Aktualitet

ANTOLOGJIA – Proza e shkurtër si letërsi klasi














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:00 - 01/07/21 |
Mark Simoni

(Ese rreth Antologjisë “Hija e Lisit” e 31 autorëve)






Në Lezhë, në një atmosferë përndezëse krijimesh dhe botimesh, shkrimtarit dhe studiuesit Ernest Marku i shkoi ndërmend që të mbledhë në një Antologji të prozës disa nga emrat më të spikatur që vazhdojnë të krijojnë çdo ditë. Dhe 31 autorë të thirrur nga ideatori, bënë Antologjinë me proza “Hija e Lisit”, një tekst vërtet serioz dhe që tashmë është i pari në të gjitha iniciativat e kësaj natyre që do të lindin më pastaj. Kur del prej librit “Hija e lisit” duket se ke dalë në bregun tjetër të diçkaje që të ka mrekulluar. Je mbushur me gjuhë dhe imazhe, aventura të lehta dhe subjekte interesante, je mbushur me një frymë të përndritur nga shenjtëria e letërsisë. Këta shkrimtarë vijnë nga njëri prej arealeve më interesantë të letërsisë, prej njërit nga habitatet më brilant të leksikut dhe më të harlisur të gjuhës shqipe, të njërit prej domeneve më të sigurt të mendimit filozofik shqiptar.


Stili i të menduarit, sintaksa e çuditshme, sociolinguistika dhe psikolinguistika e shoqërisë lezhjane, janë ndoshta terreni më i fortë për të prodhuar e konsumuar vetëm letërsi të mrekullueshme. Patjetër që ne e dimë se letërsia dhe mendimi rrinë në gjuhë, (në leksikun dhe sintaksën e saj). Jashtë gjuhe nuk gjen as njërën dhe as tjetrën. Duke lexuar “Hijen e Lisit”, mbushesh me fjalë, aty ka një lulëzim të jashtëzakonshëm të gjuhës, kupton se qindra e qindra fjalë janë zgjuar nga gjumi i gjatë, kanë dalë nga pluhuri i harresës dhe kanë ardhur në fondin tonë të përditshëm. Kësaj antologjie i bien kryq e tërthor pjesa më brilante e leksikut, pikërisht leksiku i fjalëve më me energji dhe valencë. Është pikërisht gjuha një nga përndritjet që mbulon dhe shëndrit Lezhën. Ndihen në këto tregime edhe jehona fjalësh që kanë tunduar dikur edhe fantazinë dhe letërsinë e Fishtës, Mjedës e të tjerëve. Ka shumë melodi në këtë leksik, sikur fjalët janë krijuar enkas për të shkruar letërsi të bukur, tamam ashtu si gajtanat që janë prodhuar për të stiluar petkat e mrekullueshme.







Ja të flasim pak për 5 a 6 tregimet që hapin antologjinë. Alban Bala luan në një alkimi të çuditshme të raportit Nënë- Bir, një magmatizim dhe lidhje e fortë, karakteriale. Marga, një lojë vdekjeje dhe jete së bashku. Autori luan me udhëtimet e tyre në tri vende, si në tri realitete gjysmë mistike, duke bërë zgjidhje mes logjikës dhe absurdit. Te prozat e Azem Balisë subjektet janë krejt të thjeshtë, por të vendosur në një realitet disi të çuditshëm, nga duhet patjetër që të mos ndalosh, por të vazhdosh jetën, tamam aty, në vijat e bardha, çast sa fatlum aq dhe delikat dhe tronditës, mbasi mund të bjerë gongu, mund të sosen dekikat që e ke mundësinë e takimit dhe të shikimit në sy. Zgjidhje e veçantë. Liza Brozi e ndërton skicën e saj pa subjekt por me mjete filozofike dhe metafora të forta.




“Ata” janë urdia, turma kolektive, pa përmasë, pa formë dhe uniforme njëkohësisht. Teatri absurd i krizës së identitetit, kolektivitetit grih, eminencës që mbyll dhe rri sipër çdo gjëje personale dhe vetjake. Është uniformiteti psikologjik që e shtyn dhe unin e autores në tundimin dhe trandjen, se do të vijë një kur dhe ajo do të bëhet si “Ata”, me një matrikull në gjoks, por pa emër, pa profil, pa asgjë individuale. Alket Bushi sjell oponencën dhe dilemën, dilemën dhe trilemën e gjykimit të drejtësisë dhe shoqërisë, një shqetësim i vjetër sa bota, por i trajtuar në mënyrë shumë moderne, me një gjuhë dhe leksik të zgjedhur, me një logjikë të ftohtë dhe racionale, që është për t’u admiruar.



