Aktualitet

Antimafia italiane – Përgjimet që po trazojnë keq rilindjen














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:00 - 25/01/21 |
Mapo.al

Prej tre ditësh janë publikuar përgjime të antimafias italiane, nga RTV Ora, lidhur me procesin më të madh gjyqësor prej dy dekadash, që ka nisur në Kalabri. Një pjesë e përgjimeve, nxjerr organizatën famëkeqe Ndragheta të lidhur me qeverinë shqiptare, dhe me interesa në tendera dhe koncesione. Gazeta MAPO mëson se janë 300 faqe në dosje për raportet e Ndraghetës me rilindjen, për vitet 2017-2018. Opozita kërkon hetime dhe drejtësi, ndërkohë që Edi Rama ka heshtur deri tani. SPAK bën të ditur se është vënë në lëvizje dhe do të kontaktojë kolegët italianë për të marrë informacion.






Antimafia italiane ka nisur operacionin më të madh antimafia që nga koha e dy prokurorëve të vrarë nga mafia, Borsellino-Falcone. Megaoperacioni i drejtuar nga prokurori Nicola Gratteri ka dërguar pas hekurave mbi 350 vetë në shtetin fqinj dhe ka zbuluar dhe lidhjen e klanit mafioz “Ndrangheta” me zyrtarë në Shqipëri e politikanë të lartë. Interesat e mafias italiane në vendin tonë shfaqen kryesisht në fushën e Shëndetësisë, tenderat në Polici, ndërtim etj.


Në 1000 faqe përgjime të paktën në 300 faqe të kësaj dosjeje flitet për lidhjet me zyrtarë të qeverisë shqiptare gjatë viteve 2017-2018. Opozita ka kërkuar nisjen e hetimeve edhe në Tiranë, ndërsa kryeministri Edi Rama ka zgjedhur heshtjen në përballjen me një prej skandaleve më të mëdha të korrupsionit. Më herët një ministër i rëndësishëm i tij, Saimir Tahiri, u përball me drejtësinë pikërisht pas hetimeve të nisura në shtetin fqinj për grupet e organizuara kriminale.







Po si funksiononte lidhja e “Ndraghetas” italiane me zyrtarët e Tiranës?
Sipas bisedave të publikuara, mafia italiane ka dërguar biznesmenin Antonio Gallo në vendin tonë që të futet në tendera e të ngrejë biznese përmes të cilave të pastrohen paratë e tyre. E gjithë skema e pastrimit të parave të mafias italiane në Shqipëri dyshohet se kap vlerën e 250 milionë eurove. Dosja e plotë e përgjimeve është mbi 1000 faqe dhe pritet që në ditët në vijim të publikohen pjesë të tjera të saj. Në 18 janar, antimafia italiane arrestoi 50 anëtarë të grupit italian mafioz të “Ndranghetas”, në një operacion të nisur prej vitesh.




Mes të arrestuarve janë; kryetari i bashkisë së Rosarno në Kalabri, një këshilltar komunal, sipërmarrësi kalabrez Antonio Gallo i njohur me nofkën ‘Princi’, si dhe sipërmarrësit Tomaso e Saverio Brutto që po përpiqeshin të hynin në tregun shqiptar. Gjatë operacionit u arrestuan dhe shtatë shqiptarë, roli i të cilëve në lidhje me mafian nuk dihet akoma. Mes personave të vënë në pranga është dhe një ish-pjesëtar i Guardia di Finanza italiane që në dosje thuhet se kishte lidhje me elementë shqiptarë e me njohje e interesa në Tiranë. Gjithashtu, nga dosja zbulohet se janë nën hetim disa politikanë kalabrezë me interesa sipërmarrje në Shqipëri si dhe europarlamentari, Lorenzo Cesa.



Eurodeputeti sipas tyre: “mund të shfrytëzohej për të vendosur lidhje në Shqipërinë për aferat e tyre…”. Në dosje janë shumë dialogje nga përgjimet ambientale e telefonike të eksponentëve të klaneve mafioze të Ndranghetas kalabreze si; “Grande Aracri”, “Arena”, “Buonaventura” e “Aracri”, që veprojnë në Crotone, Isola Capo Rizzo, e Cutro, si dhe sipërmarrës, politikanë, profesionistë e funksionarë publikë. Sipas dosjes hetimore besohet se në krye të këtij grupimi kriminal qëndronte sipërmarrësi kalabrez Antonio Gallo i njohur me nofkën “Princi”, me lidhje të ngushta me të gjithë bosët mafiozë kalabreze, dhe i devotshëm në aferat kriminale të Ndranghetas, me investime në Shqipëri.

