-Realitete shqiptare në Qarkun e Elbasanit gjatë pushtimit gjerman
Nga Veli Haklaj
VIJON NGA NUMRI I KALUAR
III. Veprime të fuqive të Mehmet Shehut në Qarkun e Elbasanit
Gjatë Operacionit të Dimrit, me sulmet e fuqishme kundër Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare dhe me terrorin ndaj popullsisë civile, pushtuesit nazistë menduan se kishin arritur të asgjësonin UNÇSh, duke e bërë të paaftë për luftime. Por pak javë pas ofensivës gjermane, UNÇSh ishte rimëkëmbur dhe riorganizuar me shpejtësi. Ndërsa brigadat partizane po rivendosnin në tërë Shqipërinë e Jugut pushtetin e këshillave nacionalçlirimtare, Brigada I Sulmuese, nën komandën e Mehmet Shehu, ndërmori në ditët e fundit të shkurtit marshimin në malësitë e Shqipërisë së Mesme për të çliruar Shtabin e Përgjithshëm nga bllokimi. Nga mesi i marsit forcat e Brigadës I u dukën në afërsi të kryeqytetit, duke shkaktuar shqetësim të madh në radhët e pushtuesit dhe strukturave qeveritare.
Këto zhvillime do të pasqyrohen në vijim të këtij punimi, ku do të përqendrohemi kryesisht në raportet e strukturave të xhandarmërisë dhe pushtetit lokal për veprimtarinë e fuqive të drejtuara nga Mehmet Shehu dhe kundërpërgjigjet e strukturave të fuqive qeveritare.
- Ardhja e fuqive të Mehmet Shehut në rajonin e Elbasanit
Më 23 mars 1944, rrethkomandanti i Xhandarmërisë së Peqinit, kapiten Shefqet Bishqemi, informoi Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë se më 16 mars 1944, sipas një informate që kishte kjo komandë prej një personit të besueshëm, një çetë komuniste kishte ardhur në rajonin e postës së suprimuar të Garunjës së Madhe. Pas vërtetimit të informatës, menjëherë u vu në dijeni Komanda e Ballit Kombëtar të Peqinit si dhe Komanda e Qarkut të Elbasanit.
Komanda e Ballit, me fuqinë e saj u nis dhe mbërriti deri në katundin Kazije, një orë larg qytetit. Atje, mbasi pa se fuqia komuniste ishte më superiore se sa ajo balliste, u kthye duke u përqendruar në qendër dhe bëri marrëveshje me Komandën Gjermane, si edhe me fuqinë civile të Kavajës.
Më 18 mars, Rrethkomanda e Peqinit mori një informacion të sigurt se çeta e ardhur në katundet Cikallesh, Mlik, Gjuzsulkonaj e Rostej ishte e kryesuar prej Mehmet Shehut dhe e përbërë prej një numri jo më shumë se 200–300 vetë; së bashku me fuqinë e çetës së Myslim Pezës mund të arrinte deri në 500 vetë. Gjatë një intervali prej datës 16 deri më 20, që i dha rast Komanda e Ballit përderisa bëri marrëveshje me fuqinë gjermane, e cila erdhi për ndjekje, fuqia komuniste pati kohë dhe u largua duke kaluar për në drejtim të Dumresë, të rajonit të Elbasanit. Lumin Shkumbin e kaluan në këmbë ndërmjet katundeve Lazarej e Çenjelaj, të Rrethit të Peqinit. Më 20 mars u vërtetue diktimi i tyre në katundin Rrasë dhe u vu në dijeni Komanda e Qarkut Elbasan më 21 mars 1944.
Sipas informacioneve të Rrethkomandës së Peqinit, ardhja e çetës së Mehmet Shehut në këtë rajon, kishte qëllim pushimi, mbasi ishin kthyer pas konfliktit të zhvilluar në rajonin e Komunës së Martaneshit, në tentativë të kalonte në rajonin e Dibrës. Edhe këtu nga ndjekjet e bëra nuk gjetën vendqëndrim, por kaluan në drejtimin e sipërshënuar.
Nuk rezultonte e vërtetë se fuqitë komuniste kishin pasë për qëllim të sulmonin Peqinin ose Kavajën, sepse ata e dinin mirë që këtu kishte trupa gjermane, nga të cilat veç dëmtimit nuk do të fitonin gjë.
Më 22 mars 1944, Komandanti i Qarkut të Xhandarmërisë së Elbasanit, major Nazmi Lumani, njoftoi Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë dhe Prefekturën e Elbasanit se, sipas informatave të dhëna nga persona konfidentë, çeta e Mehmet Shehut, pasi kaluan prej katundeve të rrethit të Peqinit (lajmëruar më 18 mars 1944), hynë në katundin Rrasë të Komunës së Belshit dhe prej andej thuhej se shkuan me okupue katundin Renës të Komunës Belsh dhe kanë probabilitet me depërtue në Sulovë.
Megjithëse fuqitë e Ballit Kombëtar, nën komandën e Xhafer Balit, kishin shkuar në ndjekje të tyre, major Nazmi Lumani kërkonte nga autoritetet qendrore që të intervenonin në mënyrë urgjente për dërgim forcash të konsiderueshme.
