Anthony Burgess, përtej kufijve të romanit “E portokallta mekanike”.
Olta Totoni
Çfarë do të ndodhi më pas, eh?
Isha unë, Aleksi dhe tre drugot e mi, Piti, Xhorxhi dhe Dimi. Dimi ishte me të vërtetë fytyrëvrenjtur dhe ne u ulëm në barin “Korova” për të vendosur çfarë do të bënim në atë mbrëmje bastarde të një dimri ftohtësisht të errët megjithëse të thatë. Bari “Korova” ishte një mesto që shërbente qumësht dhe ju ndoshta o vëllezrit e mi e keni harruar sesi këto vende ishin, gjërat ndryshojnë skorri këto ditë dhe të gjithë i harrojnë këto gjëra shumë shpejt, as gazetat gjithashtu nuk lexohen shumë. Ajo çfarë ata shisnin në barin “Korova” ishte qumësht plus dicka tjetër. (Burgess, 2000)
Duke u endur nëpër veprat e Anthony Burgess, karakteristikë unike e këtij autori është gjuha e pasur. Në fakt, ai është një mjeshtër i gjuhës angleze, një përkthyes dhe kritik letrar por edhe muzikant dhe artdashës, gjë të cilën ai do ta pasqyronte në veprat e tij (rreth 33 vepra letrare dhe më shumë se 250 kompozime muzikore). Në fillim për lexuesit, Anthony Burgess nuk ishte fare i njohur. Atë e bëri të njohur Stanley Kubrick me filmin “E portokallta mekanike” bazuar në veprën letrare me të njëjtin emër. Filmi konsiderohej si skandaloz për kohën pasi kishte skena të dhunshme. Gjithashtu në Britani u ndalua shfaqja e tij sepse pati ndikim te të rinjtë dhe shkaktoi krime të tjera. Ata imitonin personazhet e krijuara nga Anthony Burgess, të cilët kryenin krime të njëpasnjëshme. Ata visheshin si personazhet dhe nxisnin dhunë. Autori i përshkruan personazhet e tij kështu:
Të gjithë ne ishim veshur shumë në modë që në këto ditë ishin një palë pantallona shumë të ngushta dhe siç e quajme ne me nje tokëz të mykur të vjetër poshtë pantallonave, kjo ishte për t’u mbrojtur dhe ishte një stilim që mund ta vidoje mirë në një dritë të qartë dhe që unë e kisha në formën e një merimange.Piti kishte një ruker (një dorë, kjo është), Xhorxhi kishte një lule të bukur dhe Dimi kishte një lico te një kllouni banal (fytyrë, kjo është).
Skenat dhe përshkrimet e dhunës shkaktuan ndalimin dhe publikimin e kapitullit të njëzet e një në SHBA sepse ishte e papranueshme që Aleksi personazhi kryesor i romanit dhe filmit të transformohej në një të rritur që është i pjekur, nuk kryen më krime dhe që madje dëshiron të martohet.
Romani është i përbërë nga tre seksione ku secila prej tyre përmban 7 kapituj për të formuar numrin 21 ku arrihet sipas autorit pjekuria e personazhit, Aleks de Larxh. Historia e Aleksit fillon kur ai është 15 vjeç, një djaloshar i cili rritet në një botë dhune. “ E portokallta mekanike” vendoset në të ardhmen dhe është një roman distopik. Anthony Burgess e përshkruan atë në mënyrë kaotike; dhunë, errësirë, adoleshentë që ju mungon keqardhja për njerëzimin. Ata madje krijojnë një gjuhë të vetën të quajtur Nadsat. Kjo gjuhë e shpikur është një hybrid linguistik midis anglishtes dhe rusishtes. Nadsati intensifikohet gjatë kryerjes së krimeve. Ky inovacion linguistik është një gjuhë sekrete e cila fsheh aktet e dhunës. Personazhet e flasin këtë gjuhë për të mos u kuptuar nga pjesa tjetër e shoqërisë. Ata vjedhin njerëz, zihen me këdo që shohin dhe përdhunojnë gra e fëmijë. Aleksi duke pasur një natyrë të dhunshme; ka karakterin e një udhëheqësi ndërsa drugot (shokët) e tij janë ndjekës të tij.
Në një episod tregohet se si Aleksi së bashku me Dimin, Xhorxhin dhe Pitin hyjnë në shtëpinë e një shkrimtari dhe e dhunojnë atë bashkë me gruan e tij. Aleksi është gjithashtu artdashës si autori dhe dëgjon Ludvig Van Beethovenin dhe simfonitë e tij gjatë gjithë kohës. Mendohet që autori të ketë përshkruar një moment autobiografik në këtë sekuencë dhe që pasohet me shprehjen e famshme “ Çfarë do të ndodhi më pas, eh?” e cila përsëritet 12 herë në roman. William S. Burroughs do ta cilësonte këtë vepër kështu:
Unë nuk njoh ndonjë shkrimtar që ka bërë kaq shumë për gjuhën sa Zoti Burgess në veprën “E portokallta mekanike”. Fakti që ky është një libër humoristik nuk duhet të kalojë pa u vënë re.”
Autori na detyron të mësojmë gjuhën e shpikur Nadsat, pasi nuk do ta kuptonim romanin nqs nuk do të njihnim këtë gjuhë. Në çdo moment personazhet flasin Nadsat e cila ka shumë funksione dhe përveç rolit artistik që ka në veprën letare një nga funksionet kryesore është edhe “lavazhi i trurit”. Autori ndikon tek lexuesit dhe vepra e tij është një lingua franca mes tij dhe shoqërisë njerëzore. Ai shkruan:
Ti mund të shtrihesh aty pasi ti mund të kesh pirë molokon e vjetër dhe ti ke meselin që çdo gjë që ndodh rreth teje ka ndodhur në të shkuarën. Ti mund ta vidosh sikur gjithçka është në rregull, çdo gjë , shumë e qartë –tavolina, magnetofoni, dritat, zoçkat dhe malçikët– por ishte një veshç që ishin aty por tashmë nuk ishin më aty
Aleksi përjeton Teknikën e Ludovikos e cila e bën atë të ndihet shumë keq madje ai sheh edhe filma të dhunshëm. Vazhdohet ky trajtim për gjatë dy javëve. Aleksi nuk mendon më për të kryer akte të dhunshme. Ai lihet jashtë burgut. Ai tenton të hidhet nga dritarja për t’i shpëtuar mjerimit të tij. Ai dërgohet në spital. Historia përfundon me Aleksin i cili rikthehet ditëve të tij madje dhe me dëshirën për t’u martuar dhe krijuar familje.
Disa personazhe të tjera të romanit janë edhe Dr. Brodski dhe Dr. Brenom. Dr. Brodski kreu Teknikën e Ludovikos dhe për herë të parë Aleksi ja përshkruan atij gjuhën artificiale Nadsat duke i thënë se Nadsati përbëhej nga “- Pjesëza të çuditshme të gjuhës së rrugës…..pak bisedë jevgjish dhe shumica e rrënjëvë të fjalëve janë sllave.” Ndërsa Dr. Brenom filozofon për jetën dhe thotë “Jeta është një gjë e mrekullueshme; procesi i jetës, krijimi i organizmit njerëzor i kupton këto mrekulli.”
Në filmin e Stanley Kubrick-ut, Nadsat gjuha e shpikur e Anthony Burgess ka një frekuencë më të ulët sesa në roman megjithëse Andy McDowell në rolin e Aleksit flet këtë gjuhë rrjedhshëm dhe me një theks tipik anglez. Gjatë vitit 2019 në Britani, filmi është rishfaqur sërish duke thyer tabutë e atëhershme dhe gjithashtu është bërë një zbulim i rëndëishëm i “ Pozita e romanit E Portokallta Mekanike” një dorëshkrim i papërfunduar është gjetur në shtëpinë e autorit në Itali. Profesor Andrew Biswell (një studjues dhe dijetar i Burgess-it) e ka konsideruar këtë si një “dritë të re për Burgess-in, Kubrick-un dhe polemikën që rrethon këtë roman të shumë-përfolur.” Arkiva gjithashtu përmban edhe tregime të shkurtra të autorit që janë ende të papublikuara dhe që sipas profesor Andrew Biswell do të publikohen shumë shpejt. Disa prej tyre datojnë në vitet 1960.
Anthony Burgess është një autor shumë dimensional dhe një mjeshtër i gjuhës angleze. Ai ka dhënë një kontribut të vyer jo vetëm në letërsinë britanike por në rang botëror. Ai është përkthyer në shumë gjuhë europiane dhe jo vetëm…
Biografia e Anthony Burgess
Anthony Burgess është një romancier, poet, dramaturg dhe kompozitor anglez. John Anthony Burgess Ëilson ka lindur në 25 shkurt 1917 në Mançester, Angli. Mamaja dhe motra e tij Muriel vdiqën disa vite më vonë gjatë gripit pandemik të 1918-ës. I mbrujtur nga aftësitë artistike të prindërve të tij, ai filloi që të dërgonte poezi dhe vizatime për publikim. Ai mësoi vetë të luante në piano dhe në moshën 18 filloi të kompozonte sinfoninë e tij të parë. Burgess u rregjistrua në Universitetin e Mançesterit ku ai ishte regjizor i disa shfaqjeve skenike dhe jepte kontribut në revistën e Universitetit. Ai gjithashtu takoi Lynne Jones e cila u bë gruaja e tij para se të diplomohej në Letërsinë Angleze në 1940. I regjistruar në forcat e armatosura në 1940, Burgess shërbeu Trupat Mjekësore dhe Arsimore të Mbretërisë. Gjatë kësaj kohe ai dërgonte poezi dhe kritikë për filmat në publikimet e Ushtrisë. Pasi u largua nga ushtria në 1946, Burgess u bë mësues i gjuhës angleze në disa shkolla dhe u përfshi në disa produksione teatrore dhe përfundoi romanin e tij të parë. Në 1954 ai u shpërngul me bashkëshorten e tij Lynne në Malaja dhe puna e tij u pasua me dy romane të tjera të njohura si Trilogjia Malajane. Burgess u kthye në Angli në 1959 dhe ju dedikua shkrimit megjithese ishte diagnostikuar me tumor në tru. Ai publikoi disa romane “Doktori është sëmurë” (1960), “E drejta për një përgjigje” (1960) etj të cilat kishin materiale të bazuara në eksperiencën jashtë Anglisë. Burgess ishte i interesuar për figura historike. Në 1964, ai publikoi “Asgjë sikur Dielli” një biografi e trilluar e Shekspirit duke u pasuar nga romane historike kushtuar Napoleonit, Moxartit etj. Pas vdekjes së bashkëshortes së tij Lynne, ai u martua sërish me përkthyesen e italishtes dhe agjenten e letrare, Liana Macellari. Ai jetoi në Maltë , në Itali dhe në SHBA para se ai të vendosej në Monako në mesin e viteve 1970. Burgess vdiq në Londër në 22 Nëntor 1993. Dhe dy vjet pas vdekjes së tij, romani i tij i fundit, Byrne u publikua. Ai shkroi 33 romane, 25 prej të cilave janë jo letrare dhe kompozoi më shumë se 250 vepra muzikore.