Një djalë 13-vjeçar po lufton me vdekjen në Spitalin Ushtarak, për shkak të mungesës së gjakut. Edison Camaj, 13-vjeç, është aksidentuar mesditën e 1 janarit në shtëpinë e tij, si shkak i shembjes së strukturës së një depozite uji. Familjarët e tij apelojnë për të siguruar gjak të grupit 0 negativ, ndërkohë që mjekët deklarojnë se ndërhyrja duhet realizuar sa më parë. “Gjendja e nipit tim është shumë e vështirë. Edisonit i ka rënë një cisternë me ujë dhe i ka dëmtuar pjesët e brendshme të trupit dhe i ka thyer legenin. Është bërë operacion në zorrë dhe ka shkurtim prej 60cm, si dhe rrjedhje gjaku në pjesën e legenit dhe aty nuk mund të ndërhyjnë mjekët, prandaj duhet gjak. Edisoni është 13-vjeç dhe mjekët na kanë thënë se, nëse nuk gjendet sasia e kërkuar e gjakut, atëherë ai rrezikon të vdesë po nuk iu dha gjak. Ne nuk kemi gjetur gjak, jemi mbledhur njerëzit tonë dhe të afërm dhe asnjëri prej nesh nuk e ka grupin e gjakut zero negativ. Edisoni ka marrë 3 litra gjak dhe i duhet edhe 4 litra gjak. Mjekët kanë thënë se, nëse gjenden dy qese gjak, brenda dy orësh ai mund të operohet. Shpresoj te Zoti dhe njerëzit që mund të na dëgjojnë që ai që ka këtë grup gjaku të paraqitet pranë Spitalit Ushtarak për të dhuruar gjakun dhe për të shpëtuar këtë fëmijë që është djalë i vetëm”, – bën apel xhaxhai i vogëlushit 13-vjeçar.