Pas lajmërimeve nga Rrethi i Gramshit, Qarkkomanda e Elbasanit, me informacion rezervat personal të datës 24 mars 1944, njoftoi Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë se fuqitë komuniste që përbëheshin prej 300 vetësh, nën komandën e Mehmet Shehut, më datën 20 mars, mbasi okupuan Postëkomandën e Mollasit, një pjesë e fuqisë së tyre u drejtua për në rajonin e Postës së Tujës. Për këtë arsye Rrethi i Gramshit tërhoqi në qendër personelin e Postës së Mollasit dhe të Tujës.
Rrethi i Gramshit, meqenëse kishte informata se çetat komuniste kishin si qëllim të sulmonin dhe Rrethkomandën e Gramshit, luteshin dërgimin e një fuqie.
Për këto zhvillime, më 26 mars 1944, Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, kolonel Hysni Dema, vuri në dijeni zyrtarisht Ministrinë e Punëve të Brendshme.
- Informacioni i nënprefektit Riza Feri për fuqitë e Mehmet Shehut
Më 27 mars 1944, nënprefekti i Peqinit, Riza Feri, informoi Prefekturën e Elbasanit se më 18 mars, në qendrën e Peqinit u pa një grumbullim ballistash dhe lëvizje e tyre deri në katundin Kazie dhe në Sinaballej, në një distancë afër 3-4 km prej Peqinit.
Nënprefekti Feri, së bashku me komandantin e Rrethit të Xhandarmërisë, kapiten Shefqet Bishqemi, u interesuan pranë Komandës së Ballit për këtë lëvizje dhe morën përgjigjen se “kishte ardhun Mehmet Shehu me forca të mëdhaja dhe se do të sulmonte Peqinin ose Kavajën”.
Nënprefekti Feri jepte garanci për Peqinin, “mbasi dihesh fare mirë se në një vend që ka një sasi sado të pakët gjermanësh [çetat komuniste] nuk kanë guxim ta sulmojnë”. Edhe për Kavajën, ku kishte afro një batalion ushtarë, nuk mendohej një sulm i tillë.
Nënprefekti i Peqinit i kishte raportuar verbalisht titullarit të Prefekturës së Elbasanit më 21 mars, se ishte e vërtetë kalimi i çetave komuniste në lumin Shkumbin më 19 mars në vaun e katundit Çengjelaj.
Nga hetimet që kishte bërë nënprefekti Feri mbi lëvizjen e çetave komuniste, qysh me kalimin në rrethin e Peqinit, rezulton se më 16 mars 1944 çeta e Mehmet Shehut kishte ardhur nga Zhullima e Tiranës në Pezë dhe duke u trembur nga një forcë e ardhur nga Tirana ishin tërhequr ndër katundet Pojan, Çikallesh, Milkë e Gjusulkonaj, ku ishin shpërndarë nëpër shtëpija për t’u ushqyer prej katundarëve. Më datën 19 mars, ditën e dielë, janë mbledhur në Garunjën e Madhe në sheshin e komunës dhe prej andej kanë ndejtur atë ditë mbi katundin Gjevuer, Hoxhej dhe kanë kaluar në katundin Lazarej (katundi ku ndodhej çeta e Merselinit e komanduar nga Sadik Kaçi) dhe kështu kanë aritur në katundin Çengjelaj, ku kanë marrë Dyl Çepën, i cili i ka pritur dhe i ka kaluar në va deri në katundin Rrasë të rrethit të Elbasanit. Sipas informacioneve, në katundin Rrasë nuk i kishin qasur dhe kishin hapur zjarr kundër tyre. Çeta e Mehmet Shehut përbëhej prej afro 200 vetësh, në të cilën merrnin pjesë edhe disa çupa.
Nënprefekti Feri thekson se “për fat të keq, gjithë kjo lëvizje e çetës nuk hasi asnjë fuqi e biles do ta kishte shpartallue fare, pasi ishin fare të lodhun dhe pa ushqim, përveç ç’kanë mujtun me marrë katundeve”.
Nga lëvizjet e bëra prej çetës komuniste, kuptohet se kishin shpresuar që të qëndronin në Malësi të Pezës, mbasi këtu fillonte ngrohja e kohës edhe se buka u kishte munguar fare dhe kishin patur me vete edhe disa njerëz të sëmurë, por mbasi u diktuan lëvizjet e tyre u larguan me shpejtësi për të shpëtuar nga një rrethim gjerman. Në lumin Shkumbin nënprefekti Feri kishte pa të bashkuar me çetën e Mehmet Shehut edhe Mustafa Gjinishin dhe Mehdi Bedallin, nga Peqini.
Sa për Myslim Pezën, sipas informatave që kishte nënprefektura e Peqinit, ky veç sëmundjes permanente që vuante, në këto kohë ishte i sëmurë prej këmbëve dhe rrinte i fshehur ndër miqtë e tij i shoqëruar prej 5-6 besnikëve të tij katundar.
Më 29 mars 1944, ky informacion iu përcoll Ministrisë së Punëve të Brendshme nga prefekti i Elbasanit Lutfi Shehu.
