Fitorja e një shqiptaro-suedezeje në listat e Parlamentit Europian për Partinë Moderatore suedeze nxiti një lumturi kolektive në Shqipëri dhe u përshëndet nga opozita e djathtë në vend. Deklarata e saj një ditë para votimeve: Do të loboj për anëtarësimin e Shqipërisë në BE!
Arba Kokalari deri dje nuk njihej në Shqipëri dhe pse mban një emër tipik shqiptar dhe mbiemrin e një shqiptareje të madhe, Musine Kokalarit, një simbol i rezistencës antikomuniste.
Ajo u bë e njohur dje pasi fitoi një vend si eurodeputete në Parlamentin Europian në emër të Partisë Moderatore të Suedisë, një parti e krahut të djathtë.
Të gjithë e lidhnin fitoren e saj edhe me emrin e Musinesë duke atashuar të dyja fotot, ku për habi ngjashmëria ishte vërtet e madhe, dhe pse Arba nuk është mbesa direkt e saj.
Arba, 32 vjeç, jeton që prej moshës 5 vjeç në Suedi, ku babai i saj Bardhyl Kokalari u emërua ambasador për Suedinë dhe vendet baltike dhe pas mbarimit të mandati vendosi të qëndrojë përgjithmonë atje.
Kësisoj ajo u rrit dhe u shkollua në Stokholm, ku kreu studimet për shkenca politike e më tej për politika europiane. E lindur në një diktaturë komuniste ëndrra e saj fëminore ishte liria dhe të luftonte për lirinë e të drejtat e njeriut. Politika, sipas saj, ishte instrumenti për ta bërë këtë luftë.
“Kur njeriu është lindur në diktaturë dhe merr shansin që të banojë në një shtet tjetër që është i lirë dhe është pjesë e BE-së ka më shumë dëshirë të luftojë për lirinë. E ndjeva që kur isha e vogël se kam përgjegjësi që të luftoj për njerëzit që nuk janë të lirë. Ka qenë gjithmonë ëndrra dhe synimi im që të luftoj për ata njerëz që duan të jenë të lirë, në Europë, po edhe në Ballkan që të vijnë më afër Bashkimit Europian, që të kenë mundësinë dhe kushtet që BE jep”, shprehet ajo në një intervistë dhënë në një media shqiptare në Suedi vetëm një ditë para zgjedhjeve që u mbajtën njëkohësisht në të gjithë vendet e BE-së më 26 Maj.
Arba flet shumë rrjedhshëm shqip dhe pse preferon ta përcaktojnë nacionalitetin e saj si “europiane”.
Ajo pranon se do të jetë një zë mbështetës për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE, ku janë aspirante dhe dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova.
“Unë do të luftoj për demokracinë, për vlerat europiane dhe do të luftoj për zgjerimin e Bashkimit Europian edhe me Ballkanin”, shprehet ajo. Por Kokalari e di që ky zgjerim nuk do të vijë si dhuratë për vendet e Ballkanit, pasi ato duhet të kuptojnë se BE ka rregulla dhe duhen zbatuar këta rregulla për t’u bërë pjesë e kësaj familjeje.
“Plani im për BE është që ta bëj më shumë demokratike, ku vlerat e demokracisë dhe të drejtat e njeriut të respektohen sepse unë konstatoj se në BE ka vende që nuk i respektojnë vlerat e njeriut. Unë nuk dua që të japim fonde për shtete brenda BE-së që nuk respektojnë të drejtat e njeriut se ky është një sinjal i rëndësishëm për Shqipërinë e Kosovën që duan të bëhen anëtare të BE-së. Sepse kur ato shohin që shtetet brenda Bashkimit Europian nuk i respektojnë rregullat që ka BE, ato thonë pse do t’i zbatojmë ne kur ata vetë nuk i zbatojnë”, shprehet Kokalari.
Teza e saj për zgjerimin e BE-së dhe integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor ka qenë një projekt ku ka besuar prej kohësh dhe me këtë tezë ajo ka fituar votat suedeze duke sjellë një qasje të re ndaj skepticizmit të lartë që mbizotëron aktualisht në Bruksel për zgjerimin e mundshëm.
Ajo është shprehur se do të luftojë të bindë skeptikët se zgjerimi është i rëndësishëm për vetë BE-në dhe për stabilitetin e Ballkanit.
Ajo është një njeri i rritur me politikë. Sigurisht duke pasur babanë diplomat dhe duke ardhur nga një vend ku politika e izolimit u kishte mohuar lirinë rreth milionë shqiptarëve kjo ka qenë një shtysë për vajzën 16-vjeçare që të afrohej për herë të parë pranë forumeve të partisë Moderatore në Stokholm.
“Kam qenë e angazhuar politikisht më shumë se 15 vjet dhe kam luftuar shumë për këto arritje që kam sot. Ky ka qenë synimi im që e vogël”, shprehet ajo duke e parë tashmë ëndrrën e saj që t’i bëhet realitet.
Po sa e vështirë ka qenë për të të triumfojë në një vend tjetër?
“Jeta dhe politika janë të vështira, është një luftë. Njeriu duhet të luftojë për ëndrrat dhe gjërat që dëshiron të realizojë. Është e vështirë kur je e re, kur je grua e sidomos kur je nga një shtet tjetër, por unë kam luftuar më shumë e më fort që të arrij atje ku jam sot”, shprehet Kokalari, e cila shkon drejt Brukselit si një suedeze, por në rekordet shqiptare do të jetë gjithmonë shqiptarja e parë që hyri në Parlamentin Europian.
Shumë emra të tjerë shqiptarë të diasporës ishin kandidatë në listat e kandidatëve për këto zgjedhje në vende të tjera si Greqia apo Italia duke treguar integrimin që komunitetet shqiptare në këto 28 vite kanë arritur në vendet europiane.
E ndërsa fitorja e Arbës na lë një shije të mirë të gjithëve, pyetja pason këtë gëzim për shqiptarët që jetojnë në Shqipëri është mosbesimi që kemi te klasa politike; A do të shkëlqente vallë Arba po të jetonte këtu?! Ose siç do shprehej shkrimtarja Flutura Açka “entuziazmi i tepruar nuk na shkon aq shumë, veçmas po të shqyrtosh hollë sikur kjo vajzë fantastike të ishte mes nesh. T’i themi gjërat siç janë, miqtë e mi, ne do ta kishim “shqyer” Arbën, do ta kishim cunguar, do ta kishim asfiksuar”.