Vazhdon bojkoti dhe debati në distancë mes Ligës Profesioniste dhe qeverisë në lidhje me bojkotin për shkak të mosplotësimit të katër kërkesave, që kanë lidhje me lehtësimin financiar të klubeve, me qëllim mosfalimentimin e tyre dhe nxitjen e investimeve në futboll.
Qeveria kërkon prej ditësh uljen në tavolinë dhe shqyrtimin e tyre me deputetin Fidel Ylli dhe ministren e financave, Anila Denaj. Liga kërkon një takim me kryeministrin Edi Rama, teksa ditën e djeshme Ylli dha sinjalet se kryeministri mund t’i presë në një moment kur do jetë i lirë.
Deri në arritjen e këtij synimi, Liga do vazhdojë të lobojë dhe sot ka vendosur ta bëjë këtë nëpërmjet një thirrje të bërë nga sulmuesi i kombëtares, Bekim Balaj.
“Futbollin e kemi krenari kombëtare dhe tani më shumë se kurrë duhet t’i gjendemi pranë. I bëj thirrje qeverisë që t’i hedhë sytë më shumë nga futbolli”, janë fjalët e shkodranit në video.
Mund të themi se video mund të jetë regjistruar gjatë grumbullimit të kombëtares për dy ndeshjet në Ligën e Kombeve sepse Balaj shfaqet me uniformën kuqezi në “Air Albania”, teksa ai tani ndodhet në Austri, ku i është bashkuar Strum Graz për nisjen e sezonit të ri.