- Informacioni i Rrethkomandës së Peshkopisë për fuqitë e Mehmet Shehut
Bazuar në hetimet e zhvilluara, Komanda e Rrethit të Peshkopisë informoi më 16 mars 1944 Komandën e Qarkut të Dibrës se çeta komuniste e kryesuar prej Mehmet Shehut, e përbërë prej 600 vetësh, duke qenë e shtrënguar prej ndjekjeve që i bëheshin në rajonin e Beratit, kalon nga Mokra e Pogradecit dhe hyn në rajonin e Librazhdit, duke përshkuar prej rajonit të Qukësit e duke hyrë në malin e katundit Drogoshtunjë, e prej andej në Qarishtë, po të Librazhdit. Në katundin Qarishtë, në një përpjekje me fuqinë gjermane dhe fuqinë balliste të kryesuar prej Haziz Biçakut, nga katundi Letem, u vranë 7 – 8 vetë dhe 8 vetë u zunë rob. Si kaluan Qarishtën, forcat e Mehmet Shehut hynë në katundin Zabzun, në lagjen Llangë të rajonit të Postkomandës së Ostrenit, të Rrethit të Librazhdit. Me t’u informuar mbi këtë çetë, Posta e Ostrenit, me shpejtësi të jashtëzakonshme, duke marrë një fuqi vullnetarësh me veti, shkuan e zunë pritë në katundin Okshtun. Çeta, si hyri në lagjen Prodan të katundit Okshtun, duke parë se vendi ishte i zanun, kaloi në lagjen Plepë, po të Okshtunit, dhe prej aty morën drejtimin për në Martanesh, të rajonit të Rrethit të Librazhdit. Në Okshtun, fuqia e Postës mundi të kapte 3 komunista të mbetun prej dëborës dhe të sëmurë nga këmbët.
Rrethkomanda e Peshkopisë, me të mësuar këtë lajm, dërgoi ndihmësin toger Mahmut Previzin me një fuqi prej 50 xhandarësh të efektivit të Rrethit, i cili u bashkua edhe me komandant Qazim Nokën, të Kompanisë Shëtitëse, si edhe me një kompani me ushtarë gjermanë, dhe shkuan në drejtim të Bulqizës. Si kaluan Klosin u futën në Gurë të Bardhë, të rajonit të Matit, me qëllim që të prisnin rrugën, mirëpo çeta kishte kalue për Gurë të Bardhë para një dite dhe kishte marrë drejtimin për në Bastar e Selitë dhe Shëngjergj të Tiranës. Meqënëse partizanët kishin kaluar, fuqia e kësaj komande u kthye në Martanesh, më datën 9 mars 1944, ku gjetën dy partizanë të sëmurë prej këmbëve, njëri italian dhe tjetri Petro Aleksi, 23 vjeç, banues në Vlorë, i cili u muar prej gjermanëve, kurse italiani iu dorëzue Postës së Martaneshit.
Në përpjekjen që kishin bërë me fuqinë e Postës së Martaneshit dhe vullnetarët, nga partizanët thuhet se u vranë 7-8 vetë, ndër këta edhe një komisar politik emri i të cilit nuk dihej, si dhe u plagosën 3 partizanë, të cilët i kishte marë Jonuz Bala, nga lagjia Val e Martaneshit, dhe i dërgoi në Tiranë.
Ndërkohë, partizanët në lagjen Peshk të Martaneshit zunë e pushkatuan 22 vetë, ndër të cilët edhe një xhandar të Postës së Martaneshit, që ndodhej me leje në shtëpinë e tij, si dhe plagosën lehtë një xhandar tjetër.
- Informacioni i Qarkkomandës së Elbasanit për fuqitë e Mehmet Shehut
Më 13 prill 1944, qarkkomandanti i Elbasanit, major Nazmi Lumani, informoi Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë dhe Prefekturën e Elbasanit se, sipas informatave të Rrethit të Gramshit, çetat komuniste kishin “ripushtuar rajonet e komunave Mollas e Tunjë, të krahinës së Sulovës, dhe vazhdonin të mobilizonin persona të vendit, duke marrë e transportue sende ushqimore e gjâ të gjallë në drejtim të Skraparit dhe të katundit Opar të Korçës”.
Sipas informacioneve, “Mehmet Shehu, me një fuqi 1 500 vetë, ndërmjet tyre 400 ushtarë italianë bashkë me një gjeneral, duke pasur në dispozicion 200 mushka, 4 topa pa predha të kalibrit 75/13, ndodheshin në katundet Moglicë, Gopesh, Doberçan e Gropçishtë të Qarkut të Korçës, ku me rreptësi të madhe vazhdon të mobilizojë njerëz dhe të marrë bereqet e gja të gjallë”.
Rrethi i Gramshit, duke dyshuar se kjo fuqi po përgatitej të kalonte nga Qafa e Shënapremtes të Gramshit për të okupuar dhe pjesën e Vërçës, u kërkoi autoriteteve përkatëse të demarshonin ku duhej për dërgim forcash për të mbrojtur krahinën e Vërçës e njëkohësisht për të sulmuar për çlirimin e Sulovës.