Lulzime Celami sajdis këtë antologji me një tregim me notat më të forta, me rafiniturat më të goditura, me impresionet më të ndjera, të dramës e një gruaje, që sa ç’është individuale është edhe universale. Celami përdor një fjalor të zhdërvjelltë, një subjekt që të mbanë vazhdimisht në suspans, luan në një areal të sigurt dhe të besueshëm si vetë tabanet ku luhet ky lloj teatri, një ndërthurje racionale mes jetës, zakoneve, ashpërsisë sociale, argumenteve kanunore. Kjo autore e ka sjellë ngjarjen nëpërmjet një leksiku të vetë zonave që janë nën protektoratin e ligjeve të forta për gratë. Ky regjistër leksikor e bën më real dhe tërheqës këtë tregim të veçantë. Mehdi Dashi duke na dhënë një skicë të shkruar me fjalë, na ka sjellë para syve si një pikturë jetën, oshilacionet, baticat dhe zbaticat e jetës së një piktori. Autori, duke patur në dorë një subjekt për piktorin, i jep rëndësi më shumë imazhit dhe karakteristikave vizive të skicës, se sa vetë rrëfimit si një target narrativ.

2. Histori fëmijënore
Ata që të dy qenë njerëz të çuditshëm. Njëri thirrej Avokat Blinishti dhe tjetri me sa mbaj mend, (kërkoj falje nëse gabohem), quhej Myfit Mushi. I pari më bënte përshtypje nga pamja. Qe me një pardesy të bardhë, i vetmuar dhe me një hutim të turbullt, si dhe me flokët e krehur si spitullaq, (tamam si arketipi i psikologjisë së njerëzve për borgjezët dhe spiunët e të huajve, model që regjisorët tanë të filmave e përdornin pothuajse çdo herë në filmat e tyre). I dyti qe krejt ndryshe. Nuk kishte asgjë të veçantë në pamjen e tij.

Por çudia qëndronte tek ajo që thuhej lart e poshtë nëpër qytet pikërisht për të. E patën sjellë në Lezhë, nga një furtunë largimesh nga Tirana, mbasi kishte përkthyer diçka gabim nga fjalim i Enver H. në Moskë, në konfliktin me Hrushovin. Qesh aq fëmijë sa Avokat Blinishtin e mbaj mend fare turbullt, dhe s’di se nga u zhduk prej Lezhe, ndoshta u burgos, apo lëngoi në ndonjë dhomë spitali e pastaj vdiq. Si njeri pa njeri, s’u mor vesh asgjë për të. Edhe përkthyesin e pata parë fare pak, iku nga Lezha e s’ndenji shumë, dhe s’pata aq mundësi të kisha diçka në përfytyrimin tim për të. I përmenda pak gjatë këta dy njerëz, krejt të veçantë nga njëri-tjetri por që i bashkonte diçka.

Të dy këmbenin libra të vjetër me tim atë, Pedagog, Lauruar për Letërsi. Kur kam qenë gjimnazist kam gjetur në bibliotekën e madhe të tim eti librin “Prozë fetare” të Engjell Radojes, ku brenda qe shkruar me “penë e mereqep”, me një shkrim të kujdesshëm e kaligrafi të mrekullueshme “Avokat Benedikt Blinishti”. I pati mbetur libri tek ne. Pikërisht ky libër është dhe titulli i parë që dihet deri më sot si libri më i vjetër shqip me tregime të shkurtra. (Botuar në Romë në vitin 1862). Ndërsa përkthyesi pati lënë për ca kohë tek im atë librin “E puthura” të Mihal Gramenos, botuar në vitin 1909. Dhe ky ndër librat më të vjetër të tregimit të shkurtër shqip.

