Poeti i njohur Petraq Risto, i cili jeton në ShBA, sapo ka publikuar vëllimin e ri “Ankimi i Luciferrit”, me poezi të krijuara gjatë viteve 2017-2020. Në parathënien e librit, mes të tjerave, autori shkruan:
“Në fillim të janarit 2019 u bëra qytetar amerikan. Nuk e di nëse kjo datë do të jetë e rëndësishme vetëm për mua, nuk e di nëse kjo qytetari, lidhja më e thellë dhe më e fortë me jetën dhe tokën amerikane do të ndikoj në veprat e mia të ardhshme.
Sipas studiuesve, kritikëve, miqve të mi krijues, apo dhe lexues të kualifikuar, ndikimi i botës amerikane në krijimtarinë time ka qenë i dukshëm, mbase dhe një shtytje e fuqishme për një hop të ri cilësor, duke filluar me librin “Lojë shahu në shekullin XXI” (2004), shkruar më shumë se pesëmbëdhjetë vite më parë, pak kohë pasi shkela në Botën e Re, dhe duke vazhduar edhe me këtëlibër të ri të titulluar “Ankimi i Luciferrit”…
“Çfarë kohe! Kjo parathënie qe mbyllur muaj më parë, madje libri qe faqosur, por tani që pandemia globale e coronavirusit cilësohet si një armik i padukshëm, apo si Lufta e Tretë Botërore, m’u desh të ndërhyja jo vetëm te parathënia, por edhe te teksti. COVID-19 është përhapur dhe po vret mijëra njerëz në të gjithë globin. Një karantinë globale! Krizë e thellë ekonomike, e ngjashme me krizën e viteve tridhjetë të shekullit të kaluar, që solli si rrjedhojë dhe Luftën e Dytë Botërore. Çfarë po ndodhë dhe çfarë pritet të ndodhë? Në këtë paragraf shtesë të një parathënieje dy faqesh, nuk mund të shprehem më gjatë.
Më kujtohen thirrjet-vargje: “Djalli po vjen! Djalli po vjen!” në dy librat e mëparshëm “Unë quhem Dje” (2015) dhe “Para-j-sa?!” (2017), por edhe fragmente të poemës që i dha titullin librit “Ankimi i Luciferrit” ku (mbase rastësisht) grafika e zgjedhur prej kohësh për ballinë, paraqet kryeengjëllin Luciferr me krahë…lakuriqi(!)… Mbase rastësisht më 2006 vëllimin e titullova “Engjëlli me virus H5N1” (ishte virusi i shpendëve), më 2009 te vëllimi “Apo-ka-lypsi” dhe te poema me të njëjtin titull flitet poetikisht për
krizën e rëndë të atyre viteve kur ishte përhapur virusi H1N1, apo Virusi i Derrit”….
Libri ka shumë cikle dhe poema të reja, të panjohura nga lexuesi i poezisë si “Mollëzat”. “Pse tre, po sa?!”, “Lojë shahu nr. 2 me Utimanin”, “Unë përdor loët për dylbi”, “Wikipandemi”, “Sindromi i sindromeve”, poemën e gjatë dramatike që i ka dhënë titullin librit dhe shumë krijime të tjera.
Në fund të parathanies së tij, Risto thekson:
“Ka pak ditë që në Amerikë, (por edhe në Botë) në kulmin e pandemisë, pas vrasjes së afrikano-amerikanit George Floyd, kanë shpërthyer protesta të fuqishme kundër racizmit,.
Çfarë kohe, që megjithë paradokset e saj, na e ushqen poezinë edhe me vlera të shumta njerëzore, me informacion të jashtëzakonshëm që, nëpërmjet kimikateve magjike të metaforës, na ndihmon dhe na e pasuron modernitetin, na e shton shpejtësinë e mendimit dhe përfytyrimit, na zgjon qeliza të reja të gjendrës pienale.
Çfarë kohe me protesta, me rreziqe e ekstreme, me varka diellore dhe ëndrra që janë kthyer në realitete, me shthurrje që na shiten si vlera dhe me disa vlera në xixëllimet e fundit të hirit në vatrën e madhe të jetës!”
Në fund të këtij libri autori ka përfshirë edhe intervistën që ka zhvilluar me shkrimtarin Mark Simoni në fillim të këtij viti titulluar “Të krijosh ballë pasqyrës me një sfinks në sfond” dhe që është botuar në gazetën “Mapo”.
Shkëputur nga ky vëllim po botojmë disa poezi të shkurtëra apo fragmente nga poemat.
Dy poezi nga ky libër
Pse tre, po sa?
(Fragment)
Flas me vete, flas
dhe ndonjëherë vetja më kupton:
çasti kur veten godas.
Flas me veten, flas…
Po fjalët te vetja s’kanë jehonë
Dhe goditja e vetes s’paska gjak
Fjala brenda vetes mugullon
Fjala ndaj vetes s’merrka hak.
Flas me vete, flas…
Flas me veten për tu bërë dy
Po vetja për veten bëhet fli
Flas me veten, flas dhe.. mbetem një.
Pse një?…
Po sa?…
Askush nuk e di
Me një busull Loti
Bredh në Gjithësi…
Shi vere
Ajo qeshte befasisht: shi vere
Dhe pas shiut gjithçka shkëlqente
Jo vetëm lulet, por edhe sytë
Jo vetëm pendët e zogjve, po edhe zhurët e dhëmbëve
Poshtë lumit që rrjedhë padukshëm në shtratin e buzëve.
Ajo qeshte befasisht.
Gjithçka shkëlqente si pas një shiu të pastër
Fytyra, krelat e verdha, vija e gjirit
Kopshti, bari, madje dhe gjembi i trëndafilit.
Ajo qeshte befasisht.
Shi vere ish.
Ajo qeshte befasisht
Dhe rrotull saj të gjithë qeshnin
Buiste gëzimi i brendshëm që çdo gjë e harlisë
Ajo: cicërimë bilbili mbi varrin e trishtë.
Shi vere ish.
Ajo qeshte befasisht: shi vere ish
Gurgullonte në të gjitha ndjesitë
Habitshëm i zbriste nga qiejt perënditë
Nga hijerore engjëjsh zbriste mirësitë
Hijeroret: re me shi magjish…
Shi vere ish.