Për këto zhvillime, më 16 prill 1944, u informua edhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Po kështu, sipas lajmërimit të major Riza Kishta, qarkomandanti i Elbasanit, major Nazmi Lumani, informoi më 15 prill 1944 Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë dhe Prefekturën e Elbasanit se një fuqi partizane prej 400 vetësh më 13 prill kishte dalë në Shënapremte. “Një tjetër fuqi partizane nga Malësia e Kukurit prej Langës zbritën në Kukër, duke goditur Vërçën në tri pika: Poroçan, Kukër e Shenapremte, të cilët posa kanë mbërritë, pa marrë parasysh asnjë pretendim e arsye vonimi, kanë kërkuar ushtarë duke u deklaruar popullit se në rast të kundërt kanë me ju djegë shtëpitë e pushkatue”.
Kurse kapiten Xhafer Bali, njëkohësisht me lajmërimin e Qarkkomandës së Elbasanit se më 14 prill 1944 fuqitë komuniste t’ardhura nga Vërça kishin hyrë në katundin Gjinar të Shpatit të Parë, shfaqte nevojë për dërgim të fuqive të tjera.
Për këtë arsye, major Nazmi Lumani u lutej autoriteteve qendrore të Xhandarmërisë që të intervenonin pranë Komandës Gjermane “për të disponuar fuqitë e rastit, mbasi fuqitë e komunistave po vazhdonin të hapeshin, duke okupuar jo vetëm krahinën e Vërçës, por edhe rajonin e Rrethit direkt (Elbasanit)”. Për këto zhvillime major Lumani vuri në dijeni edhe organizatorin gjerman pranë Qarkkomandës së Elbasanit.
Ky informacion iu përcoll menjëherë për dijeni Ministrisë së Brendshme nga prefekti i Elbasanit, Lutfi Shehu, me insistimin se “âsht nevojë e domosdoshme që të dërgohen në këtë qendër fuqina të rregullta qeveritare, sepse civilat nuk luftojnë dhe udhëhiqen keq prej komanduesve që ju pëlqen qenja e anarkisë për të shfry mënira dhe për të siguruar të tjera interesa personale”.
- Vrasja e dy personave të arratisur në Lazarej
Një ndër ngjarjet që bëri bujë në Rrethin e Peqinit ishte dhe vrasja e dy personave të arratisur, të cilët u ishin vetëdorëzuar fuqive të Ballit Kombëtar. Nga hetimet e bëra nga Rrethkomanda e Peqinit, rezulton se dy personat pas dorëzimit ishin lënë të lirë nga ana e fuqive të Ballit Kombëtar. Ata, pasi kishin deklaruar se dëshironin me bujtë në katundin Lazarej, pranë Sadik Tare Kaçit, u morën prej Sadikut dhe u dërguan në shtëpinë e tij, ku atje, mbas një çasti, u nxorën jashtë dhe u vranë.
Mbi sa kishte hetuar rrethi i Peqinit për vrasjen e këtyre dy djelmoshave, Balli Kombëtar i Peqinit kishte patur dijeni të plotë. Sadiku kishte qenë i urdhëruar të vepronte në këtë mënyrë, për shkak se djelmoshat, me rastin e dorëzimit, kishin deklarue se “të gjithë të arratisurit e kësaj kategorie kishin vendosë me u dorëzue pjesë-pjesë, gjë e cila personave që kryesonin fuqitë e Ballit nuk u kishte ardhur mirë, sepse për interesat e tyre dëshironin që gjendja e sotshme të vazhdonte dhe shumë kohë në anarshitë”.
Duke qenë çështja në këtë mënyrë, vrasja e viktimave kishte shkaktuar një përshtypje të keqe në krejt opinionin publik të juridiksionit të Qarkut të Elbasanit e “njëkohësisht kishte humbur besimin ndaj autoriteteve që kishin pasë të arratisunit e sidomos prindërit e farë e fisin e tyre që përpiqeshin me çdo mënyrë për të bindë të afërmit e tyre me u kthye në vatrat familjare”.
Për këtë ngjarje, më 27 mars 1944, komandanti i Qarkut të Xhandarmërisë së Elbasanit, major Nazmi Lumani, informoi Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë, duke theksuar se “tash për tash nuk mund të vihet dorë nga ana e autoritetit gjyqësor, kundër të përmendunit Sadik, për arsye se i përmenduri ka mbas vedit një fuqi të mjaftueshme vullnetarësh, kështu që Arma e Xhandarmërisë nuk mund të bâjë gjâ tjetër, veçse të presë çastin e volitshëm”.
- Veprime të çetave partizane
13.1 Përgatitjet e fuqive partizanë për të sulmuar Gramshin
Në informacionin rezervat i posaçëm drejtuar Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë, më 20 mars 1944, Qarkkomandanti i Elbasanit theksonte se në Rrethin e Gramshit çetat komuniste kishin mbledhur duke mbajtur në dispozicion të gjithë notarët e katundit Sulare e Zgjubë, të rajonit të Postëkomandës Mollas, dhe dita-ditës kontrollonin lumin Devoll, që ndante qendrën e Rrethit me katundet në fjalë me një distancë të vogël prej një gjysëm ore. Kuptohej se çetat komuniste kishin ndërmend të kalonin lumin Devoll dhe të sulmonin qendrën e Rrethit të Gramshit.