Ja dhe “Hija e Lisit” e vitit 2021 vazhdon me autorë e tregime të tjera. Ndue Dedaj vjen me një korpus shqetësimi, ai ka opusin e vet të gjykimit e të dhimbjes. Ky autor na e sjell në mënyrë shumë të veçantë dhe origjinale, gati i rrallë ky këndvështrim, mbi rrënimin dhe shembjen e emrave dhe dyerve të mëdha, rrëzimin e dinastive që mbanin mbi shpinë historinë më substanciale të Shqipërisë. Dhe ky rrëmet bëhej pikërisht nga pjesa më anonime dhe e paformë, dhe e pakontribut e Shqipërisë.

Borizani, ku lajmëtar, patriot, kasnec duhet të dalë nga skena, nga ai teatër që e ndërtoi vetë me luftëtarët e tjerë, por që tashmë çdo gjë merr formën e diktaturës dhe autoritetit të unit. Ndue Dragusha luan me dritëhijet e një idili, me mizanskenat e një dashurie, duke e ruajtur masën e erotikës për të mos rënë në domenin e pornografisë. Ka elegancë, imazh, gjendje, sendiment në të gjithë tregimin. Interesant është dhe vendosja e një personazhi të tretë në këtë subjekt, i një roje nate që pavarësisht se është distanca, syri tjetër mbi ata të dy, kënaqësia e vëzhguesit dhe e konfidentit, ky personazh është po kaq i punuar me kujdes si personazh letrar. Elsa Gazulli sjell në antologji sagën e një familjeje, me tragjeditë e herëpashershme, që e bëjnë këtë tekst proze një nga materialet më të punuara me kujdes, dhe sentimental e njerëzor njëkohësisht. Zinxhiri i jetës dhe i vdekjes, historitë e vogla, kujdeset dhe dashuritë, urrejtjet dhe mëritë e mbajnë këtë tregim me energji.

Çdo akt mbyllet me ca vdekje sa të papritura, aq dhe të dhimbshme e delikate, që na trondisin dhe na ligështojnë, deri sa bie sipari dhe mbyllet skena, me një pinjoll të fundit që mbërrin në fshatin e nënës së vet, si një kujtim i tërë asaj çfarë mbeti nga ndodhia tragjike. Salvador Gjeçi e pasuron Antologjinë me një tregim të veçantë dhe interesant, me një subjekt malesh e zonash të thella, ku në qendër është historia e një gruaje të bukur, e mbetur e ve, dhe presionit të një prej burrave të zonës. Rrëfim i shkruar në dinamikën e ngjarjes, jeta në kullë e Terezes, nata e vështirë kur i vjen papritur Doda dhe me tundimet e tij e ashpërsinë e tij e shantazhon, deri te mbyllja e tërë kësaj nate të gjatë me zgjidhjen inteligjente të gruas, që mbrojti me të gjitha mjetet dinjitetin e saj dhe të fëmijëve.

Tekst i punuar me shumë kujdes dhe përkushtim, i trajtuar mirë me mjetet e arealit ku vendoset ngjarja si, (gjuha dhe lakonikja e saj, fjalori dhe ekonomia e shprehjeve, nënteksti dhe metafora e çdo thënie), tamam ashtu si flitet e mendohet në ato zona e gjeografi të njohura. Tregimi ka dhe një strukturë lëvizjesh të aktorëve si në një dramë, çka flet për aftësinë e Salvadorit për të na sjellë imazhe dhe teatër në letërsi. Angjelina Gjeka trajton me një leksik të harlisur e të zgjedhur geg, qarkun e mbyllur psikologjik të jetës së njeriut, (si një paralele filozofike e “Kështu i vrasin edhe kuajt”), të vendosur në një rrafsh psikiatrik të gjendjes së mediumit apo transit, të mbështjellë nga një tis i errët nokturni.

3. Botime tregimi dhe antologjish
Sa herë që ka iniciativa dhe botime me tregime të shkurtër, unë kam entuziazmin e atij që mban shpresën se kjo gjini, do të vazhdojë të na sjellë dinjitet letrar. (Ndoshta është dhe gjinia që shqiptarët shkruajnë më bukur, mbasi kanë natyrë shumë rrëfimtare. Ky mendim gjithsesi i diskutueshëm). Herë pas here në Shqipëri është munduar të entuziazmohet ndonjë iniciativë për të bërë antologji të tregimit, por që, ose ato kanë qenë modeste dhe kanë kaluar pa lënë ndonjë impresion, ose kanë patur ndonjë modul të gabuar që iu ka kaluar lexuesve anash vëmendjes, pa iu tërhequr dëshirën për t’i marrë në dorë.

