Ekonomi

Anti-informaliteti “spektakël veror” i qeverisë, pa ndikim në buxhet






               Publikuar në : 19:05 - 22/08/19 |
mapo.al

Nisma e qeverisë në aksionin e madh anti-informalitet dhe ndikimi minimal në rritjen e të ardhurave. Për 6-mujorin e parë të ardhurat nga TVSH e brendshme ranë me gati 13%. Flet ekspertja e ekonomisë Ornela Liperi: Aksioni është “show”, ndikoi negativisht nisma e qeverisë për uljen e pragut të deklarimit të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë.


Ndërsa kreu i qeverisë Edi Rama gjatë pushimeve të tij në Dhërmi komentonte aksionin anti-informalitet, theksonte se ligji ishte i barabartë për të gjithë dhe se shmangia e taksave dhe detyrimeve nuk do të tolerohej më. Aq i “dhënë” pas këtij aksioni ishte sa në reagimet në Facebook nuk ngurronte të përmendte me emra lokalesh dhe pronarësh disa restorante peshku, apo bare në Tiranë dhe bregdet që ishin kapur në shkelje, duke mos prerë kuptonin tatimor. Qëllimi i kësaj shkundjeje të administratës tatimore dhe doganave duket se ishte për dy qëllime specifike: një lloj propagande e qeverisë në luftën kundër informalitetit dhe tentativë për të mbushur arkën e shtetit, tashmë që edhe rritja ekonomike është në nivele mjaft të ulëta. Operacioni u nis me “Yllin e peshkut”, por dje u trumbetua një lajm i madh nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku që administrata tatimore kishte bllokuar 550 tonë naftë në Ballsh, për shkak të cilësisë së ulët. Përgjatë muajit korrik dhe deri më tani aksioni thuajse ka qenë i përditshëm, duke u shtrirë edhe te bizneset e mëdha, por të dhënat e mbledhjes së detyrimeve nuk janë aq optimiste. “Të ardhurat që administrata tatimore dhe doganore ka mbledhur në buxhet në korrik, që përkon me fillimin e aksionin kundër informalitetit ishin 39.2 miliardë lekë, sipas statistikave fiskale të publikuara nga Ministria e Financave. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat kanë shënuar një rritje minimale prej 0.9%”-shprehet Ornela Liperi, kryeredaktore e revistës ekonomike Monitor. Për ndërsa ky aksion mund të venitet me kalimin e javëve, treguesit ekonomikë, por edhe evazioni vijon të mbetet në shifra shqetësuese. Pavarësisht bujës që po propagandohet, efektet në buxhetin e shtetit pritet të jenë të papërfillshme. Edhe këto nisma, më shumë se të rrisin të ardhurat në buxhetin e shtetit mund të çojnë vendin në kolaps, pasi kemi një ekonomi të dobët dhe shumë biznese rrezikojnë mbylljen edhe për shkak të këtyre nismave. Veç mungesës së mbledhjes së të ardhurave qeveria gjendet përpara një treguesi të pamohueshëm të uljes ekonomike, e cila ka ardhur edhe si rezultat i mbylljes së lojërave të fatit dhe TAP, gjithashtu, po shkon drejt fundit.

Nisi me baret, po “përfundon” me naftën

Të paktën 550 tonë karburant në depozitën G46 në rafinerinë e Ballshit, i gatshëm për t’u hedhur në treg, u bllokua dje nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial, pasi parametrat nuk përmbushnin standardet e kërkuara. E pranishme ishte edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila tha se nuk do të ketë asnjë tolerim, për asnjë subjekt i cili abuzon me cilësinë e karburantit, pavarësisht nëse është subjekt  naftënxjerrës, përpunues apo pikë tregtuese. “Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përmes Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial po kryen kontrolle të befasishme në të gjitha subjektet, qofshin këto naftënxjerrëse, përpunuese apo dhe tregtuese në të gjithë territorin e Shqipërisë. Nuk kemi lënë asgjë për në shtator, ne nuk kemi humbur asnjë ditë por jemi çdo ditë duke punuar dhe duke analizuar të gjithë cilësinë në treg, duke krijuar edhe raste shembuj për të qenë të gjithë të qartë që nga kjo luftë kundër informalitetit nuk do të shpëtojë asnjë subjekt”, u shpreh Balluku. Pak ditë më parë edhe ministrja e Ekonomisë dhe Financave Anela Denaj u shpreh se aksioni do të vijojë dhe nuk është një “show”, por punë e përditshme që synon formalizimin e ekonomisë shqiptare dhe sensibilizimin e të gjithë bizneseve, të vogla dhe mëdha për të deklaruar saktësisht detyrimet tatimore. Ekspertja e ekonomisë Ornela Liperi mendon se e gjithë kjo nismë nuk po jep efekte domethënëse në mbledhjen e të ardhurave dhe kjo që po ndodh është një spektakël i radhës. “Të dhënat e para të korrikut tregojnë se aksioni nuk nisi aq mbarë, pasi të ardhurat janë rritur vetëm 09 %. Nëse i shohim sipas zërave, problem mbetet TVSH, të ardhurat e të cilës vijuan me rënie prej 3% në raport me korrikun 2018, duke arritur në 12.6 miliardë lekë”-thotë Liperi. TVSH është një tregues direkt i konsumit në ekonomi dhe korriku përgjithësish pritet të ketë konsum të shtuar për shkak të rritjes së turizmit në vend, çka nuk duket të jetë reflektuar në buxhet. “Zëri tjetër me tkurrje më të thellë ishte ai i taksave nacionale (kryesisht renta) që ranë me 30%”-shton Liperi.

Qeveria nxiti informalitetin “pa dashje”

Vitin e kaluar qeveria ndërmori nismën për të futur në skemën e TVSH-së edhe bizneset e vogla. Për këtë arsye u kalua mes shumë debatesh vendimi që të ulët pragu i deklarimit të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë. “Kjo nismë praktikisht i është kthyer në bumerang qeverisë, pasi ka rritur më shumë evazionin te subjektet e vogla, të cilat nuk marrin faturë në mënyrë që të mos kalojnë pragun e TVSH-së. Për 6-mujorin, të ardhurat nga TVSH e brendshme ranë me gati 13%”-thotë Liperi. Sipas ekspertëve të ekonomisë në vendin tonë janë rreth 60 mijë biznese të vogla, që gjithashtu mbesin tregues i numrit më të madh edhe të vetëpunësuarve. Duke iu “vërsulur” biznesit të vogël dhe ulur qëllimisht pragun për përfshirjen në TVSH synohej të shkonte tek “evazorët e mëdhenj”, por kjo nuk dha aspak rezultatet e pritshme, përkundrazi, duket një dështim, edhe pse u mbrojt me shumë zell kjo nismë nga ish-ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj. Bizneset nuk tërheqin faturë tatimore, në mënyrë që të mos kalojnë pragun e TVSH-së i cili është 2 milionë lekë xhiro në vit. Tashmë që aksioni anti-informalitet po shtrihet edhe në hidrokarbure, kurrsesi nuk mund të jetë tregues se po shkohet tek evazorët e mëdhenj. “Ka një mungesë transparence të theksuar me hidrokarburet dhe veçanërisht me prodhuesit në vend, duke përfshirë edhe Uzinën e Ballshit”-thotë Liperi. Sipas saj, pavarësisht çdo mase të marrë problemi i cilësisë apo çmimit të naftës do të vijojë të jetë shqetësues.


Etiketa: , , , , ,

Pas