Duke qenë çështja në këtë mënyrë, mbasi fuqia e Ballit Kombëtar ishte e pakët, Qarkkomanda e Elbasanit lutej për dërgim fuqish të mjaftueshme. Në rast të kundërt, kërkonte që t’u urdhërohej tërheqja e personelit ose t’u njoftohej mënyra e veprimit, sepse me fuqinë disponibël që kishte Rrethi i Gramshit nuk mund t’i përballonte sulmit.
13.2 Kalimi i çetave partizane në Çermenikë
Bazuar në njoftimet e Komandës së Xhandarmërisë së Qarkut, Prefekti i Elbasanit, Lutfi Shehu, informoi më 6 prill 1944 Ministrinë e Punëve të Brendshme, se në mbrëmjen e datës 4 prill 1944, në katundin Orenjë të komunës së Çermenikës, kishte ardhur një fuqi komuniste e përbërë prej 200 vetësh e kryesuar prej Kadri Hoxhës nga Librazhdi, Isuf Keçit nga Tirana dhe Ramiz Ali Shtëpanit nga Shëngjergji.
Fuqitë vullnetare të katundit Zgoshtë e Letëm ishin nisur menjëherë për në katundin Funarë e Zdrajshë, ku informohej se kishin rënë në përpjekje, por nuk dihej përfundimi.
Ndërkohë, autoritetet e Prefekturës së Elbasanit vunë në dijeni edhe komandën gjermane me qendër në Librazhd për ndihmat e rastit.
13.3 Pushkatimi i Qazim Kostës dhe Jashar Ramushit nga çeta partizane
Bazuar në njoftimet e Qarkomandës së Elbasanit dhe Rrethkomandës së Peqinit, Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, kolonel Hysni Dema, informoi më 9 prill 1944 Ministrinë e Punëve të Brendshme se çeta komuniste në katundin Vrap kishte marrë nga shtëpia dhe kishte pushkatuar Qazim Kostën dhe Jashar Ramushin, që të dy nga katundi i mësipërm, rajon i Komunës Garunjë e Madhe.
Çeta komuniste përbëhej nga afro 200 vetë dhe kryesohej prej të quajturin Shul Koça. Numri i vullnetarëve të çarmatosur arrinte në 34 vetë. Përveç djegjes së shtëpisë, Arif Kostës i morën edhe 40 krerë bagëti dhe dy pendë qe.
Mbas këtij masakrimi, çeta komuniste u largua në drejtim të Pezës.
Më 2 prill 1944, zëvendës prefekti i Dibrës Abdyl Kruja i përcolli këtë informacion për dijeni Ministrisë së Punëve të Brendshme
Sulmi ndaj Pogradecit dhe situata në rrethet e Qarkut të Elbasanit
Zhvillimet në mars dhe gjysmën e parë të prillit 1944 bënë që situata në Qarkun e Elbasanit të avanconte më shpejtësi në disfavor të fuqive qeveritare. Për këto zhvillime në rrethet e Elbasanit, Gramshit, Peqinit dhe Librazhdit do të njihet lexuesi në vijim të këtij punimi. Në këtë pjesë do të publikohen dokumente dhe për mësymjen e Pogradecit nga fuqitë partizane dhe reagimin e fuqive qeveritare.
- Prefekti i Elbasanit, Lutfi Shehu, kërkon shtimin e fuqive qeveritare
Më 15 prill 1944, prefekti i Elbasanit, Lutfi Shehu, informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme se gjendja në Qarkun e Elbasanit paraqitej dita – ditës më shqetësuese nga veprimi i pashtershëm i çetave partizane, gjë që shifej dhe nga raportet e Armës së Xhandarmërisë që ua kishte paraqitur për dijeni.
Sipas prefektit Shehu, ashpërsimi i gjendjes me ndodhjen e çetave partizane në Qarkun e Elbasanit vinte “nga fakti se Fuqitë Nacionaliste t’këtushme janë vetëm sa për emër e për t’ju rëndue popullit dhe aspak për veprime propagande dhe luftarake, kështu që ana tjetër [fuqia partizane] nga të gjitha pikëpamjet paraqitet mâ e fortë”.
Në të vërtetë, çeta partizane të Qarkut të Elbasanit nuk ekzistonin, por, sipas prefektit Shehu, ishin repartet anarkiste të prefekturave Berat e Korçë që hynin e dilnin lirisht në territorin e kësaj Prefekture.
Duke evidentuar se populli “që âsht i lodhur nga dallaveret bashibozuke të të dy palëve pret veprën shpëtimtare të Qeverisë”, prefekti Shehu paraqet të nevojshme shpejtimin e vendosjes së postëkomandave dhe qenien në Elbasan të një batalioni xhandarësh.