1990 është një antologji, pastaj në 2004 kemi dy të tilla, një e shtëpisë botuese Orana, dhe tjetra e OMBRA GVG, e pastaj një e organizuar nga Prençi, e një tjetër me titullin shterues të botuar nga Ardian Klosi, tregimet e shkurtra shqiptare. Kolana me tregime të shkurtra e Shtëpisë Botuese “Geid-Margot” (tregimet e humorit të zi, tregimet e detit, tregimet erotike, tregimet i makthit etj.), janë gjeste të kujdesit dhe sjelljes në vëmendje të krijimeve më brilante të autorëve shqiptarë të prozës së shkurtër. Tashti së fundi kam patur një vokacion të brendshëm për të përshëndetur Galaktika Poetike ATUNIS për shpalljen e një konkursi rreth tregimit të shkurtër, që do celebrohet me Çmimin “Frang Bardhi”. Edhe Frangu i Bardhë (emër me të cilin disa studiues quajnë Frang Bardhin) është nga Lezha, nga një fshat pranë që thirret Kallmet.

Të hidhemi dhe tek ca tregime të Antologjisë sonë Edmond Kaçeli me tregimin e tij të qytetit duket se ndodhet në të njëjtën kuotë fantazie si Italo Calvino kur fantazonte qytetet imagjinare. Autori ynë është po kaq i frymëzuar, fantazist, i qartë në percepsione për të bërë qytetin e vet imagjinar, dhe ia del me mjete sa inteligjente aq dhe letrare dhe estetike. Lulzim Kalaj e ka ndjerë se letërsia e tij duhej medoemos të përfaqësohej me dy tregime, mbasi të dyja këto tregime do të bënin profilin e plotë të letërsisë së Kalajt. Nëse tregimi i parë është rrëfim pa subjekt, i ftohtë, filozofi mbi drejtësinë, i shkruar me një gjuhë interesante që i shkon përshtat temës, tregimi i dytë “Uratët e gjyshes” është krejt tjetër, i butë, i brishtë, i bukur dhe delikat si vetë uratët dhe fërkimi i kokës kur ulej pranë gjyshes që s’dinte as përralla. Është një tregim si akuarelet e pikturuara hijshëm, me ngjyra të ëmbla, si vetë zëri dhe lutjet e gjyshes. Eli Kanina me këtë tregim i jep aq shenjtëri syve sa të rikonfirmohet ideja se, më shumë se çdo gjë, njeriu është vetë sytë e tij. Rrëfim i shkruar me aq delikatesë dhe përkorje, si vetë ngjyra dhe impresioni i syve. Një kronikë e gjatë konstatimesh, tunduese dhe tërheqëse, si një lojë e bukur pasqyrash, ku çdo gjë rrëzëllit nga ata sy të shkruar e tërë lara, me ngjyra që lëvizin si stinët.

Ta mbash tërë tregimin në këmbë me një mjet që e bën mitik (siç janë sytë), e bën autoren një krijuese që ka brenda subjektit energjinë dhe valencën e lartë të fjalës së krijuar. Hekuran Koka luan në një habitat që e njeh mirë, e zotëron si në gjuhë ashtu dhe në psikologji, duke ngritur një subjekt që sillet rreth një arkivoli të një njeriu që akoma s’ka vdekur. Simbolikë e bukur, metaforë interesante, imazhinizëm i pastër, realitet zonash të veçanta. Një fill misticizmi që e përndrit subjektin dhe e bën më të besueshëm. Të gjitha këto e bëjnë shumë të dallueshëm këtë tregim nga rrëfimet e tjera me të njëjtën temë. Alma Jaku e mbyll tregimin me një formë mistike alla Kafkiane apo alla Buzzatiane. Prozë e shkruar bukur, në mënyrë racionale, e artikuluar qartë, mbasi tema është delikate, Dhe nga gjendjet herë reale dhe herë irreale të “Dilës së marrë”, kjo autore shkruan me kujdes, detaj pas detaji, deri te vdekja e Markut të ri, krejt njëlloj, si një paralele supersticioni me vdekjen e Markut të dikurshëm, (pikërisht nga ruajtësit e frutave), një simbolikë kjo që vjen nga mitologjia dhe antikiteti i rrëfimeve. Pjetër Jaku i sjell antologjisë një tregim realist, me tërë notat e të vërtetës, një rrëfim rrëqethës, trandës, me një fjalor që të impresionon dhe të jep deri në fund emocionalisht ngjarjen tronditëse, rrethanat e përbindshme ku luhet një prej dramave më të tmerrshme të diktaturës. Ky autor ruan mirë harmoninë mes universalitetit të subjektit, dhe detajeve që janë domethënëse dhe na e afrojnë dhimbjen dhe të keqen bash para syve.

