Presidentin i sapozgjedhur, Bajram Begaj, pavarësisht kontestimeve apo thirrjeve politike për anti-kushtetueshmëri në zgjedhjen e tij, ka nisur takimet e para zyrtare me ambasadat e kancelarive Perëndimore, ndonëse nuk e ka marrë ende zyrtarisht detyrën e re, pasi deri më 24 korrik në krye të shtetit do të jetë Ilir Meta.
Ambasadori Alastair King-Smith dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, u takuan me Presidentin e zgjedhur, Bajram Begaj, dhe e përgëzuan për zgjedhjen si Kryetar i ardhshëm i Shtetit.
Ata vlerësuan qëllimin e tij për t’i shërbyer interesave afatgjata të popullit shqiptar.
“Diskutuam rëndësinë e sigurisë rajonale, duke adresuar rritjen e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve dhe garantimin e standardeve më të larta në detyrat publike dhe emërimet”.
I dërguari i Posaçëm, Sir Stuart Peach, ndodhet në vizitë dy ditore në Shqipëri me synimin për të përforcuar angazhimin e Britanisë për të bashkëpunuar me udhëheqësit shqiptarë dhe liderët e tjerë, për të promovuar në të gjithë rajonin institucione të forta demokratike dhe shoqëri të hapura.
“Si aleatë të ngushtë, do të angazhohemi me Presidentin e zgjedhur Begaj që Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria të adresojnë sfidat e përbashkëta dhe të krijojnë mundësi të reja bashkëpunimi për të dyja vendet tona” – tha Ambasadori Alastair King-Smith, pas takimit.