Kurse më 19 prill, prefekti Shehu njoftoi Ministrinë e Punëve të Brendshme se Nezir Muzhaqi, nga krahina e Polisit të qarkut të Elbasanit, duke pasë nën komandën e tij një fuqi civile t’armatosun prej 600 vetësh, para tre ditëve ishte nisë prej Elbasanit për në Polis “për të ruajtë katundet e kësaj krahine që të mos atakohen nga çeta komuniste dhe me ndalue hyrjen e këtyne çetave në atë krahinë”. Deri më 19 prill nuk kishte informata që të kishin ra në përpjekje me çetat komuniste.
- Sulmi ndaj Pogradecit dhe veprime të tjera të çetave partizane
E informuar nga Komanda Gjermane, Qarkomanda e Elbasanit me telegram Rezervat i Posaçëm, tepër urgjent, të datës 18 prill 1944, ora 16.00, njoftoi Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë se çetat komuniste kishin sulmuar Pogradecin dhe po luftohej në lagjet e qytetit. Rruga Qafë Thanë–Pogradec nuk ishte e lirë. Korespondenca telefonike Elbasan–Pogradec kishte punuar deri në orën 4, mbas mesnate. Në mungesë të komunikimit telefonik, deri në orën që po shkruante këtë raport, qarkkomandanti i Elbasanit major Nazmi Lumani nuk kishte ndonjë lajm nga Pogradeci.
Sipas informatave që kishte Qarkkomanda e Elbasanit nga njerëz të besueshëm t’ardhur nga Struga, rezultonte se batalioni i Xhandarmërisë së Dibrës më 17 prill kishte kaluar nga Struga për Pogradec e Korçë. Kurse më 18 prill shkuan për në Pogradec fuqi gjermane dhe artileri.
Po më 17 prill 1944, një çetë komuniste e përbërë prej 150 vetësh kishte hyrë në katundin Zavalinë ku kishin ndejtur 3-4 orë dhe pastaj kishin ikur në drejtim për në katundet Joronishtë e Kabash të Gramshit.
Ndërkohë, prefekti i Gjirokastrës, Vehip Runa, me gjithë shokët dhe fuqinë e xhandarmërisë ndodhej në Elbasan, i ardhur natën nga Vlora për të shkuar në Gjirokastër nga ana e Korçës, meqenëse nga Vlora rrugët nuk ishin të sigurta. Qarkomanda e Elbasanit informoi Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë dhe Prefekturën e Elbasanit, se prefekti i Gjirokastrës Vehip Runa, si dhe Nuri Dinua, bashkë me fuqinë e xhandarmërisë, ishin kthyer në Elbasan mesditën e 21 prillit. Ata kishin vajtur deri në katundin Lin të Pogradecit, ku fuqia e xhandarmërisë kishte marrë pjesë në luftime me çetat komuniste në malet “Guri i Kuq”, në krah të djathtë të Qafë Thanës.
Luftimi filloi më 20 prill, në orën 18.00, dhe kishte vazhduar deri në orën 20.30. Në këtë përpjekje u plagosën xhandarët Veli Bajrami dhe Myslim Fahriu. Sipas informacionit të Qarkkomandës së Elbasanit, “në këtë përpjekje xhandarët kanë luftue me guxim tue qenë të armatosun vetëm me pushkë, kurse partizanët kanë patur mitraloz të rëndë e të lehtë, si dhe murtaja të lehta.” Ndërkohë, fuqia gjermane vazhdonte luftimet si nga Mokra ashtu edhe nga Rruga Principales, anës liqenit të Pogradecit, kurse partizanët thuhej se ishin akoma në Pogradec dhe se Starova ishte djegur prej partizanëve. Ushtria shqiptare që ishte në Pogradec, mbas luftimeve që kishin bërë brenda në qytet, disa ishin tërheqë drejt Shën Naumit dhe dhjetë prej tyre kishin dalë në katundin Lin.
Situata e Gramshit vijonte si më parë: në dorë të partizanëve ishin Sulova dhe Vërça dhe forcat e tyre kishin ardhur deri në katundin Cerujë.
Ndërkohë, sipas njoftimit që bënte kapiten Xhafer Bali, në mëngjesin e 21 prillit partizanët tentuan të kapërcejnë Devollin në drejtim të katundeve Gjyral e Grekan të rajonit të Belshit, por ishin sprapsur nga kundërshtimet e bëra nga ana e fuqive vullnetare.
Meqenëse në Gostimë fuqitë gjermane ishin të pakta, Qarkomanda e Elbasanit e konsideronte të nevojshme të dërgohej një fuqi e rregullt në këtë drejtim.
Nga informatat që dispononte Qarkkomanda e Elbasanit, rezulton se partizanët ishin të mirë armatosur dhe kishin bërë një front në vijën Berat-Sulovë-Gramsh-Poroçan-Pogradec-Korçë.
Qarkkomandanti i Elbasanit, major Nazmi Lumani, e konsideronte shumë të favorshme “sikur të vendosej në qendër të Elbasanit një Komandë Operacioni për t’i komandue e kordinue të gjitha fuqitë që ndodheshin të shpërndara andej e këndej, si ato të Alush Leshanakut, Nezir Muzhaqit, Haziz Biçakut, të Dumres etj.”, se në këtë mënyrë që ndodheshin nuk shpresohej që të jepnin ndonjë frut.