Në dokumente zbardhet se nëntenenti i Guardia di Finanza Ercole D’Alesandro, tashmë në pension, i shërbente sipërmarrësit Gallo me informacione mbi operacionet e policisë italiane, e hetimet e Antimafias duke siguruar një vend pune për djalin e tij në një kompani që ai kishte hapur në Shqipëri. Ish-nëntenenti premtonte të gjente çelësat e duhur pranë ministrive shqiptare e Administratës Publike me qëllim hapjen e aktiviteteve sipërmarrëse. Aktiviteti sipërmarrës në Shqipëri u interesonte dhe politikanëve e funksionarëve kalabrezë Tomaso Brutto e Saverio Brutto, babë e bir. Tomaso Brutto është këshilltar në komunën e Cattanzaros e Saverio Brutto këshilltar në komunën Simeri Crichi në provincën e Katanzaros.

Tomaso e Saverio Brutto po përpiqeshin të hapnin në Shqipëri një sipërmarrje tip Brico për tregtimin e materialeve për parandalimin e aksidenteve me aksione të barabarta mes tyre po që shuma fillestare e investimit do të jepej e tëra nga Antonio Gallo. Marrëveshja e tyre për investime në Shqipëri do të niste më 14 prill 2017 pas takimit të zhvilluar mes politikanit kalabrez Tomaso Brutto e funksionarit të Guardia di Finanza të Catanzaros, Ercole D’Alesandro. Nga përgjimet e Antimafias, politikani italian Tomasso Brutto ndihej i siguruar se në këtë aferë ishte ortak dhe financieri Ercole.

Në një tjetër përgjim të Antimafias, në takimin e dytë të zhvilluar mes tyre, më 24 prill 2017, ish-funksionari i Guardia di Finanza Ercole D’Alesandro siguronte se kishte lidhje të mirë me Shqipërinë, dhe se për të bërë biznes duhej paguar ryshfet. “Duhet të paguash e të paguash një person të vetëm e në nivel Ministrie e vetëm te njëri aman…” thotë ai në këtë bisedë. Aktiviteti sipërmarrës i tyre në Shqipëri u inaugurua më 22 qershor 2017 e pikë referuese ishte djali i funksionarit të Guardia di Finanza Ercole D’Alesandro. Në përgjimet e Guardia di Finanza zbardhet dhe emri i një tjetri eksponenti të lartë të politikës kalabreze, Francesco Talarico sekretar rajonal i Partisë UDC (Bashkimi demokristian) e këshilltar i bilancit në rajonin e Kalabrias. Në një bisedë mes tij dhe financierit Ercole D’Alesandro, flitet për korrupsionin në Shqipëri.

“Korrupsioni është total” thonë në bisedat me njëri-tjetrin, “bëhet biznes pa tendera”. Në biseda shfaqet dhe emri i eurodeputetit Lorenzo Cesa që sipas tyre “mund të shfrytëzohej për të vendosur lidhje në Shqipërinë për aferat e tyre”… “mjaft që një ministri në Shqipëri t’i japësh…” Pozicioni i europarlamentarit Cesa krijon interesa të mëdha për të investuar në Shqipëri e kryesisht në sektorin e sistemit mjekësor, në klinika, spitale në tregtimin e instrumenteve mjekësore etj.

Ndragheta interesohet për tenderin e uniformave të policisë
“Në Shqipëri funksionon si Kalabria e viteve ’60, po gjete kanalin e duhur bën para, ndryshe rrezikon të ta fusin. Atje nuk ka drejtësi, e kur i hedh në gjyq… duhet të kesh kujdes dhe duhen verifikuar kontaktet që ata kanë, nëse janë të vërteta ose jo.” Kjo është përshtypja që Antonio Gallo i njohur me nofkën “Princi”, ka pasur për Shqipërinë. Biseda është përgjuar në datën 18 korrik, në kuadër të një operacioni me profil të ulët ku u vendosen 50 masa ndalimi prej të cilëve 35 në arrest me burg. Të akuzuarit, si pjesë e grupit Ndragheta, bisedojnë për investimet në Shqipëri, sa duhet paguar për të marrë tendera apo për leje ndërtimi.

