Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka njoftuar në një konferencë të shkurtër për mediat se qeveria do të tërhiqet nga partneriteti publik privat për ndërtimin e aksit rrugor Thumanë-Kashar.
Ajo është shprehur me tej se fondi i përcaktuar për këtë aks do të vendoset në funksion të “Paktit për Universitetin”.
E pyetur për arsyet e kësaj vendimmarrjeje, Balluku deklaroi se momentalisht rëndësi më të madhe për qeverinë ka pikërisht gjendja e universiteteve në vend dhe arsimi i lartë.
DEKLARATË PËR SHTYP
Kam vendosur ndërprerjen e procedurës së partneritetit Publik Privat për Aksin Thumanë – Kashar.
Hapësirën e konsiderueshme fiskale të këtij projekti, qeveria do ta dedikojë në funksion të zbatimit të angazhimeve të Paktit për Universitetin, në fushën e infrastrukturës arsimore qoftë asaj fizike e qoftë asaj dixhitale.
Natyrisht ne nuk do të heqim dorë nga ndërtimi i këtij aksi të rëndësishëm kombëtar, aq më tepër që projekti është gati. Ky aks ka një rëndësi shumëfishe dhe ne jemi duke studiuar përfshirjen e tij: në projektin e zgjerimit të rrugës Tiranë – Durrës ku bën pjesë edhe rindërtimi i rrugës Tiranë – Ndroq – Plepa në Fazën e pare si dhe ndërtimi i rrugës Kashar – Rrogozhinë në Fazën e dytë.
Ideja është që pikërisht këtij aksi, pra Kashar – Rrogozhinë ti shtohet dhe aksi Thumanë – Kashar, i cili garanton qoftë hyrjen e shpejtë në Tiranë nga veriu qoftë një lidhje shumë me të shpejtë midis veriut dhe jugut gjatë sezonit turistik.
Pra si përfundim Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tërhiqet nga partneriteti Publik Privat për Aksin Thumanë – Kashar dhe fondet e parashikuara i kalojnë Paktit për Universitetin.