, “personalisht e shoh këtë zhgënjim të qytetarëve shqiptarë nga politika si një shuplakë dhe thirrje të fortë për reflektim e ndryshim të menjëhershëm nga të gjithë ne politikanët dhe veçanërisht nga deputetët.’
Postimi i plotë i deputetit të PD-së, Bujar Leskaj:
Anketimi i IDM: Këmbanë alarmi për politikën
Sipas një anketimi kombëtar “Shqipëria në Kuvendim”, publikuar të premten nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, shumica e shqiptarëve janë të pakënaqur me demokracinë shqiptare, funksionimin aktual të saj dhe mosbesues ndaj partive politike.
Mbi 60% e qytetarëve pohuan se janë pak dhe aspak të kënaqur me mënyrën se si funksionon demokracia në Shqipëri.
Anketimi zbuloi zhgënjimin e gjerë të qytetarëve shqiptarë nga politika. Mbi 50% e të anketuarve mendojnë se deputetët njohin pak dhe aspak shqetësimet dhe nevojat e qytetarëve dhe zonave të cilat i kanë mandatuar.
Rreth 70% e qytetarëve të pyetur nuk besojnë se parlamenti bën punët e duhura, por shprehin interesin që të gjithë projektligjet duhen konsultuar me qytetarët dhe grupet e interesit, pavarësisht nga kostot dhe kohëzgjatja e procesit.
Personalisht e shikoj këtë zhgënjim të qytetarëve shqiptarë nga politika si një shuplakë dhe thirrje të fortë për reflektim e ndryshim të menjëhershëm nga të gjithë ne politikanët dhe veçanërisht nga deputetët.
Në rast se ne politikanët shkojmë e përballemi ndershmërisht me qytetarët, nëse dëshmojmë më shumë nder, guxim e besim në politikë, të gjitha sfidat kalohen, të gjitha problemet zgjidhen dhe ëndrrat e rinisë e shqiptarëve bëhen realitet! /Liberale.al/