Në faqen 506 në regjistrimet e bëra në 25 korrik të vitit 2017, fill pas zgjedhjeve kur PS fitoi mandatin e dytë, shfaqet dhe interesimi për zhvillimet politike në Tiranë. Antonio Gallo thotë se në korrik e gusht në Shqipëri gjithçka është pezull pasi po presin të emërojnë ministrat e rinj e duke iu drejtuar Luciano D’Alessandro (djalit të financierit të Ercole D’Alessandro) e Saverio Brutto thotë se gjatë këtyre dy muajve duhet të mësojnë të gjithë artikujt, të formohen për të qenë autonomë. Teksa flasin për kompani me 6500 punonjës në Malësi të Madhe dhe për prodhim të pantallonave, Luciano D’Alessandro thotë se një person i tretë i ka thënë se Policia do të ndërrojë uniformat. “Nëse hyn Ministri ai i yni, do të na firmosë kontratën menjëherë”.

Por duket se italianët nuk kanë pasur shumë besim te kontaktet shqiptare. Sipas dokumentit të Antimafias italiane ai thotë se duhet të ndjekin rrugët që të mos kuptohen nga shqiptarët. Gallo: “Rrugët e tua nuk ia japin shqiptarit, e ne do ta kryejmë pa bërë që të kuptohet asnjë lëvizje”. D’Alessandro: “Jo jo jo… po kujt shqiptari?” Më tej Ercole D’Alessandro thotë se më datë 12 do të shkojë në Shqipëri e më 13 do të kthehet, ku do të takohet me njerëzit e tij në Ministrinë e Brendshme. Në një tjetër komunikim, biseda vazhdon dhe për sektorin shëndetësor, këtë radhë në Shkodër ku Luciano D’Alessandro shprehet për kontakte të rëndësishme në sektorin sanitar. Madje në përshtypjen e krijuar mes tyre, D’Alessandro shprehet se investimet në Shqipëri do të jenë të mëdha. D’Alessandro: Më thotë ky që sapo të bëhet qeveria, sepse Europa po çon para atje… pra sa të bëhet qeveria do të bëjnë gjithçka, infrastrukturë, kanalizime… siç bënë në Rumani…

Si i fituan njerëzit e Ndraghetas 80 tendera në shëndetësi
Garancia e Princit të Ndraghetas, Antonio Gallos për të kryer korruptimin e qeverisë shqiptare dyshohet se është presidenti i grupit ‘Sol’ në Shqipëri, Besnik Halili! Kompania e cila njihet në vendin tonë dhe me emrin “GTS-Gazra Teknike Shqiptare sh.p.k.”, është tashmë në ‘lupën’ e autoriteteve pasi dyshohet se merrej edhe me pastrimin e parave. Sipas të dhënave nga ‘Open Data’ kompania e përgjimeve të Ndraghetas ka përfituar 80 tendera publikë në Shqipëri. Të gjitha në shëndetësi! Siç lexohet në dokument, numri i tenderave të fituar është 80.

Tenderat e fituara janë të gjitha në fushën e shëndetësisë. Ky është dokumenti ku shihet skema e numrit total të tenderave sipas autoriteteve tenderuese. ‘Flamurin e kuq’ për këtë rast e ka ngritur ‘Open Data’ e cila është një platformë e hapur që shërben për katalogimin e të dhënave nga institucionet qeveritare. Në një dokument të bërë publik shihej qartë se kompania ‘GTS.SHPK’ ka përfituar tender në spitalin universitar ‘Shefqet Ndroqi’.

Në të gjithë tenderat e zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe strukturat vartëse, përfshirë Qendrën Spitalore Universitare Tiranë, për oksigjenin spitalor, fitues shpallet “GTS”. U desh që autoritetet italiane të kryenin megaoperacionin në mënyrë që të zbulohej se në Shqipëri është një kompani që kryen pastrim parash dhe mbi të gjitha kryen lidhjen mes qeverisë shqiptare dhe figurave të grupeve mafioze. Besnik Halili, president i grupit SOL për Shqipërinë, së bashku me figura të tjera të njohura në shtetin italian kanë dalë në dritë pas përgjimeve që u nisën nga finalizimi i megaoperacionit italian.

1


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas