Prokuroria e Tiranës së bashku me skuadrën e antikrimit financiar në Policinë e Tiranës pritet të dërgojë në gjykatë katër dosje për sekuestrimin e të ardhurave të përfituara nëpërmjet pastrimit të parave apo aseteve të vendosura nga veprimtari kriminale. Lajmi konfirmohet nga shefi i sektorit, Bedri Gjonaj, sipas të cilit, dosjet i përkasin hetimeve të përbashkëta me Task-Forcë të Prokurorisë të nisura gjatë 3-mujorit të parë të vitit. Gjonaj pohon se goditje të korrupsionit do të ketë veçanërisht në disa ministri dhe drejtori rajonale, si dhe në struktura të pushtetit lokal dhe vendor. Një pjesë e mirë e çështjeve korruptive që së bashku me prokurorinë janë në mbyllje të hetimit, i përkasin ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Arsimit. Për mjaft emra të rëndësishëm priten vetëm urdhër-arreste nga ana e gjykatës. Bëhet fjalë për vepra penale si, marrje ryshfetesh, abuzime të rënda me detyrën, mitmarrje etj. “Nga seksioni kundër pastrimit të parave ka katër raste të procedimeve penale, për të cilat po kryhen veprime për sekuestrimin e disa aseteve. Në seksionin e antikorrupsionit janë referuar materialet në prokurori dhe kanë nisur hetimet me metoda speciale dhe presim nga dita në ditë rezultatin e hetimeve. Këto referime janë në arsim, shëndetësi dhe fusha të tjera, për të cilat deri më tani kemi siguruar provat e mjaftueshme. Gjithashtu, Gjonaj paralajmëroi arrestime të bujshme për 5 dosje të tjera që po hetohen nga skuadra e antikorrupsionit. Hetimet për antikorrupsionin sipas Gjonajt, kërkojnë kohë dhe teknika speciale në hetim, ndaj konsiderohen delikate dhe si hetime që zgjasin 4 ose më shumë muaj. Për shefin Gjonaj, e suksesshme ka qenë puna në këtë 3-mujor edhe për sektorin e antikrimit ekonomiko-financiar. Skuadrat e antikrimit financiar janë përfshirë edhe në hetimin e rasteve të dyshuara për vjedhjen e identiteteve apo lëshimin e tyre për të prodhuar pasaporta false biometrike. Dy javë më parë u arrestuan 6 persona të implikuar në këtë aktivitetet. “Mund të përmendim punën e mirë që është bërë në fushën e kontrabandës, siç ishte rasti i linjës së autobusëve Tiranë-Athinë dhe rrjetit të kontrabandës së cigareve apo kontrabandimit të makinerive të lojërave të fatit”, – u shpreh Gjonaj. Përgjatë vitit 2011, strukturat e policisë kanë kryer 66 operacione policore me 239 autorë të veprave penale që kanë lidhje me krimin financiar, prej tyre 173 të arrestuar. Në 51 operacione policore janë përdorur teknikat speciale të hetimit. Janë regjistruar në prokurori 86 raste për veprën penale të “pastrimit të parave”, ku janë përfshirë 132 autorë. Ndërsa gjatë vitit 2010 janë evidentuar 61 raste, ku janë përfshirë 109 autorë.