4. Tregimi botëror si histori
Megjithëse njerëzit rrëfejnë dhe thonë histori gjithfarë lloji qysh se ka lindur bota, me bëmat, ndodhitë e ngjarjeve, subjektet e kallëzuara brez pas brezi, tregimi si gjini letrare, si stil dhe zhanër i shkruar, është krejt i vonë, bash i kohëve të reja dhe moderne. Borgesi duke ndjerë këtë handikap mes lexuesit tradicional të letërsisë në vargje dhe lexuesit të ri të tregimit si prozë, përdori një rrugë të ndërmjetme. Para se të fillonte tregimin, ai bënte një ese të shkurtër pikërisht për tregimin që do të vinte më pas. Në vijim të kësaj logjike, po them se, më impresionon shumë titulli i librit të parë me tregime, që historia e letërsisë e ka si fillesë zyrtare. “Një përrallë e stërthënë” është titulli.

Pra, diçka e treguar kohë pas kohe, por që tani, ja erdhi koha që edhe ta shkruajmë ashtu siç e kemi thënë, me prozë e rreshta të gjatë, pa rima dhe muzikë. Këtë libër e ka shkruar Nathanil Hauthorn në vitin 1837, që pasohet më vonë në vitin 1842 nga tregimet e Edgar Allan Poe në revistën Grahams. Madje Poe thotë se tregimi i shkurtër ka një epërsi të lehtë ndaj poezisë për sa i përket formës. Studiuesja e historisë së prozës së shkurtër J. Kamysz përmend se “Për rreth dy shekuj Çehov, Xhois, Mansfild, apo Parker treguan në mënyrë brilante se çfarë pushteti kishte forma.”. Julia Lane, në një shkrim për tregimin e shkurtër, na sjell në vëmendje katër stile dhe tendenca autorësh të ndryshëm për të na theksuar më fort se çfarë i solli tregimi dhe proza e shkurtër letërsisë.

Lakoniken te “Dëborat e Kilimanxharos” së Heminguejit, ndërthurjen e përkryer të stilit, formës dhe gjuhës, (si trini e shenjtë) te vepra e Katerinë An Porter “Përmbledhje me tregime”, ndjeshmërinë gotike duke kombinuar në mënyrë perfekte komedinë e vrazhdë dhe tragjedinë e dhunshme e solli në prozën e shkurtër Flaneri O’Konor me veprat e saj “Një njeri i mirë është vështirë të gjendet”, dhe me një vepër tjetër që s’më kujtohet dot titulli, si dhe kujtojmë Rajmond Karvers që është rënë dakord se qe sinonimi i mësuesit të tregimit. Shumë vonë, madje në vitin 1999 është bërë ndoshta Antologjia e parë serioze e prozës së shkurtër me titull “Arti i tregimit”, që si kriter të moshës së autorëve ishte viti limit 1937, dhe pothuaj në të gjithë tregimet e kësaj antologjie Cehovi ndihet si shkrimtari më influent.

Po çfarë shkruajnë autorët tanë? Preng Maca luan me rruazullin e lotit të nanës si me një ballon delikat ku është e tërë delikatesa dhe dashnia për nanën, dhimbja për të që s’mund të vrapojë më ashtu si fëmijët atje poshtë dritares. Kjo skicë është një tekst ambig që luan me dy realitete, atë të poezisë së dhimbjes dhe të prozës së shkruar me aq kujdes dhe koshiencë. Mendoj se autori e di fare mirë se një zhanër apo një mjet letrar nuk e mbanë dot në letërsinë e bukur figurën e nënës, ndaj ka thirrur në ndihmë dy regjistra të letërsisë, poezinë dhe prozën të cilët ky autor i zotëron krejt mirë. Elinda Marku, po si kolegia e saj që përmenda më lart, ka një mbyllje mistike në tregimin e saj.

Uni autorial heq unazën nga gishti, pikërisht atë unazë të dhuruar dhe për të cilën e kanë porositur të mos e heqë pa marrë vesh se dhuruesja ka vdekur. Mjafton heqja e rastësishme dhe dhuruesja vdes në çast diku larg. Është koncepti i shqisës së 6 të Sharl Rishësë, telepatia, mjete këto të letërsisë moderne, që e bëjnë prozën jo të zakonshme e monotone, por që e harlisin fantazinë deri në skutat e surreales dhe irracionalitetit. Elinda këtë na e ka sjell për mrekulli. Fabiola Marku ka në targetin e trajtimit të saj letrar fatin e një gruaje të re, e futur në grackën e situatave të ndërlikuara, me hallet dhe problemet ekstreme, e pamundur të dalë nga qerthulli i atij rrethi vicioz. Konfliktet, shtatzënia, divorci, spitali dhe humbja e fëmijës, dhe një engjëll i vogël mbrojtës, që autorja e ka zgjedhur në mënyrë shumë interesante, shemra e saj e dikurshme. Tregimi është shkruar me nota të forta realiste dhe me vërtetësi të mëdha.

Ernest Marku Rrëfimi kalon nëpër rrathët konceptual të jetës, që nga gjeneza e çdo gjeje e deri më sot, me simbolikat dhe metaforat e veta. Që nga konceptimi dhe perceptimi i Diellit dhe ndarjes natë ditë, tek ekstaza e instinkteve dhe gratë e para shtatzëna, pastaj koncepti dhe lindja e pronës, Ushqimi dhe hedonizmi me pije, zbulimet dhe shpikjet, Ndërtimet e kalave dhe ndërtesave, liria dhe pushteti, shkrimi dhe ndërgjegjja, artet, lahuta dhe muzika, dasmat, e vërteta dhe mëkati e pafundësisht, përsosja e jetës me dimensionet e saj dhe me fenomenologjinë. Ernest Marku luan me simbolikat, me filozofinë e gjërave, me historinë që para njerëzore e deri më sot, dhe i fut në laboratorin dhe agregatin e tij krijues, në evlemendin e estetikës letrare, në percepsionet e larta, dhe na sjell një prozë të thellë dhe të bukur njëkohësisht.

Marash Mirashi luan me teatrin e kotësisë, duke mbajtur tërë gamën e tregimit në një intrigë kaq të mjerë siç është bulëza e ujit, në tehun e tjegullës së thyer. E gjithë energjia, drama, lëvizja, ndodhitë, nuk janë gjë tjetër veçse udha e asaj bulëze. Metafora e realiteteve pa ngjarje, pa ndodhi dhe subjekte, limontia e shoqërive pa shqetësime, magjepsja me ndodhi fare të vogla dhe pa as më të voglin tundim e grishje, ngjarje si të programuara, me një ritëm krejt të avashtë, një apati orientale tipike. Ky subjekt do kujdes për t’u bërë e rafinuar, mbasi çdo gjë aty është detaj, është mizanskenë, është nuancë e hollë. Autori e ka mbajtur në mënyrë shumë moderne tonusin e simbolikës së kësaj skice, e ka ruajtur me kujdes metaforën, dhe kjo përbën magjinë e suksesit të këtij teksti.

5. A ka traditë proza e shkurtër shqiptare?
Patjetër, madje për kushtet dhe rrethanat në të cilat zhvillohej letërsia shqipe, mendoj se ka patur mjaft tituj. Që nga 1862 Engjëll Radoja në Romë boton Prozë fetare, apo 30 e sa vite më vonë Vissar Dodani në një skaj tjetër, në Bukuresht, boton një Antologji të tregimeve të veta. Në 1909, nga Selaniku, Mihal Grameno sjell tre libra: “Oxhaku”, “E puthura” dhe “Var’ i pagzimit”, ndërsa pak vite më vonë Ndoc Nikaj po me këtë intensitet na sajdis me librat e tij “Fejesa në djep” dhe “Shkodra e rrethueme”. Mit’hat Frashëri “Hi dhe shpuzë” 1914, (nga Sofja), Ndoc Nika “Bukurusha” 1918, dhe “Lule n’thes” 1920.

