Ekonomi

Anti-informaliteti nuk dha rezultat! Shkullaku: Shteti është çmendur














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:55 - 21/08/19 |
mapo.al

Muajt e verës janë dominuar nga një aksion në masë të gjerë i qeverisë kundër informalitetit. Megjithatë, ai duket se nuk ka dhënë rezultat.






Të ardhurat që administrata tatimore dhe doganore ka mbledhur në buxhet në korrik, që përkon me fillimin e aksionit kundër informalitetit, ishin 39.2 miliardë lekë, sipas statistikave fiskale të publikuara nga Ministria e Financave. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat kanë shënuar një rritje minimale prej 0.9%. Duke pasur parasysh inflacionin, që është rreth 1.5% dhe rritjen ekonomike prej rreth 2%, të ardhurat reale rezultojnë me rënie, shkruan Monitor.


Kulmi i këtij aksioni u shënua të mërkurën, me prishjen e lokalit të Mihal Kokëdhimës, personit që sulmoi një grup me turistë spanjollë.





Për analistin Armand Shkullaku, shteti është çmendur më shumë se vetë Mihali.



“Kur erdhi në pushtet, rreth 6 vite më parë, Edi Rama deklaroi se “do të qeveriste me forcën e shembullit dhe jo me shembullin e forcës”. Midis dhjetra rasteve që vërtetojnë të kundërtën e këtij premtimi, shkëlqeu sot aksioni “i fuqishëm” për të shembur lokalin e Mihal Kokëdhimës në Porto Palermo. Pasi e burgosi, damkosi, e shpalli armik të imazhit të Shqipërisë në botë, gjithë shteti u ngrit në këmbë për të shembur një ndërtesë, që bënte hije tash sa vite në sytë e të parit të vendit, sa herë që ai kalonte ndër ato vise ku ka bërë ndërmend edhe të pleqërojë (me ose pa Koçon). Ndaj Mihalit të ish “Panoramës”, tani ka mbetur vetëm masa e dëbim- internimit familjar dhe heqja e të drejtës së studimit për fëmijët e nipërit,” shkruan Shkullaku në portalin Lapsi.al.


“Një dhunë e tillë shtetërore, që transmetohet live që në pikë të mëngjesit, është ku e ku më shqetësuese sesa çmenduria e Mihalit mbi një makinë turistësh. Sepse kur çmendet shteti pasojat nuk janë më tek imazhi i Shqipërisë në botë, por tek jeta e gjithësecilit prej nesh që kemi të bëjmë çdo ditë me një shtet të tillë. Fadromat e shfaqura në një spektakël populist të hakmarrjes, nuk ishin gjë tjetër veçse metaforë e një fenomeni që e përjetojmë prej kohësh: shteti jam unë, ligji jam unë!” thekson analisti.

“Çmenduria mbi makinë, bashkë me mbiemrin, i kushtoi shtrenjtë Mihalit, kurse çmenduria e shtetit sa herë hipën mbi fadroma na kushton shumë më shtrenjtë të gjithëve. Prandaj përpara se të mbërthehemi nga histeria kolektive për të linçuar atë që na “prishi imazhin”, të kërkojmë që ai dhe kushdo tjetër të gjykohen e ndëshkohen me metrin e ligjit dhe jo me humorin e kryeministrit. Përndryshe, mihalët e çmendur nuk do të na mungojnë asnjëherë në krye të vendit dhe halli ynë do jetë shumë herë më i madh se sa ankthi që përjetoi miliarderi spanjoll”.

1


Etiketa: , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas