Arbëreshët filluan zhvendosjen në Gadishullin Apenin më së shumti në shekujt XV-XVI me qëllim shmangien e shfarosjes prej hordhive pushtuese, kryesisht pas rënies së Krujës në vitin 1478 dhe Koronës në More në vitet 1533-1534. E fundit zbritje e madhe arbëreshe ishte ajo e vitit 1744 në Villa Badessa afër Pescarës. Fisnikët arbërorë arritën marrëveshje të dokumentuara me principatat vendore në Gadishullin Apenin.
Për shembull, një marrëveshje e atillë për qytezën e Frasnitës, ku lindi Antonio Belushi, daton në vitin 1490. Në Italinë jugore janë 136’000 arbëreshë në 55 fshatra që ende flasin gjuhën shqipe, ndërkohë që 182’000 në të tjera fshatra nuk e flasin shqipen.
Shkak kryesor për këtë mbetet mungesa e shkollave në gjuhën shqipe. Arbëreshët gjenden kudo në Itali, duke lënë gjurmë në historinë e saj në çdo fushë, të kulturës, fesë, shtetit e ushtrisë.
Rasti i arbëreshëve në Itali të Jugut, përfshirë edhe Sicilinë, që nga ana fetare janë të krishterë ortodoksë dëshmon se të parët e tyre që erdhën prej jugut të Gadishullit Ilirik 300-600 vite më parë flisnin e luteshin shqip. Priftërinjtë e tyre e kanë lexuar e vazhdojnë ta lexojnë biblën e shkruar në shqip. Nga shekulli XVII e deri në vitin 1867 ata detyroheshin me dhunë që ta kthenin ritin fetar nga lindor ortodoks në atë katolik, rit i cili kryhej në italisht. Ata që u mbajtën fort pavarësisht dhunës nëpërmjet kishës së tyre lindore ortodokse ruajtën vetëdijen dhe gjuhën shqipe. Eparkia e Ungrës (Dioqeza e Lungros) në Kalabri për arbëreshët e ritit bizantin u themelua në vitin 1919, ndërsa 18 vjet më vonë u ngrit Eparkia e Horës së Arbëreshëve (Piana degli Albanesi it.) në Sicili dhe u shpall sinë-peshkopatë Abacia e Shën Mërisë në Grottaferrata afër Romës. Në këto eparki të krishtera ortodokse me peshkopë arbëreshë, pjesë e Papatit katolik të Romës flitet e përdoret gjuha e njësuar shqipe.
Gjuha shqipe tek arbëreshët filloi të shkruhej për herë të parë në vitin 1736 kur u themelua Kolegji i Shën Adrianit në San Benedetto Ullano në Kalabri dhe Seminari Arbëresh i Palermos në Sicili. Kolegji Shën Adriani botoi tekste, programe e plane shkollore për mësimin e gjuhës shqipe. Në vitet 1898-1919 qindra shqiptarë nga Gadishulli Ilirik morën mësimet në këtë kolegj dhe lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë kombëtare shqiptare. I ndrituri Jeronim de Rada ishte nxënës dhe më pas dha mësim në atë kolegj. Ndërsa Luigj Gurakuqi, Zef Serembe, Bernard Bilota, Zef Jubani, Thimi Mitko, Aleksandër Xhuvani e Kostaq Cipo qenë nxënës dhe bashkëpunëtorë të tij. Gazeta “Flamuri i Arbrit” që botonte Jeronim de Rada ishte gazeta e parë periodike shqiptare që bashkoi intelektualët shqiptarë të kohës dhe shpërndahej kudo ku kishte shqiptarë në botë.
Antonio Belushi lindi në Frasnita (Frashër) të Kalabrisë më 15 shtator 1934. Shumë prej arbëreshëve të Frasnitës dhe qytezave përqark Ejanina, Civita etj., janë vendosur aty rreth vitit 1490. Qyteza e Frasnitës ka nxjerrë shkrimtarë e priftërinj me emër. Një nga ata është edhe i diplomuari i Kolegjit të Shën Adrianit në shekullin XIX, i madhi arbëresh Vincenzo Dorsa.
Antonio Belushi u diplomua për Filozofi e Teologji në Universitetin gregorian të Romës në vitin 1962. Në ato vite u miqësua me profesor Ernest Koliqin dhe shkroi në revistën e tij “Shejzat”. Në vitet 1962-1965 ai ishte prift në qytezën arbëreshe të Shën Sofisë së Epirit, ku të parët arbëreshë patën ardhur nga Epiri në vitin 1472. Në vitet 1965-1973 shërbeu si prift në qytezën e Shën Kostandinit, ku arbëreshët ishin me origjinë nga Moreja. Aty botoi revistën “Vatra Jonë” në shqip, italisht e anglisht, në të cilën pasqyrohej historia, zakonet, këngët, veshjet e tyre arbëreshe.
Në vitet 1973-1979, Antonio Belushi qe famullitar në qytezën Falconara Albanese. Në këtë qytezë krijoi me të rinjtë një ekip i cili jepte koncerte në fshatrat arbëreshe përreth. Në vitet 1979-2000 shërbeu si famullitar për 5000 banorët arbëreshë të qytetit të Kozencës. Atje themeloi në vitin 1980 revistën gjashtëmujore “Lidhja” e cila vazhdoi deri në vitin 2009. Revista “Lidhja” madhërohej me kohën nëpërmjet shkrimeve të intelektualëve arbëreshë për gjuhën shqipe, kulturën, trashëgiminë dhe historinë e tyre.
Qëkur nisi të ushtronte detyrën e priftit, Antonio Belushi filloi të studionte e regjistronte jetën e trashëgiminë arbëreshe, këngët, vallet, veshjet, shprehjet, fjalët e urta, gojëdhënat, përrallat, martesat, ritet fetare etj. Ai thesar i grumbulluar filloi të botohej i plotë dhe rregullisht në revistën e tij “Lidhja”, e cila u shkonte arbëreshëve kudo ndodheshin në botë. Gjurma e tij është ‘lartësuar’ nga 60 vjet punë kombëtare e bërë drejtpërsëdrejti në terren. Biblioteka e tij tani është një thesar i mbajtur pastër e i radhitur dhe është e hapur për këdo që ka interes të njohë traditat dhe kulturën arbëreshe. Kjo bibliotekë përmban mbi 10’000 botime lidhur me artin, gjuhën e historinë arbërore-shqiptare; e kanë vizituar arsimtarë shqiptarë nga Tirana e Prishtina që nga viti 1977 dhe tani dhjetëra studentë shqiptarë në vit nga Universiteti i Tetovës.
Arbëreshët kanë biblioteka e muzeume, grupe muzikore e valltarë, organizojnë festivale, kanë revista, vjershëtarë, shkollarë dhe faqe interneti në shqip. Në shtëpinë e arbëreshit mendohet, flitet, shkruhet e këndohet vetëm shqip. Arbëreshi këndon këngë popullore me çdo mik që i nderon në shtëpi. Malli për dheun e Atit dhe të Amës nuk shteron. Ai e ka Besën të skalitur në mendje e sjellje. Antonio Belushi krenohet se gjatë jetës së tij ka ndjekur këshillën e babait Xhovani Belushi që të ishte një arbëresh i mirë. Ai kujton të ëmën Teresa Policastro Belushi që, sipas fjalës së saj, kur vdiq u varros me kostumin arbëresh të martesës.
Në gjurmën që Antonio Belushi ka skalitur janë edhe 40 vite punë kombëtare, që nga viti 1965, me arvanitët e Greqisë. Ai shkonte në katundet arvanitase në tan Greqinë dhe merrte pamje, regjistronte të folmet, vjershat, këngët, fjalët e urta, mallkimet, përrallat, zakonet, gojëdhënat, bisedat, në gëzime e zi. Pastaj ato ai i botonte në revistën “Lidhja” dhe ua dërgonte me mijëra kopje. Arvanitasit i shkruanin letra atij në shqip. Ai i pyeste ata imtësisht, si bie fjala: si përshëndeteshin, si uronin, këndonin e për çfarë; si i quanin fshatrat, malet e kodrat përqark?
Përgjigjet që mori nga 900 fshatrat e shpërndara në tan Greqinë ishin të njëjta, që vërtetonte se kultura arbërore është e njëjtë kudo në Greqi. Dhe se ajo, bashkë me emrat e fshatrave, ishte njëlloj me kulturën shqiptare në trojet e tjera arbërore të Gadishullit Ilirik dhe arbëreshëve në Italinë jugore e Sicili. Besa, miku, mikpritja, mirësia “bukë, kripë e zemër” janë të njëjta kudo ku ka arbër. Këtë nuk e mbulon as ndryshimi i 2/3 të emrave të fshatrave arbërorë në Greqi në emra joarbërorë dhe as dhuna policore e psikologjike e shtetit dhe kishës greke kundër vetëdijes e kujtesës kombëtare arvanitase.
Antonio Belushi dhe Aristidh Kola e shkollarë të tjerë arvanitas u bënë si vëllezër me bashkëpunimin midis tyre. Arvanitasit dhe arbëreshët e jugut të Italisë kanë të njëjtën mënyrë të folme të shqipes. Një nga botimet e Antonio Belushit është edhe libri “Arbërorët-arvanitë, një popull i padukshëm”. Arvanitasit nuk mund të jenë pakicë në Greqi sepse ata janë vendës dhe pasardhës të arbërve të lashtë, edhe të Athinës apo Spartës së hershme. Shpjegimi i hyjnive në përrallat “greke” bëhet vetëm nëpërmjet gjuhës shqipe ndërkohë që faltoret më të vjetra të Zë-usit gjendeshin në rajonin E Pirit. Një shembull domethënës është qyteza emërmadhe e Maratonës në lindje të Athinës. Afër saj është një varrezë përmendore me emrat e 192 arbërve të lashtë të rënë në betejën kundër persëve në vitin 490 p.e.s. Një prej tyre ka mbiemrin Belushi.
Antonio Belushi krijoi bashkëpunim me arbëreshët kudo ku ndodhen në botë, qoftë në Argjentinë, Ukrainë, Bullgari, Kroaci, SHBA, Brazil, Uruguai, Australi, Rumani, Zvicër, Gjermani apo Turqi. Ai ishte i pranishëm në shtëpitë e tubimet shqiptare në Uindsor e Toronto të Kanadasë, në Detroit, Çikago, Boston, Filadelfia e Nju Jork të SHBA. Belushi ishte pjesë e lëvizjes së madhe kombëtare për largimin e pushtuesve serbë nga Dardania (Kosova, serb.) në fund të shekullit XX. Bashkëpunoi me Jozeph DioGuardin, president i Lidhjes Qytetare shqiptare-amerikane të cilën e drejtonte me bashkëshorten Shirley Cloyes DioGuardi; si dhe me veprimtarë të ndryshëm kombëtarë në SHBA, Europë, Australi, si dhe me udhëheqësit nga Prishtina.
Në Dardani ai shkoi për herë të parë në vitin 1970 kur mori pjesë në seminarin për gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare organizuar në Prishtinë. Në vitin 2003, ai bashkë me Robert Elsin vizituan varrezat e dëshmorëve në Prekaz të Drenicës. Vizita e tij më e fundit në Dardani ishte në shtator 2018. Në Shtator 1972 erdhi për herë të parë në Tiranë, i ftuar nga Akademia e Shkencave për të marrë pjesë në Kuvendin Kulturor Ilir. Vizitën e dytë e kreu në Nëntor 1992 dhe në vitet 1993-2018 ka ardhur pothuaj çdo vit në Shqipëri. Tanimë edhe si qytetar shqiptar, ai mori pjesë në votimet e vitit 2015.
Ndriçimi e përparimi i shqiptarëve të kudondodhur erdhi e vjen nga rrënjët arbëreshe, si para 200 vjetësh ashtu edhe tani. Arbëreshët kanë nevojë për shkolla në gjuhën shqipe, ku mësimi në shqip të jetë i detyrueshëm me ligj për të gjitha vitet e lëndët mësimore. Është përgjegjësia e qeverisë shqiptare që në marrëveshje me Italinë, e cila e njeh me Kushtetutë bashkësinë kombëtare arbëreshe, të organizohen për hapjen e shkollave shqipe me mësues shqiptarë. Paralelisht është përgjegjësia e qeverisë shqiptare që të kërkojë ndihmë për këtë edhe nga Vatikani, sepse kishat ortodokse arbëreshe ku flitet e meshohet në shqip janë pjesë e tij.
Përkujdesje për rrënjët arbëreshe domethënë pyll me lisa arbërorë të shëndetshëm kudo, sepse shpirti i Arbrit rron përjetë. Zëri i arbrit dëgjohet pa ndalim, sepse kumbimi i tij nuk shuhet. Një rrënjë domethënë një gjak, i cili domethënë një komb, një gjuhë, një besë.
Profesor Ernest Koliqi nderon Antonio Belushin ditën që u urdhërua si prift, Romë, Nëntor 1961
Grupi folklorik nga Zymi i Dardanisë te bibloteka e Antonio Belushit
Selia e Shoqatës Kulturore Arbërore Marko Boçari. Aristidh Kola, Antonio Belushi dhe arvanitas të tjerë, Athinë 1984
Joseph Dioguardi, Antonio Belushi, Ibrahim Rugova, Nju Jork 1990
Kuvendi i parë për Kosovën – Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Antonio Belushi, Nju Jork 1990
Në Frasnitë (Frashër) të Kozencës
Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova dekoron Antonio Belushin me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit, Prishtinë, 2003
Antonio Belushi dhe Robert Elsie te shtëpia e Adem Jasharit në Prekaz të Drenicës, Gusht 2003
Universitarë shqiptarë që jetojnë në Zvicër që kryejnë praktikën në bibliotekën e Antonio Belushit, 2017
*Autori është profesor, studiues