Nga Kajro në 1922 vjen libri i Milo Duçit “Midis dy grash” si dhe 7 vite më vonë në Zadar botohet libri “Hija e maleve” e Ernest Koliqit. Një libër tjetër që pasuroi bibliotekën e prozës qe dhe ai i Nonda Bulkës “Kur qan e qesh bilbili” i vitit 1934. Krijimtaria në prozë të shkurtër intensifikohet, dhe tashmë vit pas viti shtohet vitrazhi i librave me tregime dhe historia e shkrimit të tij. 1935 “Tregtar flamujsh” (Ernest Koliqi), 1936 “Novelat e qytetit të veriut” (Migjeni), 1938 dy libra. “Plagët e kurbetit” e Milto Sotir Gurrës, dhe “Net shqiptare” e Mitrush Kutelit. “Yjet e këputur” e shkroi Vedat Kokona në 1940, dhe fill pas një viti vjen e para prozatore shqiptare Musine Kokalari me librin “Diç më thotë nëna plakë”, që do të bëjë pas dy vitesh dhe librin e saj të dytë “Sa u tunt jeta”. Në këto vite kemi dhe “Ago Jakupi dhe të tjera rrëfime” të Mitrush Kutelit, apo dhe “Kapllan Aga i Shaban Shpatës” i po këtij autori

Po autorët tanë të “hijes së Lisit”? Llesh Murrani e vendos subjektin në një zonë të thellë dhe në vite të largëta, ku së pari na prezanton me dy vajza adoleshente që ëndërronin dashurinë dhe bisedonin në kullotë për gjërat e bukura të jetës. Pastaj jeta merr drejtim për secilën, ndaj dhe tregimi ndjek vetëm linjën e Vitos. Martesa e saj, lindja e djalit, emigrimi i të shoqit në minierat e Francës, jeta monotone në fshat dhe ankthi e malli për të shoqin, thashethemet për jetën e burrit të saj, udhëtimi i papritur i Vitos për në Francë, frëngjishtja që mëson atje dhe që i gjendet si ndihmë për të ndërmjetësuar ca robër për të mos u pushkatuar nga gjermanët.

Tregim i strukturuar saktë, që ka zhvillim linear si vetë kohë, i shkruar me frymëzim dhe me nota realiste, me ngjyra të vetë kohës kur shtjellohen ngjarjet. Tonin Nikolli ka nota autobiografike, dhe subjekti është gjithë ndodhi të vogla në një fshat të largët malor, ku mësuesi na prezanton me atë çka e rrethon në të përditshmen e tij, me atmosferën e fshatit dhe të dhomës, me humorin e shisheve të rakisë, me jetën në ato pallacina të vogla, me pakënaqësitë e përditshme që thuheshin nën zë, dhe me një natë dashuri me Mirkën, mësuesen jabanxhie.

Tregimi është shkruar me shumë gjendje, me mall e nostalgji, me seriozitet dhe ndjenjë, realist dhe i mbushur me detaje të vogla jetësore. Të gjithë lexuesit që kanë qenë mësues të degdisur në zonat malore, patjetër që e gjejnë veten në këtë tregim përfaqësues të Nikollit. Bruna Përvathi ka shkruar një skicë me shumë ndjenjë dhe sentiment, dhimbje dhe brengë, punuar me kujdes, ku çdo shprehje dhe fjalë është menduar dhe peshuar nga autorja dhe është vënë në vendin e vet, për t’i sjellë lexuesit një ndodhi e subjekt impresionant.

Arben Prendi merret me mjegullën simbolike, me mjegullën filozofike në një mënyrë perfekte. Pavarësisht se në tregim duket si mjegulla fizike që s’po len njerëzit të dallojnë asgjë përreth, as po munden me shiku njëri-tjetrin, e madje nuk po dallojnë as vetveten. Janë kokat e mjegulluara brenda, e tashmë kjo psikozë kolektive, kjo epidemi e përhapjes së mjegullimit të krenave ka mbërthyer gjithë qytetin. Epidemia e marrosjes që bën të ngrihet Këshilli i Qetësimit të Banorëve për të studiuar gjumin e gjatë mjegullor, apo mbase kjo mjegull është sugjestion legjendash dhe turbullimi na vjen nga atje, nga mitet dhe gojëdhënat tona.

Ky terren letrar që ka ngritur Prendi është krejt metaforik, i shkruar me shumë thellësi, por dhe i këndshëm për t’u lexuar. Bardhok Pulaj, ka një tregim të ndërtuar në nivel bisede (si fizike) ashtu dhe këmbim percepsionesh, simbole ngjyrash, nivel konceptual, raporte brezash. Tregim i ngrohtë, punuar me dashuri dhe ndjesi të bukura. Mark Simoni, tregimi im sjell skenën e një bjeshke të largët e të ashpër dimërore, një lajmëtar që thërret miqtë për dasmë, anembanë bjeshkës në një udhëtim gati biblik, atmosferën e dasmës, dhe i ftuari i çuditshëm që mbërrin në dasmë. Ka në këtë tregim imazhe, detaje peizazhesh, zakone dasmash dhe rite e rregulla tradicionalë.

6. Antologjia Illz
Por një nga ngjarjet më të bukura deri më sot dhe, që ka lidhje me tregimin shqip deri më tani, madje dhe një nga iniciativat më serioze për të mbledhur në një, tregimet e prozatorëve më të mirë të shqipes është “Antologji e tregimit shqiptar, shekulli XXI”, me 101 tregime dhe autorë. Një përzgjedhje dhe mbledhje e kujdesshme, një kurim estetik për t’u patur lakmi, një përfshirje në këtë libër e të gjitha rrymave dhe tendencave letrare të prozës shqipe, (pa përjashtuar apo lënë jashtë asnjë shkollë tregimi të aplikuar nga autorë tanët), nga “Klubi i poezisë” Tiranë.

Po çfarë shkruajnë në tregimet e tyre autorët e “Hijes së Lisit?” Pashk Vathaj ka përdorur gjithë arsenalin e leksikut dhe ngjyrat e mundshme për të na dhënë një prozë rrëqethëse, tronditëse, reale dhe makabre njëkohësisht, sentimentale dhe të dhimbshme nga ana tjetër. Një grua e mjerë, me të birin në burg, një palë çorape që ia ka dërguar atje te burgu Gjinit të shkretë, dhe që ai nuk i vesh dhe do që t’i mbajë përherë si dëshmi e duarve të nënës. Kalvari i kërkimit të varrit të birit nga nëna, dhe çorapja që dëshmon se varri është i të birit. Skenë e zezë, impresionante, ku autori ka shkruar me një realizëm të paparë, me nerv, me kujdes dhe shumë dhimbje. Viktor Vokrri ka përdorur një stil krejt të veçantë tregimi, një rrëfenjë e ndërtuar nga një dialog, por që lexuesi dëgjon e merr vesh vetëm njërin nga personazhet, autorin vetë.

Një kronikë e gjatë marrëdhëniesh dhe kujtimesh, shkruar me shumë art, (dialogjet kanë vështirësinë e tyre kur citohen) dhe Vokrri na e sjell të gjallë atë bisedë miqsh, me një leksik të mrekullueshëm, me një sinqeritet të treguari që të trondit. Alfons Zeneli na sjell ankthin e një ndarjeje, vendosur në kalvarin e një njeriu që duhet të mbërrijë medoemos trenin, akoma pa i hipur e dashura në të. Nata me shi, ide të turbullta në kokën e udhëtarit, mendja që mbërrinte më parë në stacion por pa trupin, këmbët që mbeteshin dhjetëra metra pas nga pamundësia, treni që fishkëllente si një kob nëpër natë dhe që i afrohej stacionit, (“Stacionet janë dëshmitarë të shumë ndarjeve, sidomos stacionet e vegjël dhe pa stola”), e fjali të tjera brilante e tonifikojnë këtë tregim të mrekullueshëm.

“Mendimet po i binin si ushtarët e një toge të tradhtuar në frontin e largët”, dhe sipari i teatrit të kësaj drame që mbyllet me këto fjalë: “Unë nuk erdha të të ndaloj, por që të shoh se si po ikën”. Shumë dhimbje, gjendje nokturne, brenga dhe emocione të forta, lëvizje surreale pikturuar bukur. Dhe mbajtur në një subjekt që mund të thuhej edhe me një grusht fjalë, por që Fonsi e dimensionon me një art të vërtetë, me skena dhe gjendje të jashtëzakonshme. I uroj të gjithë autorët për letërsinë e tyre!

1


Etiketa:

Pas