Në shkresën përcjellëse të këtij informacioni për Ministrinë e Brendshme, prefekti i Elbasanit, Lutfi Shehu evidenton se “persona konfidentë të ardhun nga Struga na njoftojnë se flitet që fuqitë qeveritare në Pogradec kanë luftue shumë mirë por me humbje të mëdha dhe aq sa nga ushtarët tonë mundën me dalë prej qytetit vetëm 60 ushtarë me një oficer si edhe një skuadër që ka mundur të largohet me varkë prej liqenit”. Xhandarmëria kishte luftuar me fishekun e fundit dhe, sipas lajmeve të pakontrolluara, komandanti i Rrethit, kapiten Qemal Shkoza, “për të mos u dorëzue ndër anarkistat”, kishte vrarë veten.
- Përpjekje të fuqive të armatosura në Rrethin e Gramshit
Sipas informacioneve të Rrethkomandës së Gramshit, më datën 25 prill 1944, në krahinën e Vërçës, kishin ardhë nga Opari dy brigada të tjera komuniste me nga një mijë veta, me qëllim që të marshonin nga krahina e Shpatit të Parë në drejtim të Shtëpanjit (Gostimë). Mehmet Shehu, bashkë me fuqinë e tij, ende qëndronte në rajonin e Komunës Kukur dhe pjesërisht në rajonin e Qendrës Gramsh, i cili me një rreptësi të madhe vazhdonte të mobilizonte popullin, një pjesë e të cilëve, me rastin e okupimit nga partizanët ishin larguar prej banesave të tyne. Për këtë kategori meshkujsh, komunistat u kishin komunikuar familjeve që deri në fundin e muaji prill atyre që nuk ktheheshin në banesë kishin “me ju djegë shtëpitë, me ju konfiskue pasurinë dhe me i marrë familjen”.
Rrethkomandantit të Gramshit, toger Ali Ibrahim Snosmit i morën tre lopë e 20 krenë dhi; Rasim Mehmet Tacës nga Shënëpremtja i morën dy lopë, një ka e një kalë; Liko Ferko Mulla Osmanit, nga Sojniku, i morën një ka dhe një kuintal misër; duke i caktuar çdo katundi 20 krenë bagëti me detyrim që t’i çonin në katundin Snosmë, ku ndodhej komandanti i fuqisë partizanë.
Personeli i Rrethkomandës së Gramshit, në bashkëpunim me fuqitë vullnetare të Komandantit të Operacionit kapiten Xhafer Bali, u vendosën në shkallë të Shtëpanjit, kufi me katundin Shushicë, duke formuar një front nga bregu i katundit Shënavlash e deri në kufi të Komunës Shpat i Parë Gjinar.
Qarkomandanti i Elbasanit, major Nazmi Lumani, në komunikimin e datës 27 prill me Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë dhe Prefekturën e Elbasanit, për të siguruar krahun e majtë nga veriu i këtij fronti, sugjeronte që në krahinën e Shpatit të Parë të dërgohej një fuqi vullnetare.
Kurse nga njoftimet e Komandës së Qarkut të Elbasanit drejtuar autoriteteve të Prefekturës, rezulton se mesnatën e 24 prillit, në katundin Shushicë-Kadiu, ndërmjet fuqisë së Xhandarmërisë së Gramshit dhe fuqive komuniste u bë një luftim i rreptë. Nëntogeri Dalip Musaj, ndihmës i Rrethtkomandës së Gramshit, me qendër në katundin Shtermen, lajmëronte se rrethkomandanti i Gramshit, toger Ali Snosmi, simbas nevojës e në marrëveshje me komandantin e fuqive vullnetare Xhafer Balin, për të përballuar sulmet e parashikuara të fuqive komuniste që ishin mbledhur ne fshatrat Tervolë e Strorë dhe për të ndaluar depërtimin e tyre për në territorin e Shtëpanjit, bashkë me fuqitë e Xhandarmërisë, oficera, nënoficera e trupë, që përbëhej gati prej 70 vetësh, tuj pasë dhe një pakicë vullnetarësh të Ballit Kombëtar, më datë 24 prill formoi një vijë në zallin e Shushicë-Kadiut, kodra e Bodunit e Shilbatër, rajon i Komunës Gostimë. Në orën 24.30 të datës 24 prill, filluan luftimet duke vazhduar deri në mesditën e 25 prillit.
Mbasi fuqitë partizane ishin më superiore në numër dhe në mjete, forcat qeveritare nën komandën e toger Ali Snosmi u thyen dhe nuk dihej gjë mbi fatin e tyre, nëse ishin zënë rob, vra ose larguar.
Pas kësaj, fuqitë komuniste marshuan në drejtim të Shtëpanjit ku dogjën shtëpitë e Hajdar Xhikës e Bajram Xhikës, nga Shtëpanji, dhe, mbasi nuk gjetën ndonjë rezistencë, hynë dhe okupuan katundin Gostimë. Nëntoger Dalip Musaj, Xhemil Kurti, kapter Sabri Zani, reshter Jonuz Meçi, bashkë me katër xhandarë të tjerë, u tërhoqën në katundin Shtermen.
Mbasi forcat komuniste ishin shtuar dhe përhapur në shumë pjesë të rajonit tokësor të Prefekturës së Elbasanit, prefekti Lutfi Shehu kërkonte nga Ministria e Punëve të Brendshme “dërgimin sa më shpejtë të një fuqie qeveritare të arsyeshme për të përballuar fuqinat komuniste, mbasi lânja e tyne në këtë mënyrë nuk âsht çudi që të afrohen deri në buzë të urës së Shkumbinit”.
Më 13 maj 1944, ora 17.30, në takimin me Prefektin e Elbasanit, Lutfi Shehu, togeri kreshnik Ali Snosmi, rrethkomandant i Gramshit, njoftoi se, tre ditë më parë, fuqitë partizane (në terminologjinë e përdoruar nga autoritetet cilësoheshin “anarkistat”) së bashku me treqind italianë kishin djegur të gjitha urat e Gramshit, ato që ishin dhe dymbëdhjetë të reja të ndrequra ditët e fundit. Në komunën e Kukurit, fuqitë partizane kishin mobilizuar deri në ato momente tetëqind veta nga populli.
Në informacionin që i përcillte Ministrisë së Brendshme, Prefekti Shehu theksonte se “paraqitet nevojë e ngutshme për shpejtimin e veprimeve operative”.
- Përpjekje të fuqive të armatosura në Rrethin e Peqinit. Vrasja e Ibrahim Metallës.
Sipas informatave të grumbulluara nga rrethkomanda e Peqinit, por edhe nga Balli Kombëtar, një çetë partizane e përbërë prej 200 vetësh shkëputet nga Çeta e Pezës, më 22 prill 1944, dhe nëpër katundet Vrap e Garujë, kalojnë Shkumbinin në lundrën e Karthnekës duke hyrë në pyllin e katundit Trash të Elbasanit. Më 24 prill, një çetë partizane prej 150 vetësh, duke ndjekur drejtimin e të parës, mbasi shkojnë në Garunjën e Madhe, djegin pjesën e postës dhe mbas një kundërshtimi që gjetën prej Ibrahim Metallës, nga katundi Garujë, e vrasin dhe zënë dy djemtë e tij, të cilët i kanë shtrënguar që të rrinë indiferent dhe të mos marrin pjesë në Partinë e Ballit dhe as të mos regjistrohen xhandarë. Më pas kanë vazhduar në gjurmët e çetës së parë dhe në katundin Karthnekë kontrolluan për armë dhe vullnetarë ballista. Këtu, pasi u bashkuan me çetën e parë, morën drejtimin për në Belsh për t’i shkuar në ndihmë Mehmet Shehut, që ishte në luftim me Ballin Kombëtar në krahinën e Sulovës. Komandanti i Ballit Kombëtar të Peqinit, me 26 prill, ora 5.00, bashkë me fuqitë e tij u nis për në Belsh kundër kësaj fuqie partizane. Operacioni vazhdonte.
- Mehmet Shehut futet në katundin Bërzeshtë
Sipas informatave të Qarkkomandës së Elbasanit, rezulton se më 26 prill 1944, një pjesë e çetës së Mehmet Shehut prej 200 vetësh u futën në katundin Bërzeshtë, duke qenë në bashkëpunim me Sami Lekën dhe Xhevat Blloshmin nga ai katund, dhe dyshohej se do të sulmonin ndonjë krah të Rrethit të Elbasanit. Fuqia tjetër e Mehmet Shehut prej një numri të madh ndodhej në katundet Velçan e Stavraj, afër katundit Bërzeshtë.
Mbi këto zhvillime, prefekti i Elbasanit Lutfi Shehu vuri në dijeni Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Komandën Gjermane.
- Fuqitë e Ballit Kombëtar sekuestrojnë dokumente të firmosura nga Adil Çarçani
Në përpjekjen në frontin e Gostimës, më 8 maj 1944, fuqitë e Ballit u zunë dy dokumente komunistave, të cilat iu përcollën Komandës së Operacionit në Elbasan nga Adjutanti i Komandës së Ballit Kombëtar, Jorgji Mema.
Me njërën prej tyre, firmosur nga Adil Çarçani, për Shtabin e Brigadës VII, lejoheshin “të kalojnë nga Mollasi në Gjyral, pranë shtëpijave të veta, katundarët Koçi Asimi, Mustafa Islami, Sefer Islami, të njohur nga ana e Shtabit të Brigadës së VII Sulmuese, si njerëz të ndershëm të Frontit Nacionalçlirimtar”. Kjo leje kalimi, e datës 14 prill 1944, ju lëshohej për të mos u ndaluar prej forcave partizane.
VIJON NUMRIN E ARDHSHËM
LEXO EDHE:
Letra e Aleksandër Xhuvanit: Rinia Balliste më sulmoi gruan e vajzat
Përplasjet me partizanët dhe sjellja e ballistëve ndaj tregtarëve