Aktualitet

Abuzimi i qeverisë / Tjetër penalitet 90 milionë euro në Arbitrazh














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:00 - 28/01/21 |
mapo.al

Një tjetër gjobë e majme që do të paguhet nga qytetarët shqiptarë, pritet të vijë në ditët në vijim, pas një padie që një bashkim kompanish i kanë bërë qeverisë për prishje kontrate. Bëhet fjalë për firmat që po ndërtonin Impiantin e Ujërave të Zeza të Tiranës, përmes bashkëpunimit me fondin japonez. Kontrata është prishur për t’u hapur rrugën klientëve të rilindjes, ndërkohë që dëmi do t’u shkojë taksapaguesve. Pas Beketit me 100 milionë euro, Aktor me 40 milionë euro, qeveria po u lë pajë shqiptarëve edhe 90 milionë euro të tjera për shkak të abuzimit dhe arbitraritetit





Pas 150 milionë eurove në vitin e fundit që duhet t’i paguhen biznesmenit italian, Francesko Beketi dhe kompanisë Aktor, Shqipëria rrezikon një tjetër penalitet të fortë, për shkak të arbitraritetit të qeverisë dhe lehtësisë së prishjes së kontratave me synim krijimin e hapësirave për klientët e rilindjes dhe të ministrave.


Në arbitrazh, një tjetër faturë e majme po bëhet gati. Konsorciumi ‘Dondi Itali & Kubota, Japoni’ që u kontraktua për ndërtimin e impiantit të pastrimit të ujërave të zeza të Tiranës në Kombinat, dhe rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza në zonën e Kombinatit dhe Shkozës ka paditur qeverinë shqiptare, ku kërkon 90 milionë euro për ndërprerjen në mënyrë të njëanshme të kontratës.
Qeveria vendosi të ndërpresë kontratën pasi ishin kryer 70% e punimeve dhe ishin investuar 56 milionë euro që gjithashtu shkojnë dëm, pasi projekti nuk u përfundua.




Kompania e ka nisur procedurën në vitin 2018, dhe kërkon në arbitrazh jo vetëm kostot për punën dhe investimin e bërë, por edhe dëmin që i është shkaktuar në prishjen e imazhit.
Sipas ekspertëve që e njohin këtë rast, çështja është e humbur nga qeveria jonë, dhe miliona euro sërish do të paguhen nga taksapaguesit shqiptarë për shkak të papërgjegjshmërisë së shefave të rilindjes.


Ministria e Infrastrukturës ia ndërpreu kontratën kompanisë, gjasme me motivin, për shkak të vonesave në punime. Paradoksi është se sot e kësaj dite, nuk ka asnjë avancim në këto investime.
Bashkimi i kompanive ‘Dondi, Itali & Kubota, Japoni’ i është drejtuar Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë, Londër, ku i kërkon shtetit shqiptar dëmshpërblimin prej 90 milionë eurosh.


Në vitin 2018 edhe nga një audit i KLSH-së u gjetën shkelje në shkëputjen e kësaj kontrate e cila ishte e financuar nga Banka Japoneze për Zhvillim, pas një marrëveshjeje mes Qeverisë shqiptare dhe qeverisë japoneze në vitin 2014, e cila u ratifikua me ligj të posaçëm nga Kuvendi.

Duhet thënë se ky projekt dhe ky bashkëpunim kishte nisur me qeverinë e Berishës.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës për zgjidhjen e kontratës nuk ka marrë miratim paraprak nga financuesi Banka Japoneze për Zhvillim, ‘JICA’ dhe nuk ka marrë parasysh sugjerimet dhe vërejtjet që i ka bërë Këshilli i Mosmarrëveshjeve, që kanë të bëjnë, kryesisht për: mungesën e hapësirave për të kryer punimet; mungesën apo vonesa të tejzgjatuara të pagesave në vlera bllokuese ndaj kontraktorit si, vonesa në likuidim të TVSH dhe pagesat e situacioneve; mungesa apo vonesa të theksuara bashkëpunimi në lidhje me marrjet e lejeve, miratimet e punimeve etj.; probleme të hasura gjatë zbatimit me projektin dhe mungesa e gatishmërisë për korrigjimin apo përmirësimin e tij etj. Duke marrë në konsideratë paligjshmërinë e zgjidhjes në mënyrë të njëanshme të kontratës ka shumë gjasa që kontraktori këtë çështje ta fitojë dhe buxheti i shtetit do të paguajë një shumë të konsiderueshme që llogaritet mbi 90 milionë Euro.

Më tej KLSH i ka sugjeruar qeverisë që për të shmangur dëmin ekonomik që mund të vijë si pasojë e humbjes së procesit gjyqësor në Arbitrazh të nisin negociatat me kompaninë për t’i kërkuar tërheqjen e tij nga çështje që ka hapur në këtë gjykatë, dhe njëkohësisht në këmbim, t’i kërkojë të rilidhë kontratën për vazhdimin e zbatimit të punimeve.

Por qeveria Rama ka injoruar të gjitha sugjerimet dhe ka vijuar me rrugën e saj për shkëputjen e kësaj kontrate, duke e shtuar edhe më shumë dëmin që mund t’i shkaktohet buxhetit të shtetit. Dhe në rast të humbjes në Arbitrazh, veç faturës prej 90 milionë eurosh, buxhetit i shtohet edhe dëmi prej 56 milionë euro që janë investuar tashmë, por nuk janë përfunduar, e për pasojë dalin jashtë funksionit dhe për shkak të amortizimit.

1


Etiketa:

Share
Mbyll
CLOSE
CLOSE
Pas